Nertil Jole

Nertil Jole Contact information, map and directions, contact form, opening hours, services, ratings, photos, videos and announcements from Nertil Jole, Rr. 28 Nëntori, Lagjja Nr.7, Korçë, Korçë.

ASIMETRIA E 12 SHTATORITShqiptarët nga të gjitha trevat shqiptare dolën dje të shumtë në qendër të Prishtinës me moton “...
13/09/2026

ASIMETRIA E 12 SHTATORIT

Shqiptarët nga të gjitha trevat shqiptare dolën dje të shumtë në qendër të Prishtinës me moton “Liria ka emër”, në mbështetje të liderëve të UÇK-së, në prag të vendimit të shumëpritur të Hagës.

Albin Kurti nuk ishte mes tyre. Mungesën absurde të tij u mundua ta kapërcente me një komunikatë partiake, ku thuhej se “12 shtatori ishte marshim kundër atyre që themeluan Gjykatën Speciale”.

Kjo nuk është një sjellje e rastësishme politike. Është modeli i dëmshëm që kërkon t'i imponohet Kosovës. Një model që nuk ka parësor shtetin, por pushtetin.

I njëjti model u shfaq dje, në mënyrën e vet, edhe në Tiranë, në protestën “mbarëkombëtare” të organizuar pikërisht në të njëjtën datë me marshimin e Prishtinës.

Këtu nis paradoksi.

Ndryshe nga Tirana zyrtare, që rolin historik të UÇK-së nuk e ndan nga kontributi i pazëvendësueshëm i udhëheqësve të saj në luftën për liri, Prishtina zyrtare duket se e ka të vështirë të mohojë luftën e UÇK-së, por tenton të injorojë faktorin politik që drejtoi veprimin e saj ushtarak.

Lavdia e saj pranohet si histori. Por jo si histori e gjallë. Jo si trashëgimi me njerëz, emra dhe përgjegjësi që vazhdojnë të ekzistojnë. Sepse kur historia e gjallë rrezikon pushtetin, ajo bëhet e padëshirueshme.

Prandaj, 12 shtatori e ndau Prishtinën dhe Tiranën në dy fotografi. Në njërën anë, ish-komandantët dhe mijëra bashkëkombas të shqetësuar për fatin e tyre në Hagë. Në anën tjetër, komunikata e turpshme e Lëvizjes Vetëvendosje dhe mbërritja e “patriotëve” nga diaspora në Tiranë në po të njëjtën ditë.

Ndaj, duket sikur për Albin Kurtin 12 shtatori kishte më shumë rëndësi për të ardhmen e “Bulevardit të Flamingove”, sesa për marshimin kombëtar që kërkonte mbrojtjen e historisë së lavdishme të UÇK-së dhe rikthimin në Atdhe të udhëheqësve të saj.

Kjo është asimetria e hidhur e 12 shtatorit.

Kur kombi marshon për historinë e tij, politika mund të jetë duke bërë llogaritë e pushtetit të saj.

Me rastin e 5️⃣ vjetorit të prezencës së Agjencisë Franceze të Zhvillimit në Shqipëri (AFD), me ftesë të Ambasadës së Fr...
09/09/2026

Me rastin e 5️⃣ vjetorit të prezencës së Agjencisë Franceze të Zhvillimit në Shqipëri (AFD), me ftesë të Ambasadës së Francës mora pjesë në aktivitetin zyrtar të organizuar, ku i pranishëm ishte edhe Drejtori i Përgjithshëm i Grupit AFD në vizitën e tij të parë në vendin tonë, z.Christophe Lecourtier.

🇦🇱🤝🇫🇷 Bashkëpunimi midis institucioneve të Republikës së Francës dhe atyre shqiptare ka krijuar në Korçë një traditë që zhvillohet gjithmonë e më shumë.

PRANIA BESNIKE NË KORÇËNisma dhe porosia e kryeministrit Rama që përfaqësuesit e Partisë Socialiste në të gjithë territo...
06/09/2026

PRANIA BESNIKE NË KORÇË

Nisma dhe porosia e kryeministrit Rama që përfaqësuesit e Partisë Socialiste në të gjithë territorin të zhvillojnë takime të rregullta javore me komunitetet, është një normalitet që duhet të jetë i detyrueshëm për çdo të zgjedhur apo funksionar publik.
Madje kjo traditë demokratike duhej të kishte qenë normë e zbatuar që në krye të herës, prej vetë atyre.

Edhe pse u udhëzua që këto takime të mos zhvillohen në prani të kamerave, është interesant fakti që në qarkun e Korçës, sikur për të evidentuar pikërisht mungesën sistematike të deritanishme, kamerat fiksuan “praninë besnike” të ndonjë të zgjedhuri që ditën e parë të kësaj nisme.

Në fakt, takimi me qytetarin nuk duhet të shihet si risi politike dhe as si detyrim i imponuar nga lart. Ai është pjesë e vetë funksionit publik.
Të dëgjosh njerëzit, të kuptosh shqetësimet e tyre dhe t’u qëndrosh pranë, nuk është vetëm detyrë e zyrtarit publik, por edhe një nga dimensionet më të vlefshme të këtij shërbimi.

Për mua, përvoja më e bukur e shërbimit publik kanë qenë takimet me qytetarët. Sepse, përtej dëshirës për të zgjidhur problemin apo kërkesën konkrete që sjell secili prej tyre, besoj se pikërisht aty ndërtohet ajo që në politikë është e vështirë të fitohet dhe e lehtë të humbasë - besimi.

Dhe nëse besimi ndërtohet, ai mund të jetë afatgjatë. Nuk i përket vetëm kohës së marrëdhënies zyrtare me qytetarin, por vazhdon edhe përtej saj, sepse nga ajo marrëdhënie në vijim mbetet energjia pozitive dhe respekti i ndërsjellë.

Kujtoj një zotëri në moshë të thyer që më trokiti në zyrë, në një prej takimeve të rregullta të mesjavës. Ishte një burrë i kthjellët dhe me një pamje që nuk ta tregonte moshën.
Më pyeti nëse kisha kohë të mjaftueshme për t’i dëgjuar disa shqetësime.
I thashë: “Patjetër që po”.

Tregimi i tij zgjati rreth 15 minuta. Në fund i premtova se do të angazhohesha për ta ndihmuar.
Por papritmas më dha një përgjigje që më befasoi. Dukej sikur kishte ndryshuar mendim dhe më tha se nuk do të më trokiste më herë tjetër në zyrë.

E pyeta: “Pse?”

M’u përgjigj: “Sepse më dëgjove me shumë vëmendje, duke më parë në sy, dhe kaq më mjafton.”

Doli nga zyra dhe më mbetën gjatë në mendje fjalët e tij.
Nuk është ky ndonjë shembull i jashtëzakonshëm që më jep mua ndonjë meritë të veçantë. Por është një prej atyre momenteve domethënëse që më forcuan bindjen për rëndësinë që ka koha cilësore dhe mënyra se si i dëgjojmë qytetarët, të cilëve kemi detyrimin t’u shërbejmë.

Qytetari nuk kërkon gjithmonë zgjidhje të menjëhershme. Ndonjëherë kërkon të ndiejë se dikush e dëgjoi. Dhe pikërisht aty nis besimi.

Besimi nuk krijohet nga numri i takimeve dhe as nga prania në një sallë. Ai provohet në kohë. Provohet kur kamerat nuk janë aty dhe kur takimi nuk është pjesë e një fushate.
Të zgjedhurit nuk duhet të presin vetëm ditën e caktuar të javës për të dëgjuar qytetarët. Ata duhet të jenë pranë tyre vazhdimisht, jo thjesht për “halle” apo probleme konkrete që qytetarët nuk kanë mundur t’i zgjidhin, ose për të cilat nuk kanë marrë përgjigje.

Komunikimi me qytetarët duhet të shërbejë edhe për një dimension tjetër, po aq të rëndësishëm. Për të diskutuar politikëbërjen dhe vendimmarrjet që prekin drejtpërdrejt jetën dhe të ardhmen e komuniteteve.

Prej muajsh, për shembull, ka një diskutim që ka ngjallur interes për ndryshimet e pritshme që mund të sjellë reforma territoriale. Për qarkun e Korçës, ky debat është përqendruar kryesisht te bashkimi i mundshëm i bashkive Korçë dhe Maliq.

Por diskutimi është reduktuar në aspekte historike dhe emocionale, ndërsa shumë më pak është folur për ekonominë, zhvillimin dhe perspektivën e shërbimeve për të gjithë territorin.

Çuditërisht, vëmendja është përqendruar vetëm te Bashkia e Maliqit. Thuajse asgjë nuk thuhet për Bashkinë e Korçës, e cila është pjesë kryesore e këtij bashkimi të mundshëm. Asnjë prej të zgjedhurve, madje as drejtuesi politik i qarkut, nuk ka shprehur publikisht mendimin apo argumentet pro dhe kundër, që duhen marrë në konsideratë përpara një vendimmarrjeje të tillë.

Ky është një detyrim politik dhe nuk ka nevojë për porosi të veçanta apo për kalendare të përcaktuara nga Kryeministri.
Disproporcioni mes angazhimit për diskutimin e kësaj teme dhe angazhimit për promovimin e suksesit të Ditëve të Birrës, apo të tjera aktivitete të ngjashme, është i papranueshëm.

Ndoshta pikërisht ky është kuptimi i vërtetë i “pranisë besnike”. Të mos jesh pranë qytetarëve vetëm kur jepet porosi, kur e kërkon kalendari apo mandati, por sepse e konsideron atë marrëdhënie një detyrim konstant që vazhdon përtej tyre.

Për të fituar besimin e njerëzve duhet, para së gjithash, të jesh pranë tyre. Jo vetëm fizikisht.
Kur kjo prani nuk varet nga mandatet, kamerat apo porositë, atëherë ajo merr kuptimin e BESËS.

01/09/2026

GJETHET E VJESHTËS DHE INTELIGJENCA ARTIFICIALE

Vjeshta erdhi, por Inteligjenca Artificiale mund të na e sjellë kur të duam në një ekran edhe pa ardhur realisht, përmes imazheve apo videove.

Çdo gjethe që bie, në një mënyrë a në një tjetër, i kthehet tokës dhe ushqen rrënjën. Kështu janë edhe sfidat, lodhjet, përpjekjet dhe vështirësitë e jetës. Ato nuk zhduken, por ushqejnë kohën që vjen.

Pra, asgjë nuk shkon dëm.

As e bukura nuk zbehet. Vetëm ndryshon ngjyrë. Sepse bukuria nuk është vetëm te dielli, te kaltërsia e detit apo te ditët e gjata të verës. Ajo është edhe te ngjyrat e vjeshtës në Voskopojë e Dardhë, te qetësia e natyrës, te ajri i pastër dhe oksigjeni i pishave. Atje nuk ka nevojë për Inteligjencë Artificiale për të krijuar një peizazh. Mjafton natyra.

Vjeshtën do ta quaja edhe si stinën e së vërtetës. Disa pemë i mbajnë gjethet, të tjera i lëshojnë. Por pikërisht kur bien gjethet, bëhet më e dukshme forca e trungut dhe e rrënjëve. Sepse jo çdo pemë që duket e gjelbër është domosdoshmërisht e fortë.

Pas verës, festave dhe pushimeve, vjeshta na kthen te gjërat thelbësore, te mendimi, puna, përpjekja dhe përgjegjësitë. Fëmijët kthehen në shkollë. Studentët hyjnë në auditorë. Njerëzit kthehen në punë. Jeta rifillon ritmin e saj.

Pikërisht këtu lind një nga paradokset e kohës sonë. Ndërsa teknologjia po bëhet gjithnjë e më e aftë të krijojë për ne, ekziston rreziku që ne të bëhemi gjithnjë e më pak të aftë të krijojmë vetë. Të shkruajmë pa ndihmë. Të mendojmë pa udhëzim. Të imagjinojmë pa algoritëm. Të ndiejmë pa filtër.

Edhe politika nuk i shpëton kësaj epoke.
Ajo përpiqet të ruajë kreditet, të fitojë vëmendje dhe të ndikojë te publiku në një hapësirë ku algoritmet tashmë janë bërë pjesë e betejës.

Edhe politika ka nevojë për një vjeshtë të saj, një periudhë kur bien gjethet e tepërta dhe mbetet për t'u parë forca e trungut. Për herë të parë në Shqipëri, duket sikur po ndihet edhe në politikë një lloj ere vjeshte.

Ky është një zhvillim pozitiv në vetvete.

Çdo reflektim është fuqi. Por që njerëzit t'u besojnë reflektimeve, nuk mjafton një imazh, një video apo një tekst i prodhuar shpejt.

Nevojitet e vërteta.

Politika e vjetër pyeste: “Me kë je?”, “Cilës parti i përket?”, “Cilin politikan mbështet?”
Politika e re duhet të pyesë ndryshe:
Çfarë zgjidh? Si e zgjidh? Dhe për kë?

Qytetarët kanë rritur pritshmëritë. Duan më mirë, më shumë dhe më drejt. Dhe kjo është ndoshta shenja më e mirë e një shoqërie që po ndryshon.

Edhe muzika “Autumn Leaves” që luaj në piano, mund të dukej sikur është krijuar sot nga Inteligjenca Artificiale. Por nuk është. Melodia e “Les feuilles mortes”, e njohur në mbarë botën si “Autumn Leaves”, është kompozuar nga Joseph Kosma, shumë kohë përpara se të ekzistonte Inteligjenca Artificiale.

Ndaj, përpara se të projektojmë të ardhmen tonë në aleancë me Inteligjencën Artificiale, të pranojmë fillimisht me përulësi çdo kritikë apo koment për punën dhe sjelljen tonë, pavaresisht se nga vjen apo ku shprehet.

Ky është komunikimi i hapur që kërkohet dhe pritet.

SEZONI I RI POLITIK DHE QYTETARËTNë thelbin e vet politika është aspiratë, vizion dhe marrëdhënie. Për një mazhorancë, d...
26/08/2026

SEZONI I RI POLITIK DHE QYTETARËT

Në thelbin e vet politika është aspiratë, vizion dhe marrëdhënie. Për një mazhorancë, dy të parat marrin trajtën e zbatimit të një programi qeverisës.

Kur gjykojmë apo analizojmë politikën, qeverisja ka pjesën e luanit në detyrimet dhe përgjegjësitë që vetë sistemi prodhon dhe kërkon prej saj. Ndërkohë, nuk mbeten jashtë vëmendjes së shoqërisë, vizione që nuk janë ende në zbatim, apo ato që vijnë si oponencë ndaj qeverisjes.

Kjo bashkëjetesë idesh dhe mbajtja gjallë dhe e pandërprerë e marrëdhënies së qeverisjes me shoqërinë apo grupe të caktuara brenda saj, shëndoshin dhe modernizojnë vetë politikën. Kështu përmirësohet edhe produkti i pritshëm, që është rritja e cilësisë së jetës së qytetarëve.

Shtatori përkon me fillimin e sezonit të ri politik. Parlamenti rihap dyert, qeveria rikthehet në detyrë me angazhim të plotë dhe partitë politike rindezin përpjekjet e tyre për të fituar më shumë besim nga publiku. Për rrjedhojë, edhe televizionet mbushen sërish me debate të zhurmshme.

Politika duket sikur i ngjan një ndeshjeje futbolli. Qytetarët në “tribunë” dhe politikanët në “fushë”.

Mendoj se sezoni i ri politik, në rrethanat e reja social-politike dhe në stadin e paraaderimit në BE ku ndodhet vendi, duhet ta ndryshojë këtë raport. Shqipëria e sotme nuk është më ajo e disa viteve më parë dhe as qytetarët nuk janë më të njëjtë. Ata janë më të informuar, më kërkues e më të vetëdijshëm për atë që duan dhe presin nga politika e shteti.

Rreziku i këtij sezoni të ri politik nuk është përplasja politike mes palëve dhe as mjedisi i polarizuar. Me këtë shqiptarët janë mësuar dhe në një farë mënyre janë imunizuar.
Rreziku është lodhja qytetare.

Kur qytetarët lodhen, ata shkëputen nga politika. Dhe kur ata shkëputen, politika kthehet në një teatër pa publik.

Ka një mundësi reale që ky sezon të mundësojë ndryshime cilësore. Nëse qytetarët ndihen të lodhur për arsye legjitime, ata përsëri mund të mbeten të prirur të besojnë te politika, nëse iu jepen arsye të drejta dhe konkrete për të besuar.

Shqipëria ka shumëçka për të ecur përpara. Ka qytetarët e saj, diellin, detin, historinë e mbi të gjitha, një rini të talentuar që mendon europianisht, që është e lidhur me botën dhe që ka potencialin për të sjellë ide, energji dhe zhvillim.

Kemi shumë arsye për të qenë realistë me rezultatet e arritura, por kemi edhe arsye për të qenë optimistë.

Pavarësisht lodhjes, zhgënjimeve apo skepticizmit, dëshira për një Shqipëri më të mirë mbetet aty. Dhe kjo dëshirë nuk është vetëm përgjegjësi e politikës. Është përgjegjësi e të gjithëve.

Çfarë mund të bëjmë ne bashkë, të gjithë, për vendin dhe për mirëqenien tonë, është ndoshta arsyeja më e bukur për të qenë optimistë.

20/08/2026

Gushti në K♥️rçë 🎶 ... Ilektra Jole Olsa Papandili

DITËT E BIRRËS DHE E ARDHMJA E KORÇËSPër dasmën e Princit Ludvig të Bavarisë me Princeshën Therese të Saksonisë në 12 Te...
17/08/2026

DITËT E BIRRËS DHE E ARDHMJA E KORÇËS

Për dasmën e Princit Ludvig të Bavarisë me Princeshën Therese të Saksonisë në 12 Tetor 1810, qytetarët e Mynihut u ftuan të festonin duke konsumuar birra për nder të çiftit mbretëror në një fushë të madhe jashtë qytetit. Prandaj e quajtën "Festa e Tetorit" ose "Octoberfest". Nga ajo kohë ky aktivitet masiv organizohet çdo vit në Mynih nga mesi i Shtatorit deri të djelën e parë të Tetorit.

Sipas fjalorit të gjuhës shqipe, fjala "Festë" përkufizohet si një ditë e shënuar që kremtohet çdo vit për të përkujtuar ngjarje të rëndësishme në jetën e një populli. Në këtë kuptim, mendoj se festat tona lokale duhet të kenë një pikëtakim me historinë, në mënyrë që ato t'i quajmë "Festa". Për shembull, unë vetë nuk e di se cila ka qenë ngjarja e shënuar apo e rëndësishme që aktivitetin në fshatin Polenë ta quajmë "Festa e Lakrorit". Domethënë, çfarë festohet?!

Ndaj, për të respektuar këtë logjikë, në shkrimin tim do i referohem kësaj ngjarje jo si "Festa e Birrës" por si "Ditët e Birrës".

Ky event përfundoi dje dhe organizohet për të njëzetin vit radhazi në qytetin ku në vitin 1928 u prodhua birra e parë shqiptare me emrin "Korça".
Nuk e di nëse kjo ishte ngjarja më e madhe e këtij lloji në Ballkan, por edhe sikur të ketë qenë sa 0.1% e mesatares vjetore të pjesëmarrjes në "Octoberfest", ajo për qytetin tonë është kthyer tashmë në aktivitetin më të madh argëtues të verës.

Qytetarë të Korçës, rajonit e nga gjithë vendi, por edhe të huaj, mblidhen për të kaluar disa netë argëtuese në Korçë. Kjo lidhet shumë natyrshëm me traditën e hershme korçare të prodhimit e konsumimit të birrës, e cila në këto dy dekada është zhvilluar në formatin e një aktiviteti artistik si pasurim i saj.

Efektet e saj janë padyshim pozitive. Më shumë vizitorë. Më shumë konsum. Më shumë rezervime. Më shumë promovim për qytetin dhe birrën e tij.

Madje, mendoj se do ishte me vlerë publikimi i një pasqyre me përllogaritje të hartuar sipas ndonjë metodologjie të caktuar, për ndikimin që "Ditët e Birrës" i sjellin ekonomisë tonë lokale. Kjo do t'i qartësonte qytetarët akoma më mirë për raportin kosto-përfitim. Nëse këtë informacion e ka organi i Këshillit Bashkiak, pse jo edhe vetë këshilltarët mund të bëjnë transparencë duke i përcjellë qytetarëve që i kanë zgjedhur një informacion.

Risia e këtij viti ishte organizimi i saj jashtë qytetit, te zona e dedikuar si "Poli i Eventeve", një hapësire e re e investuar rishtazi nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit për organizimin e aktiviteteve artistike të përmasave më të mëdha.

Sidoqoftë, paçka se efektet e saj me siguri janë pozitive, është po aq e rëndësishme që banorët e bashkisë Korçë të njohin raportin e këtij aktiviteti me funksione apo shërbime të tjera që kryen apo ofron bashkia dhe peshën që ka në buxhetin e saj, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose jo.

Si do të jenë 20 vitet e ardhshme për Korçën tonë?

Sigurisht përgjigjia nuk është aspak e thjeshtë. Por kam bindjen se konkluzioni i dy dekadave të ardhshme nuk do duhej të ishte ndërtimi i një "Poli të dytë Eventesh", i cili do të jetë gati në Gushtin e vitit 2046 për 40 vjetorin e "Ditëve të Birrës".

Nga ana tjetër, nuk mund të nënvlerësojmë as ndryshimet a pamohueshme që Korça dhe gjithë rajoni ka përjetuar në këto dy dekada. Por njëherazi mendoj se nuk ka më kohë për të humbur, që të gjithë bashkë të rikthejmë seriozisht vëmendjen te punët më prioritare dhe potencialet e pashfrytëzuara.

Janë ende temperatura të larta për të bërë analiza shterruese, por besoj se biem dakort që është më e rëndësishme për ta parë të ardhmen të lidhur me perspektivën e zhvillimit ekonomik, e cila duhet të mbështetet seriozisht te bujqësia, arsimi, industria e përpunimit të produkteve agro-ushqimore, modelet konkurruese të agro-turizmit dhe inovacioni si trend bashkëkohor për krijimin e sipërmarrjeve të reja.

E në fund, por jo për nga rëndësia, edhe te shfrytëzimi sa më maksimal i potencialit më të mirë intelektual, profesional, kulturor, artistik e sportiv të komunitetit tonë të mrekullueshëm.

11/08/2026

MY WAY

Ditët e nxehta të gushtit kanë një qetësi të veçantë, që të fton të ndalesh e të reflektosh. Jo për çfarë ka ikur, por për atë se çfarë do të vijë.

Gjurma e së shkuarës ndikon pjesërisht të ardhmen tonë, por edhe e ardhmja, në njëfarë mënyre, rikthehet dhe ndikon në mënyrën se si e kuptojmë të shkuarën. Jeta është një rrugëtim organik mes këtyre dy kohëve, ku e shkuara na formëson atë që do të bëhemi, ndërsa ajo që bëhemi ndryshon kuptimin që i japim asaj që kemi qenë.

Dhe pikërisht këtu më vjen në mendje “My Way”, kënga e Frank Sinatra-s. Një këngë që duket sikur lind nga fundi i një rrugëtimi, kur njeriu ndalet, kthen kokën pas dhe përpiqet të kuptojë jo vetëm çfarë ka bërë, por edhe mënyrën se si e ka bërë. Mesazhi që kënga përcjell është një përmbledhje e jetës në retrospektivë. Të gjithëve na ndodh të shohim ndonjëherë pas e të themi: “E bëra në mënyrën time” dhe më pas të pyesim: “A ishte mënyra që zgjodhëm më e mira apo më e drejta?”

Kjo pyetje merr një peshë më të madhe kur nuk flasim vetëm për jetën personale, por edhe për politikën. Sepse edhe politika, në fund të fundit, është një rrugëtim që një ditë do të shihet në retrospektivë. Vendimet e marra sot do të gjykohen nga ajo që do të sjellin nesër, ndërsa mënyra se si ushtrohet pushteti sot, mbetet pjesë e gjurmës që lëmë në shoqëri.
Politika është një fuqi e dhënë nga njerëzit për njerëzit. Për mua, ajo mbetet mishërim i vullnetit dhe vizionit për të mirën dhe progresin e përbashkët.

Për çdo vendim, një ditë do të vijë momenti i retrospektivës. Dhe atëherë nuk do të mjaftojë të themi se e bëmë “në mënyrën tonë”. Do të duhet të pyesim nëse ajo mënyrë ishte e duhura për njerëzit dhe për të ardhmen e tyre.
Mund të mos jetë pyetja që çdo politikan ia bën vetes, por është një pyetje, nga e cila asnjëri nuk duhet të shmanget.

Prandaj, “My Way” nuk është vetëm një reflektim mbi rrugën që kemi bërë, por edhe një kujtesë për përgjegjësinë ndaj rrugës që po ndërtojmë.

Sepse ajo që vjen, është thjesht pasqyra e asaj që bëjmë sot.

PORTOFINO DHE TURIZMI YNËPortofino është një prej simboleve të "dolce vita-s" në Rivierën Italiane. Dikur ka qenë thjesh...
08/08/2026

PORTOFINO DHE TURIZMI YNË

Portofino është një prej simboleve të "dolce vita-s" në Rivierën Italiane. Dikur ka qenë thjesht një fshat i vjetër peshkatarësh me afro 400 banorë. Rreth 100 mijë turistë e vizitojnë atë vetëm në verë, mes të cilëve artistë, aktorë, muzikantë dhe njerëz të famshëm nga e gjithë Bota, të cilët e kanë promovuar duke e bërë shumë të dëgjuar.

Fshati është sot i rrethuar nga ndërtesa shumëngjyrëshe me fasada elegante, restorante, kafe, butikë, galeri arti, dyqane suvenirësh dhe superjahte të vendosura rreth një gjiri fare të vogël në detin Ligur.
Nuk besoj se në total janë më shumë se 50 njësi biznesi.

Më është kthyer gati në "sindromë" dëshira për të parë te vendet e huaja që vizitoj, motive apo elementë të funksionimit që mund të huazohen për shfrytëzimin e zgjuar të potencialit të Shqipërisë në fushën e turizmit.

Jam koshient se krahasimet nuk janë proporcionale dhe kanë kontekste jo të ngjashme. Sidoqoftë, edhe dallimet preferoj t'i vërej si shembuj për të identifikuar pas "perdes së luksit", konceptin dhe vizionin që një habitat tradicional e kthen në formulë fitimprurëse dhe suksesi për realitetet e vogla turistike.

Nuk jam duke thënë se vendi ynë duhet të orientohet me doemos vetëm drejt modeleve të turizmit elitar. Por padyshim duhet të orientohemi drejt investimeve që integrojnë zgjidhje të optimizuara të të bërit turizëm me standarde cilësore.

Nuk na duhet të shpikim, thjesht na duhet t'i marrim shumë seriozisht detyrat. Sidomos, njësitë e vetëqeverisjes vendore duhet ta shohin këtë përpjekje jo si punë rutinë për administrimin e sezonit të radhës apo organizime festash të përsëritura, por si mision për përmirësime të shpejta dhe me standarde.

Shërbimet cilësore publike si pastrimi, rrugët e mirëmbajtura, trotuarët dhe shëtitoret e sistemuara, ndriçimi i zgjedhur, gjelbërimi i kujdesur, transporti publik, fasadat e kuruara, janë punë primare. Estetika është premisa bazë e potencialit për zhvillim. Mendoj se ky duhet të jetë edhe prioritet i programit të Rilindjes Urbane 2.0, për të vijuar me rikualifikime kapilare në të gjithë Rivierën, ashtu si edhe në zona të tjera atraktive të vendit.

Punët e realizuara përgjatë vijës bregdetare, por edhe qyteteve turistike e fshatrave karakteristike, janë realitet i pamohueshëm. Një prej ndërhyrjeve elegante të fundit është Lungomare 4 në segmentin Radhimë-Orikum.
Paralelisht me përpjekjet për formalizimin e pronave, zbatimi i projekteve që ruajnë autenticitetit e kombinuar me modernitetin e kohës, do të nxisnin investime zinxhir të 'brand'-eve të mirënjohura vendase e të huaja.

Është e vërtetë se dora e njeriut ka pasur ndikimin e vet dhe, në jo pak raste edhe shkatërrues. Por asgjë nuk është e pakthyeshme në trajta të funksionalizuara dhe vizualisht estetike, nëse ekziston pasioni dhe vizioni për të menduar përtej sezonit të radhës.

Portofino nuk është ndonjë mrekulli që duhet kopjuar. Është vetëm një nga dëshmitë nëpër Europë, se si një vend i vogël vendos në funksion të së njëjtës ide, historinë, arkitekturën, natyrën, shërbimet dhe investimet, të cilat e kthejnë më pas në një destinacion me famë.

Turizmi nuk duhet matur vetëm me flukset, por edhe me ndjesinë që njerëzit të duan të kthehen. Kjo zakonisht ndodh aty ku e bukura nuk lihet në mëshirë të rastësisë dhe ku çdo copëz e Shqipërisë turistike bëhet pjesë e një historie suksesi.

Kjo është ajo që unë kuptova nga ndalesa në Portofino. Mënyrën se si duhet ta vlerësojmë atë që kemi. Dhe Shqipëria jonë e bekuar nga natyra, ka shumëçka për të vlerësuar.

HËNA E PLOTË DHE PASQYRAMbrëmë nuk më mjaftoi ta sodisja hënën e plotë. Ndjeva dëshirën ta fiksoja edhe në një fotografi...
30/07/2026

HËNA E PLOTË DHE PASQYRA

Mbrëmë nuk më mjaftoi ta sodisja hënën e plotë. Ndjeva dëshirën ta fiksoja edhe në një fotografi me celularin tim.

Hëna e plotë nuk është vetëm një pamje mbresëlënëse në qiell. Ajo ka një shpjegim shkencor, por mbart edhe një simbolikë të pasur kulturore e shpirtërore.

Në aspektin shkencor, hëna e plotë ndodh kur Toka ndodhet midis saj dhe Diellit, duke bërë që ana e Hënës që shohim të jetë plotësisht e ndriçuar nga Dielli. Ky fenomen përsëritet çdo 29.5 ditë.

Në aspektin kulturor, hëna e plotë ka marrë ndër shekuj kuptime dhe simbolika nga më të ndryshmet, sipas traditave e besimeve.

Për disa, hëna e plotë është thjesht një fenomen astronomik që me ndriçimin e saj ngjan me një "abazhur hapësinor".

Për besime të ndryshme, hëna e plotë është një kohë reflektimi, pastrimi shpirtëror dhe ripërtëritje e energjisë, për të parë më qartë të vërtetën, për të lënë pas atë që nuk të shërben më dhe për të qenë mirënjohës për atë që ke arritur.

Vetë hëna nuk është burim drite, por e pasqyron atë. Ndaj ashtu si çdo pasqyrë, edhe ajo na fton të shohim veten.
Për disa, kjo nuk është gjithmonë e lehtë, sidomos në "pasqyrat" e kohëve të fundit.

Unë po e sjell këtë fotografi si një metaforë që nxit për të reflektuar mbi zhvillimet që po kalon Shqipëria, mbi ciklet që mbyllen dhe ato që do të hapen.

Për mua, simbolika më e bukur e hënës së plotë është triumfi i shëndetit mbi sëmundjen, i dashurisë mbi urrejtjen, i së drejtës mbi padrejtësinë, i dritës mbi errësirën, i empatisë mbi xhelozinë, i mirësisë mbi intrigën, i kreativitetit mbi stagnimin, i guximit mbi frikën dhe i së bukurës mbi mungesën e saj.

Por, mbi të gjitha, është bindja se e ardhmja do të jetë veprim mbi mësimet që nxjerrim nga koha që lemë pas.

Address

Rr. 28 Nëntori, Lagjja Nr.7, Korçë
Korçë
7001

Telephone

+35582242953

Website

Alerts

Be the first to know and let us send you an email when Nertil Jole posts news and promotions. Your email address will not be used for any other purpose, and you can unsubscribe at any time.

Shortcuts

Share