10/09/2026
🐈⬛PËR ADOPTIM OSE STREHIM ME PËRKUJDESJE PËR KOTELEN E BRAKTISUR 2 HERË
“Njëherë në rrugë… dhe herën e dytë në klinikë.”
Sot kjo kotele e vogël u soll në Animal Veterinary Hospital Fier Albania dhe u la në klinikë me premtimin se personi që e solli do të kthehej.
Nuk u kthye.
As për ta marrë.
As për të pyetur si është.
As për të diskutuar një zgjidhje për të.
Kjo është një kotele shumë e vogël, e cila nuk mund të kujdeset vetë për veten. Kur erdhi, kishte infeksion në sy, ishte e mbushur me parazitë dhe shumë e papastër.
U vizitua, u mjekua, u pastrua, u ushqye disa herë gjatë ditës dhe iu bë stimulimi/masazhi për jashtëqitjen disa herë. Për gjithë këtë u deshën disa orë kujdes dhe punë, përveç shpenzimeve për trajtimin dhe ushqimin.
Por kjo nuk mbaron këtu.
Një kotele e kësaj moshe kërkon ushqyerje me biberon, pastrim dhe kujdes të vazhdueshëm, praktikisht gjatë gjithë ditës.
Animal Veterinary Hospital Fier nuk është një strukturë 24-orëshe. Aktualisht klinika funksionon me orar të kufizuar dhe nuk mund të ofrojë kujdes të pandërprerë gjatë gjithë natës.
Për më tepër, një klinikë veterinare nuk është ambient ideal për një kotele kaq të vogël për qëndrim afatgjatë, sepse në klinikë trajtohen edhe kafshë me sëmundje infektive. Kjo mund të përbëjë rrezik për kotelet dhe këlyshët e vegjël që ende nuk kanë mbrojtjen e plotë imunitare.
❗ Prandaj tani kemi nevojë për një zgjidhje reale:
❤️ Një familje që ta adoptojë dhe të kujdeset për të, ose
🏠 një person/familje që mund ta strehojë përkohësisht me përkujdesjen e nevojshme, derisa të jetë mjaftueshëm e rritur për një familje përfundimtare.
Unë do të vazhdoj ta ndihmoj nga ana veterinare sa të jetë e nevojshme, por nuk mund të zëvendësoj një familje dhe nuk mund ta mbaj përgjithmonë çdo kafshë të braktisur në klinikë.
Dhe ky rast është edhe një tjetër kujtesë për të gjithë ata që sjellin kafshë në klinikë:
Të sjellësh një kafshë për ndihmë nuk do të thotë ta lësh përgjegjësinë aty.
Animal Veterinary Hospital Fier Albania është biznes veterinar privat, jo strehë e Bashkisë, jo organizatë dhe jo strukturë e financuar për të mbuluar kafshët e braktisura.
Pas derës së klinikës është një mjeke, një staf i kufizuar, kohë, ilaçe, ushqim, materiale dhe shpenzime reale.
Kafshët kanë nevojë për ndihmë, por ndihma duhet të shoqërohet edhe me përgjegjësi.
🐾 Nëse nuk mund ta mbani vetë, të paktën mos e braktisni përsëri. Le të gjejmë bashkë një zgjidhje.
Për këtë kotele, sot kërkojmë një familje. Jo një tjetër derë ku të lihet. ❤️