23/07/2025
Lumturije Bytyqi - Hasani: faleminderit për angazhimin, faleminderit që je pjesë e ekipit fitues!
Lumturije Bytyqi-Hasani nuk do të garojë këtë herë për Asamblenë Komunale, por është pjesë e rëndësishme dhe e pazëvendësueshme e ekipit tim fitues për Komunën e Lipjanit.
Me një përvojë të pasur institucionale që nga viti 2009 si këshilltare komunale, kryetare e Komitetit për Komunitete dhe anëtare e Komitetit për Politikë dhe Financa, si dhe një karrierë të gjatë profesionale në administratën komunale e shëndetësore, Lumturija është mishërim i përkushtimit dhe integritetit në shërbim të qytetarëve.
E diplomuar në Fakultetin Juridik të UP-së në drejtimin Kushtetues-Administrativ, me përgatitje në nivel master dhe e certifikuar me dhjetëra trajnime nga OSBE, MAPL, USAID, NDI dhe organizata të tjera ndërkombëtare, ajo ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në forcimin e rolit të gruas në politikë, përfaqësimin e komuniteteve dhe zhvillimin lokal.
Me njohuri të thella juridike, aftësi të forta menaxheriale dhe administrative, si dhe përvojë konkrete në hartimin e politikave dhe buxhetit komunal, Lumturije Bytyqi-Hasani është një shtyllë e fuqishme e vizionit tonë për një qeverisje të ndershme, gjithëpërfshirëse dhe me rezultate konkrete.
Partia Demokratike e Kosovës ka qenë gjithmonë shtëpi politike e vlerave, e njerëzve profesionistë dhe e grave aktive e të përkushtuara si Lumturije Bytyqi-Hasani. Përmes platformës dhe angazhimeve të saj, PDK ka krijuar hapësirë të denjë për avancimin e grave në pozita vendimmarrëse dhe në përfaqësimin institucional, duke dëshmuar se fuqizimi i gruas është pjesë themelore e vizionit tonë për qeverisje moderne dhe progresive.
Faleminderit për gjithçka ke dhënë deri më sot për Lipjanin. Rrugëtimi ynë i përbashkët vazhdon me plot besim, përgjegjësi dhe vizion.