08/09/2026
Partia Guxo mbajti Kuvendin e II-të të Rregullt Zgjedhor, Faton Peci zgjedhet Kryetar
Partia Guxo ka mbajtur dje Kuvendin e II-të të Rregullt Zgjedhor, në 4-vjetorin e themelimit të saj, ku janë zgjedhur organet e reja drejtuese të partisë për mandatin e ardhshëm katërvjeçar.
Bashkëkryetarja e deritanishme, Donika Gërvalla e propozoi për kryetar të partisë, Faton Pecin duke njoftuar delegatët e Kuvendit për vendimin e saj që të largohet nga udhëheqja e përbashkët e partisë, me qëllim që angazhimin e saj ta përqendrojë plotësisht në përgjegjësitë institucionale dhe në proceset e rëndësishme të reformës në drejtësi.
“Përgjegjësia që kam si Ministre e Drejtësisë kërkon përkushtimin tim maksimal. Siç e dini, para nesh kemi një punë të jashtëzakonshme dhe beteja që nuk mund të zhvillohen përgjysmë. Reforma në drejtësi, lufta kundër korrupsionit, forcimi i shtetit ligjor dhe shumë procese të tjera vendimtare për Republikën e Kosovës kërkojnë çdo ditë energjinë, kohën dhe angazhimin tim të plotë. Dhe për këtë, çdo ditë kam nevojë për mbështetjen dhe përkrahjen tuaj”, u shpreh Donika Gërvalla.
Delegatët e Kuvendit të II-të të Rregullt Zgjedhor, me shumicë absolute të votave, zgjodhën Faton Pecin Kryetar të Partisë Guxo.
Pas zgjedhjes, Kryetari Faton Peci falënderoi delegatët për besimin e dhënë, si dhe Donikën Gërvalla për angazhimin, kontributin dhe rolin e saj të jashtëzakonshëm në themelimin dhe fuqizimin e Partisë Guxo.
Ai vlerësoi gjithashtu kontributin e saj të jashtëzakonshëm institucional dhe politik për Republikën e Kosovës, si dhe angazhimin e vazhdueshëm për forcimin e pozitës së Kosovës brenda dhe jashtë vendit.
Kryetari i Partisë Guxo shprehu vendosmërinë për të vazhduar rrugëtimin politik të partisë dhe partneritetin qeverisës në funksion të fuqizimit të shtetit, forcimit të sigurisë, zhvillimit ekonomik, integrimit të Kosovës në NATO dhe në Bashkimin Evropian, ruajtjes së sovranitetit dhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve.
Gjatë punimeve të Kuvendit u miratua edhe Deklarata Politike, përmes së cilës Partia Guxo riafirmon përkushtimin e saj të palëkundur për një partneritet parimor në shërbim të Kosovës, si shtet sovran, me integritet të plotë dhe të pacenueshëm.
Partia Guxo rikonfirmon vazhdimësinë e synimit të saj parësor për ndërtimin dhe forcimin e shtetit ligjor, barazinë e qytetarëve para ligjit dhe funksionimin e institucioneve demokratike në shërbim të qytetarëve.
Partia Guxo vlerëson se bllokada dyvjeçare në krijimin e institucioneve i ka shkaktuar dëm të madh vendit, si në planin e brendshëm, ashtu edhe në pozicionimin e tij ndërkombëtar. Prandaj, Partia Guxo bën thirrje për respektimin e frymës kushtetuese, e cila kërkon krijimin e institucioneve funksionale dhe përgjegjësi politike ndaj qytetarëve dhe shtetit.
Përderisa partitë politike opozitare vazhdimisht deklarohen për respektimin e Kushtetutës, Partia Guxo konsideron se fryma mbi bazën e së cilës është krijuar, hartuar dhe miratuar Kushtetuta e Republikës së Kosovës kërkon pashmangshëm kompromis, pjesëmarrje, përgjegjësi institucionale dhe respektim të vullnetit të shumicës.
Kuvendi i II-të i Rregullt Zgjedhor zgjodhi gjithashtu edhe Këshillin e Përgjithshëm të Partisë Guxo, duke përmbyllur procesin zgjedhor dhe duke vendosur bazat për organizimin dhe angazhimin politik të partisë në mandatin e ardhshëm.
Partia Guxo vazhdon rrugëtimin e saj me përgjegjësi, vizion dhe vendosmëri për një Kosovë më të fortë, më të sigurt dhe më të zhvilluar.