LRE - Rinisja

LRE - Rinisja www.rinisje.com

www.newsetika.al

LRE - Rinisja

Kjo është faqja zyrtare e LRE Lëvizja Rinisje

03/09/2026

Kujtime nga një kohë tjetër kur unë isha student protestues dhe grevist urie…

Edi Rama, reformatori i pasojave të veta…Nga A***n GaldiniEdi Rama kërkon të ribëjë shtetin që qeveris prej trembëdhjetë...
03/09/2026

Edi Rama, reformatori i pasojave të veta…

Nga A***n Galdini

Edi Rama kërkon të ribëjë shtetin që qeveris prej trembëdhjetë vjetësh.

Por koha në pushtet prodhon autorësi.

Më 3 shtator 2026, Edi Rama përshkroi me gojën e vetë një shtet që qytetarit i shfaqet si labirint, një administratë që humbet kujtesën institucionale dhe një vend ku njeriu mund të besojë se njohja vlen më shumë se merita, ndërsa fati më shumë se ligji.

Përballë kësaj diagnoze paraqiti një arkitekturë të re: BESA-n, “Praninë Besnike”, “Pasqyrë Albania”, Shkallën e Meritës dhe instrumente digjitale që duhet ta bëjnë shtetin më të aftë për të parë, ndjekur dhe matur marrëdhënien e vetë me qytetarin.

Nuk kam ndër mend ta përqesh këtë diagnozë.

Dua ta marr aq seriozisht sa ta kthej mbi njeriun që e shqiptoi.

Sepse në vitin e trembëdhjetë të qeverisjes së Edi Ramës pyetja nuk është vetëm nëse reforma e re është e mirë.

Pyetja është kush e mban autorësinë politike të gjendjes që e bëri atë të nevojshme.

Një kryeministër i vitit të parë mund të trashëgojë një shtet.

Një kryeministër që ka qeverisur më shumë se një dekadë është edhe një prej autorëve të mënyrës si ai shtet funksionon.

Me kalimin e viteve, ajo që në fillim mund të quhej trashëgimi hyn dalëngadalë në biografinë e qeverisjes.

Koha në pushtet prodhon autorësi.

Kjo nuk do të thotë se Edi Rama ka prodhuar personalisht çdo vonesë, çdo padrejtësi, çdo sekser, çdo nëpunës të paaftë apo çdo zakon të keq të administratës shqiptare.

Një akuzë e tillë do të ishte e lehtë dhe e pambrojtshme.

Akuza më e rëndë është tjetër.

Pas trembëdhjetë vjetësh, një pushtet nuk përgjigjet politikisht vetëm për patologjitë që ka prodhuar drejtpërdrejt.

Përgjigjet edhe për ato që kishte kohën, shumicën, administratën, buxhetin dhe fuqinë ligjvënëse për t’i korrigjuar, por i la të riprodhoheshin deri sa u bënë pjesë e mënyrës së funksionimit.

Prandaj Edi Rama nuk mund t’i trajtojë më deformimet që sot diagnostikon si një armik të jashtëm të qeverisjes së vetë.

Ato janë pjesë e bilancit të saj.

Këtu qëndron paradoksi i mandatit të katërt, Edi Rama kërkon të bëhet reformatori i pasojave të veta.

Një qeveri që mëson është më e mirë se një qeveri që ngurtësohet.

Korrigjimi është detyrë, jo turp.

Por reforma nuk është amnisti për historinë që e bëri të domosdoshme.

Dhe pas kaq kohe, premtimi i ri nuk mjafton.

Mandati i katërt duhet të dorëzojë dosjen.

Dosjen e asaj që u premtua dhe të asaj që u krye, të asaj që mbeti, të kostos që pati, të afatit që u humb, të ndryshimit që u bë gjatë rrugës, të vendimit që u mor dhe të përgjegjësisë që i takon secilit.

Jo për hakmarrje politike.

Për vijimësi demokratike.

Sepse pushteti nuk fillon nga zero sa herë ndryshon fjalorin e vetë.

Qeveria që kërkon të shkruajë kapitullin tjetër ka detyrimin të mos shqyejë faqet e kapitullit që shkroi vetë.

Kjo është arsyeja pse “Pasqyrë Albania” meriton të merret seriozisht.

Nëse qytetari do të mund të shohë dokumentin, afatin, vonesën, anulimin, përgjegjësin dhe ecurinë e një procesi, atëherë kujtesa nuk mund të fillojë në shtator 2026.

Në të duhet të hyjë edhe premtimi i pambajtur, afati i kapërcyer, projekti i zvarritur, vendimi që prodhoi dështimin dhe institucioni që nuk reagoi.

Një shtet me kujtesë nuk mund ta harrojë qeverinë që e ka drejtuar.

Përndryshe do të kemi teknologji që arkivon të tashmen dhe pushtet që redakton të shkuarën.

Dhe këtu shfaqet një problem më i madh se transparenca e një portali.

Asnjë qeveri nuk duhet të bëhet historiografia zyrtare e vetvetes.

Qeveria vepron dhe ka të drejtë të shpjegojë veprimet e saj.

Por nuk mund të jetë njëkohësisht autorja e epokës, arkivistja e vetme e saj, interpretuesja e dështimit dhe institucioni që certifikon se korrigjimi përfundoi me sukses.

Kujtesa publike kërkon dokumente që i mbijetojnë versionit të pushtetit për vetveten.

Dhe precedenti ekziston.

Në vitin 2018, “Shqipëria që duam” paraqitej si rruga e re, e shkurtër dhe e shpejtë për qytetarin që përplasej me administratën.

Qeveria raportonte mijëra raste të zgjidhura.

Mekanizmi mund të ketë ndihmuar realisht shumë njerëz.

Por pikërisht këtu duhet hapur dosja.

Çfarë u kthye nga ajo përvojë në institucion që jetonte pa ndërhyrjen e qendrës?

Nëse një qytetari i duhej t’i drejtohej Kryeministrisë që administrata të kryente detyrën e vetë, atëherë edhe suksesi i ndërhyrjes mbante brenda vetes dëshminë e sëmundjes që kërkonte të shëronte.

Qytetari fitoi zgjidhjen.

Por e drejta ende nuk ecte me këmbët e veta.

Dhe Shqipëria e njeh mirë çastin e vogël ku e gjithë kjo teori bëhet jetë e zakonshme.

Njeriu mund ta ketë dokumentin në dorë, afatin të shkruar dhe të drejtën në ligj, e megjithatë, para se të hyjë në zyrë, të pyesë:

“Kë njohim?”

Në ato dy fjalë jeton një histori e tërë e shtetit të ndërmjetësuar.

Problemi shqiptar nuk është se partia nuk ka ardhur mjaftueshëm pranë qytetarit. Problemi është se Republika ka mbetur tepër larg prej tij.

Deputeti duhet të dëgjojë.

Por demokracia nuk piqet kur deputeti bëhet më i zoti për ta çuar hallin te ministri.

Piqet kur qytetarit i duhet gjithnjë e më rrallë deputeti që ministria të bëjë detyrën.

Republika nuk ka nevojë për sekserin më të qytetëruar.

Ka nevojë që sekseri të humbasë funksionin.

Prandaj, kur Edi Rama thotë se deputeti nuk duhet të telefonojë drejtorët për favore, standardi është i drejtë.

Por pas trembëdhjetë vjetësh mbetet një llogari që nuk mund të anashkalohet, si u bë ndërhyrja aq normale sa ndalimi i saj duhet shpallur sot si kthesë?

Dhe kur sot flitet për ndarjen e partisë nga shteti, nuk po hyjmë në një tokë pa histori.

Vëzhguesit ndërkombëtarë të zgjedhjeve të vitit 2025 i cilësuan ato konkurruese dhe profesionalisht të administruara, por konstatuan mungesë fushe të barabartë dhe raportuan probleme që lidhen me keqpërdorimin e burimeve publike, trysninë mbi punonjës publikë dhe avantazhin institucional të forcës në pushtet.

Kjo nuk provon çdo akuzë që një opozitë do të dëshironte të bënte.

Dhe nuk kemi të drejtë t’i kërkojmë provës të thotë më shumë se ç’thotë.

Por pikërisht ajo që thotë është e mjaftueshme për një kërkesë serioze, kufiri parti - shtet nuk mund të shpallet sot si doktrinë e re pa u hapur dosja e mënyrës si është respektuar dje.

Kufiri nuk shpallet.

Provohet.

I njëjti parim vlen për teknologjinë.

Shqipërisë i duhet një administratë që ruan të dhënat, ndjek çështjen, mat afatet, lidh institucionet dhe nxjerr përgjegjësinë nga mjegulla.

Teknologjia mund ta ndihmojë fuqishëm këtë punë.

Inteligjenca artificiale mund të prodhojë aftësi që administrata e vjetër nuk i kishte.

Por asnjë teknologji nuk mbart vetvetiu garanci demokratike.

Një pushtet i përqendruar mund të bëhet thjesht më i shpejtë, më i informuar dhe më kapilar.

Prandaj çështja e një Radari qeveritar nuk është vetëm çfarë sheh shteti.

Është kush vendos se çfarë bëhet e dukshme për shtetin.

Dikush duhet të vendosë çfarë quhet sinjal dhe çfarë humbet si zhurmë, cilës ankesë i jepet përparësi dhe në cilin çast administrata e konsideron një çështje të mbyllur.

Pushteti mbi klasifikimin është edhe pushtet mbi realitetin administrativ që prej atij klasifikimi prodhohet.

Kjo fuqi kërkon të drejta përballë saj.

Qytetari duhet të dijë si është lexuar dhe kategorizuar çështja e tij, të ketë mundësi ta kundërshtojë atë kategorizim dhe, kur prej tij preket një e drejtë, të ketë përballë një vendimmarrës njerëzor juridikisht përgjegjës.

Përndryshe nuk digjitalizojmë vetëm administratën.

Digjitalizojmë edhe pafuqinë e qytetarit përballë saj.

Dhe pikërisht këtu rruga europiane e Shqipërisë merr kuptimin e saj më të thellë.

Shqipëria ka bërë përparim real në procesin e anëtarësimit.

Përmbushja e piketave të ndërmjetme të Themeloreve dhe mbyllja e përkohshme e kapitujve të parë janë arritje të vendit që duhen mbrojtur.

Ky përparim është interes kombëtar.

Nuk është pronë politike e Edi Ramës.

Dhe pikërisht për këtë duhet përdorur për të kërkuar më shumë, jo për të falur më shumë.

Modernizimi teknik nuk është vetvetiu europianizim institucional.

Tradita liberale-kushtetuese perëndimore nuk matet nga një qeveri që di gjithnjë e më shumë për njeriun, por nga një njeri që ka gjithnjë e më shumë garanci përballë arbitraritetit të qeverisë.

Ajo traditë jeton te gjykata që mund t’i thotë jo shumicës, te prona që nuk pret humorin politik dhe te administrata që nuk pyet kë njeh, mbi të gjitha, jeton te qytetari që nuk ka pse t’i afrohet pushtetit që ligji të afrohet tek ai.

Ky është dallimi midis një shteti më të aftë dhe një Republike më të lirë.

Sepse arbitrariteti nuk ka vetëm çmim moral.

Ka çmim ekonomik.

Kur ligji nuk mjafton, biznesi fillon të blejë siguri me akses, marrëdhënie, ndërmjetësim dhe mbrojtje.

Energjia që duhej të shkonte te prodhimi shkon te sigurimi i terrenit politik.

Investimi që duhet të llogarisë kërkesën e tregut fillon të llogarisë humorin e administratës.

Kur lidhja ul rrezikun më shumë se ligji, tregu paguan premium politik.

Atë premium nuk e paguan vetëm sipërmarrësi që nuk njeh njeriun e duhur.

E paguan vendi, me investimin që nuk kryhet, me zgjerimin që shtyhet dhe me zotësinë që mëson se dera mund të ketë kthim më të sigurt se puna.

Në fund, arbitrariteti e bën të ardhmen më të shtrenjtë nga sa duhej të ishte.

Dhe këtu teknologjia, administrata dhe ekonomia kthehen te i njëjti objekt, njeriu.

Administrata ka nevojë për kategori, njeriu nuk mund të reduktohet në to.

Ai është më shumë se formulari përmes të cilit shteti e lexon.

Pikërisht për këtë personi nuk është lëndë e administratës, por arsyeja për të cilën administrata ekziston.

Vlera e tij nuk fillon kur shteti e njeh dhe nuk mbaron aty ku mbaron kategoria me të cilën zyra e përpunon.

Kufiri i pushtetit fillon këtu.

Dhe këtu modeli i Edi Ramës has kontradiktën e vetë më të thellë.

Ai kërkon ta depersonalizojë administratën përmes autoritetit të vetë personal.

Kërkon që deputeti të mos jetë sekser, por qendra vendos mënyrën si deputeti do të matet.

Kërkon meritokraci, por për këtë bëhet edhe më vendimtare se kush shkruan kriterin.

Kërkon një prani politike të rregulluar dhe vetë e lidh ritmin e saj me kohën kur ai do të jetë kryetar i partisë.

Rregulli duhet të depersonalizojë politikën.

Garancia e rregullit vazhdon të jetë personi.

Kjo është pika ku efikasiteti i një udhëheqësi mund të fshehë dobësinë e institucionit.

Një drejtues i fuqishëm mund ta vërë aparatin në rresht.

Mund ta detyrojë administratën të përgjigjet, partinë të dëgjojë, deputetin të zbatojë kriterin dhe burokracinë të ndjekë ritmin.

Por kjo nuk provon ende institucionin.

Institucioni fillon aty ku ndryshon njeriu dhe ligji vazhdon të japë të njëjtën përgjigje.

Prandaj gjyqi i mandatit të katërt nuk është nëse Edi Rama ka kuptuar se administrata shqiptare duhet të ndryshojë.

Ai duket se ka kuptuar shumë prej problemeve.

Por pas trembëdhjetë vjetësh kuptimi nuk është pafajësi.

Është dëshmi.

Nëse shteti është labirint, dosja duhet të tregojë pse mbeti labirint.

Nëse njohja ka konkurruar me meritën, duhet hapur historia e institucioneve që e lejuan.

Nëse ndërmjetësimi politik është plagë, duhet shpjeguar si u bë kaq i nevojshëm.

Nëse kujtesa institucionale është vlerë, ajo duhet të përfshijë edhe kujtesën e qeverisjes që sot kërkon ta rindërtojë atë.

Edi Rama mund ta marrë kredinë për çdo gjë që ka ndërtuar gjatë këtyre viteve.

Mund të kërkojë njohjen e çdo reforme që ka funksionuar dhe të çdo përparimi real që Shqipëria ka bërë nën qeverisjen e tij.

Por nuk mund t’ia japë “sistemit” pronësinë e dështimeve dhe vetes vetëm pronësinë e arritjeve.

Koha prodhon autorësi.

Dhe autorësia nuk është vetëm e drejta për të firmosur atë që doli mirë.

Është detyrimi për të hapur dosjen e asaj që mbeti keq.

Reformatori i pasojave të veta ka vetëm një mënyrë për të provuar se reforma është më e madhe se njeriu që e shpalli, ta ndërtojë aq thellë në ligj, në procedurë dhe në të drejta, sa të mos ketë më nevojë për autoritetin e tij personal që të qëndrojë në këmbë.

Prova fillon ditën kur shteti funksionon pa pasur nevojë për Edi Ramën.

Dhe Shqipërisë nuk do t’i bënte aspak keq që ajo ditë të fillonte sot, Edi Rama të largohej, ndërsa shoqëria shqiptare të rifitonte të drejtën për të korrigjuar, ndërtuar dhe përsosur vetveten pa një njeri të vetëm në qendër të çdo fillimi.

A***n Galdini

Mandati i katërt nuk është faqe e bardhë…Një qeveri që hyn në vitin e trembëdhjetë nuk trashëgon më një vend të panjohur...
03/09/2026

Mandati i katërt nuk është faqe e bardhë…

Një qeveri që hyn në vitin e trembëdhjetë nuk trashëgon më një vend të panjohur.

Trashëgon gjithnjë e më shumë pasojat e vendimeve të veta.

Prandaj mandati i katërt ka një barrë prove që mandati i parë nuk e kishte.

Pushteti ka pasur kohën për ta njohur problemin, ligjin për ta ndrequr, administratën për ta zbatuar, buxhetin për ta financuar, njerëzit për ta drejtuar dhe vite të tëra për të parë çfarë prodhojnë zgjedhjet e tij.

Sa më gjatë i ke pasur këto mjete në dorë, aq më pak mund ta përshkruash realitetin si diçka që thjesht e gjete.

Prandaj, kur pas gati trembëdhjetë vjetësh një problem merr papritur një emër të ri dhe zgjidhja shpallet si fillim, pyetja nuk është vetëm çfarë do të bëhet nesër.

Është edhe përse nuk u bë dje, kur mundësia për ta bërë ishte po aty.

Kjo nuk e zhvlerëson korrigjimin.

E vendos në historinë e vetë.

Sepse vendi nuk jeton në draftet e qeverisë.

Vitet që dështuan nuk mund të fshihen si variante të papublikuara vetëm sepse sot ndryshon titulli i kapitullit.

Pushteti mund të ndryshojë ministrin, programin, gjuhën me të cilën flet për një problem.

Mund edhe të ndryshojë drejtim.

Por nuk mund të rifillojë kronologjinë sa herë shpik një emërtim të ri, sikur kapitulli i ri ta kthente librin përsëri në faqe të bardhë.

Pas një pushteti kaq të gjatë, një pjesë e Shqipërisë që qeveria përshkruan është tashmë edhe Shqipëria që ajo vetë ka shkruar.

A***n Galdini

Shteti duhet të përgjigjet…Qytetari nuk duhet të ketë mik në qeveri që shteti t’i përgjigjet.Kjo është një prej padrejtë...
02/09/2026

Shteti duhet të përgjigjet…

Qytetari nuk duhet të ketë mik në qeveri që shteti t’i përgjigjet.

Kjo është një prej padrejtësive më të zakonshme shqiptare, ke një të drejtë, paraqet kërkesën, dorëzon dokumentet, dhe pastaj fillon kërkimi për njeriun që njeh njeriun.

Kjo duhet të marrë fund.

Po punojmë për një parim të thjeshtë të LRE Rinisjes, të drejtën e qytetarit për përgjigje nga shteti.

Kur i drejtohesh një institucioni, duhet ta dish kush e mori çështjen, brenda cilit afat duhet të përgjigjet, ku ndodhet kërkesa dhe kush mban përgjegjësi kur afati shkelet.

Jo një portal tjetër që regjistron hallin dhe pastaj e humbet njeriun pas ekranit.

Një e drejtë.

Me afat. Me gjurmë. Me përgjegjës. Me ankim. Me pasojë kur administrata nuk kryen detyrën.

Teknologjia mund ta bëjë shtetin më të shpejtë.

Inteligjenca artificiale mund ta ndihmojë të përpunojë mijëra kërkesa.

Por vendimi që prek jetën e qytetarit duhet të ketë gjithmonë një përgjegjësi njerëzore pas tij.

Sepse Republika nuk matet vetëm nga ligjet që miraton.

Matet edhe nga ajo që ndodh pasi një njeri troket në derën e saj.

Dhe ndryshimi që dua është i prerë:

Nga qytetari që kërkon njeri për të zgjidhur hallin, te shteti që ka detyrimin t’i përgjigjet qytetarit.

Jo si nder.

Si e drejtë.

E Djathta Humane…E djathta që besoj unë nis nga një kufi i pakalueshëm, njeriu nuk është lëndë e parë e pushtetit.Punëto...
02/09/2026

E Djathta Humane…

E djathta që besoj unë nis nga një kufi i pakalueshëm, njeriu nuk është lëndë e parë e pushtetit.

Punëtori nuk ekziston për administratën. Sipërmarrësi nuk është burim klientele. Familja nuk është dekor elektoral.
Prona nuk është plaçkë për më të fortin.
I varfri nuk është fotografi sociale. Protestuesi nuk është numër që një parti e shpall të vetin.

Prej këtij kufiri nis E Djathta Humane.

Ajo mbron pronën sepse prona i jep njeriut pavarësi.

Mbron punën dhe sipërmarrjen sepse dinjiteti nuk mund të jetojë mbi favorin politik.

Mbron familjen sepse jeta njerëzore fillon përpara administratës.

Mbron konkurrencën sepse as pushteti publik, as monopoli privat nuk duhet të bëhen aq të mëdhenj sa personi të mbetet i pafuqishëm përballë tyre.

Por liria nuk është një fjalë që shteti shqipton dhe pastaj largohet.

Përgjegjësia personale nuk mund të përdoret si alibi për ta lënë njeriun vetëm përballë një force që i heq realisht mundësinë për të zgjedhur.

Prandaj nuk dua as shtetin që hyn në çdo pjesë të jetës, as shtetin që mungon pikërisht aty ku duhet të mbrojë të drejtën.

Dua një shtet që sundon më pak mbi njeriun dhe kryen më mirë detyrën e vet.

Dhe prova vendimtare vjen kur qeverisin njerëzit që ne mbështesim.

Edhe atyre u duhen kufij.
Edhe atyre duhet t’u kërkohet llogari.
Edhe prej tyre qytetari duhet të jetë i mbrojtur.

Sepse një parim nuk provohet kur kufizon kundërshtarin.

Provohet kur na ndalon ne.

Kjo është E Djathta Humane.

A***n Galdini

E drejta e Protestës nuk jepet nga Qeveria…Qytetari që del kundër qeverisë nuk humbet asnjë të drejtë sepse kërkon largi...
02/09/2026

E drejta e Protestës nuk jepet nga Qeveria…

Qytetari që del kundër qeverisë nuk humbet asnjë të drejtë sepse kërkon largimin e saj.

Pikërisht atë ditë provohet Republika.

Policia nuk është roja e sedrës së Kryeministrit.

Nuk është krahu i një partie dhe as mjeti me të cilin pushteti u tregon kundërshtarëve se kush komandon.

Është Policia e Shtetit.

Detyra e saj është të mbrojë ligjin, sigurinë dhe qytetarin, edhe kur ai qytetar proteston kundër qeverisë, edhe kur thërret kundër Kryeministrit, edhe kur kërkon që kjo qeveri të ikë.

E drejta për të protestuar nuk jepet nga qeveria.

Prandaj qeveria nuk mund ta trajtojë si privilegj që lejohet kur protesta është e padëmshme dhe ngushtohet kur bëhet e bezdisshme.

Kufiri është ligji.

Kush ushtron dhunë përgjigjet për dhunën. Kush dëmton pronën përgjigjet për dëmin. Kush shkel ligjin përgjigjet për shkeljen.

Por përgjegjësia është personale.

Nuk mund t’i hiqet dinjiteti një proteste të tërë për veprimin e një njeriu.

Nuk mund të trajtohet kundërshtari politik si rrezik vetëm sepse kundërshton.

Dhe nuk mund të përdoret uniforma e Republikës për t’i mësuar qytetarit bindjen ndaj qeverisë.

Po aq qartë, unë nuk ia kam dorëzuar askujt gjykimin tim politik.

Jam kundër qeverisjes së Edi Ramës dhe dua mbylljen demokratike të këtij cikli.

Por nuk kam nevojë të bëhem pjesë e çdo organizimi opozitar, të marr leje nga ndonjë seli apo të hyj nën flamurin e dikujt tjetër që ky qëndrim të jetë i imi.

Opozitarizmi nuk ka pronar.

As protesta.

As qytetari.

Prandaj sot nuk më intereson kujt i pëlqen protestuesi dhe kujt jo.

Më intereson kufiri që një shtet i lirë nuk duhet ta kalojë.

Protestuesi përgjigjet për veprimin e vetë.

Polici përgjigjet për veprimin e vetë.

Ministri përgjigjet për urdhrin e vetë.

Qeveria përgjigjet për mënyrën si përdor pushtetin që i është besuar.

Askush nuk fshihet pas turmës.

Askush nuk fshihet pas uniformës.

Sepse Republika nuk provohet kur qytetari duartroket pushtetin.

Provohet kur qytetari i del përballë, dhe pushteti pranon se përballë tij ka ende një qytetar të lirë.

A***n Galdini

02/09/2026
Ne jemi historia e një njeriu me 1 celular e 1 Faqe Facebook:Ndaj mos na kërkoni në media.Na gjeni në Rrjetet Sociale..M...
02/09/2026

Ne jemi historia e një njeriu me 1 celular e 1 Faqe Facebook:

Ndaj mos na kërkoni në media.

Na gjeni në Rrjetet Sociale..

Miq,

Mos e matni praninë time publike me numrin e studiove ku më shihni.

Pas daljes në Sheshin Skënderbej dhe mirëbesimit që mora në Kuvendin Programatik të Rinisjes më 21 gusht, përgjegjësia ime është e qartë, kudo që flas, përgjigjem vetë për fjalën time dhe nuk e fsheh se i përkas Rinisjes.

Në media do të paraqitem vetëm ashtu siç jam: A***n Galdini, autor dhe zë publik e doktrinar i Rinisjes.

Nuk kërkoj trajtim të favorshëm, pyetje të lehta apo mbrojtje nga kritika, kërkoj që autorësia ime, përkatësia ndaj Rinisjes dhe arsyeja e ftesës të mos fshihen për të më kthyer në komentuesin e radhës.

Liria e fjalës nuk lind kur hapet një mikrofon dhe nuk shuhet kur kamera kthehet nga një fytyrë tjetër.

Ajo i përket personit përpara se një studio t’i japë hapësirë.

Media mund t’ia zgjerojë shtrirjen publike një zëri, por nuk e themelon atë, nuk i jep identitet autorit dhe nuk mund ta përcaktojë kuptimin me të cilin ai hyn në bisedën publike.

Televizioni mund të më transmetojë, por nuk mund të më prodhojë.

Po aq e patjetërsueshme është liria e gazetarit, të zgjedhë kë fton, të pyesë pa drojë, të hetojë, të kundërshtojë dhe të kritikojë.

I ftuari ka të drejtë të mos pranojë një paraqitje që e shkëput nga historia, autorësia dhe përkatësia që i japin kuptim fjalës së tij.

Liria editoriale nuk është leje për t’i caktuar tjetrit një identitet më të përshtatshëm për panelin, dinjiteti i të ftuarit nuk është mburojë kundër pyetjes së vështirë.

Qytetërimi i kësaj marrëdhënieje qëndron te ruajtja e të dyja lirive.

Gazetari nuk bëhet shërbëtor i të ftuarit, i ftuari nuk bëhet material i formatit.

Dinjiteti nuk është kërkesë për nderim ceremonial, por kufiri moral që e pengon bisedën publike të shndërrohet në përdorim të njeriut.

Prandaj vendimi im është i prerë: nuk i mbyll derën medias, i mbyll derën çdo ftese që kërkon prej meje të hyj më pak se ç’jam.

Marrëdhënia ime me ju nuk varet nga ftesa e asnjë televizioni.

Prej sot, rrjetet zyrtare të A***n Galdinit dhe të LRE Rinisjes përbëjnë median dhe platformën tonë të vetme të komunikimit të rregullt publik.

Televizionet dhe mediat e tjera mund të jenë vende të posaçme paraqitjeje, nuk janë qendra e marrëdhënies sonë me qytetarin dhe as burimi parësor i fjalës sonë.

Në faqen zyrtare A***n Galdini, fjala është personale dhe përgjegjësinë e mbaj unë.

Në faqet zyrtare të LRE Rinisjes, organizata flet me emrin e vetë dhe përgjigjet për qëndrimet e vendimet e saj.

Përkatësia ime është e dukshme, por fjala personale dhe qëndrimi institucional nuk ngatërrohen.

Në këto rrjete publikojmë shkrimet, qëndrimet, njoftimet, dokumentet programore, Tryezat e Rinisjes dhe punën për të cilën duhet të japim llogari.

www.rinisje.com ruhet arkivi zyrtar, bashkë me materialet e plota, WhatsApp-i është porta për pyetje, propozime dhe pjesëmarrje.

Në rrjetet shoqërore na kërkoni me emrat:

A***n Galdini

LRE Rinisja

www.rinisje.com
WhatsApp: +355 68 406 0131

Do të ketë ditë kur të tjerët do të jenë në çdo televizion dhe unë në asnjë.

Televizioni mund ta zgjerojë dukshmërinë time, nuk përcakton zërin, identitetin apo vendin tim në jetën publike.

Mos më kërkoni vetëm aty ku të tjerët vendosin nëse dhe si shfaqem.

Më gjeni bashkë me LRE Rinisjen në rrjetet tona zyrtare, ku fjala mban firmën e autorit, organizata përgjigjet për qëndrimet e saj dhe puna del përpara gjykimit të qytetarit.

A***n Galdini

Nuk mjafton të ikë Rama…Unë dua mbylljen demokratike të ciklit të Edi Ramës.E dua pa ekuivok.Por Shqipëria do të kishte ...
02/09/2026

Nuk mjafton të ikë Rama…

Unë dua mbylljen demokratike të ciklit të Edi Ramës.

E dua pa ekuivok.

Por Shqipëria do të kishte humbur përsëri vite të tjera, nëse pas largimit të tij do të ndryshonte vetëm emri i njeriut që komandon, ndërsa qytetari do të mbetej po ai njeri që duhet të ulë kokën përballë pushtetit.

Nuk dua një Shqipëri ku qytetari duhet të gjejë mik për një dokument që i takon.

Ku një vend pune në shtet përdoret për t’i kërkuar bindje.

Ku sipërmarrësi duhet të gjejë derën e duhur që të mos i mbyllet e veta.

Ku një familje mëson se ligji është një gjë në letër dhe krejt tjetër kur përballet me zyrën, drejtorin, partinë apo të fortin.

Ky nuk është thjesht problem i një qeverie.

Është mënyra si pushteti shqiptar është mësuar ta shohë njeriun.

Dhe pikërisht kjo duhet të marrë fund.

Pas Edi Ramës nuk dua një pushtet tjetër që trashëgon të njëjtën të drejtë të pashkruar për të sunduar mbi qytetarin, një administratë që ndërron teserën, por vazhdon të kërkojë bindje, një drejtësi ku ndryshon i favorizuari, një ekonomi ku ndryshojnë njerëzit pranë qeverisë, ndërsa sipërmarrësi vazhdon të pyesë se kë duhet të njohë.

Dhe nuk dua një opozitë që lufton arbitraritetin vetëm derisa t’i vijë radha ta ushtrojë vetë.

Dua një Republikë ku pushteti të ketë kufij edhe kur qeverisin njerëzit që unë mbështes.

Kjo është prova.

Sepse demokracia nuk ndërtohet duke shpresuar se në krye do të jetë gjithmonë dikush që nuk abuzon me pushtetin.

Ndërtohet duke ia kufizuar pushtetin kujtdo që vjen, që as qëllimi i mirë, as shumica, as emri, as partia të mos i japin askujt të drejtën të bëjë me qytetarin çfarë të dojë.

Prandaj pyetja ime nuk është vetëm:

Kush vjen pas Ramës?

Pyetja që do të përcaktojë Shqipërinë e ardhshme është shumë më e rëndë:

Çfarë nuk do t’i lejohet më pushtetit t’i bëjë njeriut, kushdo që të vijë pas tij?

Për mua, Rinisja fillon këtu.

Jo te fotografia e re në zyrën e vjetër.

Te qytetari që, përballë kujtdo që ulet në atë zyrë, nuk ka më pse të ulë kokën.

Address

Pallati I Turkeshëve, Tek Kryqëzimi I Rruga Qemal Stafa Me, Rruga Derhemi
Tiranë
1001

Alerts

Be the first to know and let us send you an email when LRE - Rinisja posts news and promotions. Your email address will not be used for any other purpose, and you can unsubscribe at any time.

Shortcuts

Share