05/11/2026
🔴 Prej më shumë se 10 orësh vijon puna pa ndërprerje në pallatin e dëmtuar nga shpërthimi në lagjen “Beqir Dardha”.
Ekipet zjarrfikëse, Emergjencat Civile dhe Policia, së bashku me efektivët e Forcave të Armatosura, po vijojnë kërkimet për 69-vjeçarin që dyshohet se ndodhet nën rrënoja.
🚒 Zjarrfikësit e Elbasanit kanë qenë në vendngjarje që në momentet e para, duke ndërhyrë me 5 mjete dhe 25 punonjës. Falë ndërhyrjes së tyre të menjëhershme, u bë i mundur evakuimi i banorëve nga pallati, kryesisht të moshuar dhe fëmijë. Personat që pësuan asfiksi të lehtë morën ndihmën mjekësore dhe tashmë janë pranë familjeve të tyre.
🏠 Për familjet e evakuuara kemi siguruar strehim të përkohshëm në konvikte, ndërsa disa prej tyre janë sistemuar pranë familjarëve të afërt.
Në ditët në vijim, së bashku me të gjitha institucionet përgjegjëse, do të marrim masat e nevojshme për të mbështetur banorët deri në gjetjen e një zgjidhjeje për banesat e tyre.
I sigurojmë të gjitha familjet e prekura se asnjëra prej tyre nuk do të mbetet vetëm përballë kësaj fatkeqësie.
🙏 Mirënjohje dhe respekt për të gjitha ekipet që po punojnë pa u ndalur në këtë situatë të rëndë.