26/06/2024
Të presësh që Edi Rama të luftojë korrupsionin është si t’i varësh ujkut mëlçitë në qafë.
Sa herë i plasin skandalet e korrupsionit, si rasti i tmerrshëm i onkologjikut, pushton ekranet duke u përbetuar se tani do të luftojë korrupsionin. E sa herë ndërmerr nisma gjoja kundër korrupsionit, më shumë para vidhen nga xhepat e shqiptarëve.
Përmes propagandës synon të bllokojë drejtësinë, që ajo të mos të trokasë në derën e tij dhe t’u shesë shqiptarëve sapunin për djathë, sikur të gjithë janë të korruptuar veç ai jo.
A ka shqiptar që beson se kur janë kapur me presh në duar zëvendës kryeministri i korruptuar, ministra të korruptuar, kryebashkiak të korruptuar, drejtorët e përgjithshëm të korruptuar, drejtorët e bashkive të korruptuar, të gjithë të korruptuar, vetëm Edi Rama është i pakorruptuar?!
Të gjitha fijet e korrupsionit lidhen pas karrikes së tij, prandaj atij i duhet dëshpërimisht të kontrollojë SPAK, e për këtë përdor aleatët që ndajnë të njëjtin hall me të.
Nëse vërtetë do të ishte për luftë kundër korrupsionit, fillimisht do të plotësonte kërkesat e SPAK, dhe për këtë ka propozimet tona, që me urdhër të tij janë kyçur në sirtaret e Kuvendit.
Me vepra Edi Rama është kampioni i korrupsionit, mbrojtësi më i fuqishëm i aferave korruptive dhe i promovimit të të korruptuarve.
Sot ka një rrugë për të luftuar korrupsionin, të mbështetet dhe fuqizohet SPAK. Të tjerat janë shfaqje elektorale, për të pastruar imazhin e nxirrë nga gjëmat që kanë shpopulluar vendin.
Shqipëria meriton më shumë!