06/23/2026
Sot grupi ynë pati një ditë të qetë, me momente të hidhura dhe të ëmbla. Mes shumë festimeve e gëzimeve, kemi edhe anëtare që janë ndarë nga jeta, por jo nga zemrat dhe mendjet tona. Ato vazhdojnë të jetojnë mes kujtimeve, dashurisë dhe çasteve që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme tek ne.
E tillë ishte edhe dita e sotme.
Si neser, 10 vite më parë, u nda nga jeta Xhemile Vokshi, në një aksident tragjik që mori edhe jetën e vajzës së saj dhe mbesës 5-vjeçare. Pas la bashkëshortin, djalin dhe vajzën tjetër, Blertën me djalin e vogël. Këta të fundit ishin gjithashtu pjesë e atij aksidenti, por fatmirësisht i mbijetuan.
Blertën e njoha pikërisht në ato ditë, në një gjendje shumë të rëndë, si fizikisht ashtu edhe emocionalisht. E si mund të ishte ndryshe? Kisha dëgjuar shpesh se humori përdoret si një mekanizëm mbrojtës, jo për të larguar dhimbjen, por për ta mbajtur atë të fshehur. Këtë e pashë te Blerta, në ato ditë dhe në vitet që pasuan. Sa herë e takoja mes shoqesh, ajo ishte më e qeshura, më e zhurmshmja dhe më pozitivja. Por, nëse shikoje thellë ne sytë e saj, ishte e dukshme dhimbja
Nuk kishim aq afërsi sa t’i kërkoja të më hapej, por një ditë vendosa ta ftoja në grupin që sapo kisha marrë përsipër të drejtoja, grup që mban emrin e mamasë sime. Unë gjeta shërim mes këtyre grave dhe e dija se edhe Blertës do ti bënte shumë miré takimi me to.
Ajo erdhi, u takua, qau dhe qeshi mes tyre. Nuk vinte shpesh, por u bë pjesë e jona.
Në një nga aktivitetet e grupit, dikush e prezantoi me një nga zonjat. Atëherë Blerta ndau një sekret të vogël, por shumë të rëndësishëm me mua:
“Nuk dua të njihem dhe të mbahem mend si vajza e aksidentit.”
Ishte një fjali e thjeshtë, por e fuqishme. Dhe kishte të drejtë.
Nëna e saj ishte një zonjë e rrallë, që fitonte respektin e të gjithëve me qetësinë dhe mençurinë e saj. Motra e Blertës ishte mishërim i sakrificës, përkushtimit dhe mirësisë. Blerta udhëhiqet nga vlerat që ato i lanë trashëgim. Ajo është e fortë, krenare dhe dinjitoze.
Dhe është shumë më tepër se “vajza e aksidentit”.
Ajo është një grua që ka gjetur forcën të vazhdojë përpara kur jeta i mori aq shumë. Një vajzë që nuk reshti së qëndruari pranë të atit. Një nënë që po rrit me dashuri dhe përkushtim djalin e saj të mrekullueshëm. Një shembull force, kurajoje dhe drite për të gjithë.
Sot ne i bëmë një surprizë të vogël për tre engjëjt e saj. Ndërsa ajo i bëri grupit tonë një surprizë shumë më të madhe, në emër të tyre.
Dhe teksa kujtojmë teta Xhemilen, vajzën dhe mbesën e saj, nuk kujtojmë vetëm humbjen. Kujtojmë dashurinë që lanë pas, vlerat që mbollën tek njerëzit e tyre dhe dritën që vazhdon të jetojë përmes atyre që i deshën.
Sepse njerëzit që duam nuk largohen kurrë plotësisht. Ata vazhdojnë të jetojnë në zemrat tona, në kujtimet që na bëjnë të buzëqeshim mes lotëve dhe në dashurinë që koha nuk mund ta zbehë kurrë.
Pushofshin në paqe tre engjëjt e saj. Qoftë kujtimi i tyre i përjetshëm dhe bekim për të gjithë ata që patën fatin t’i njohin.