27/08/2026
Akademik Mark Tirta (21.05.1935 – 27.08.2026)
Me dhimbje mësuam për ndarjen nga jeta të Akademik Mark Tirtës, një prej emrave më të rëndësishëm të etnografisë, etnologjisë dhe albanologjisë shqiptare.
I lindur më 21 maj 1935 në Orosh të Mirditës, ai ia kushtoi jetën studimit dhe dokumentimit të kulturës shqiptare. Pas përfundimit të studimeve në Histori-Gjuhësi në Universitetin e Tiranës, nisi punën në arsim dhe më pas iu përkushtua kërkimit shkencor në fushën e etnografisë.
Gjatë dekadave të veprimtarisë së tij, Akademik Tirta udhëtoi në shumë treva shqiptare, duke mbledhur në terren dëshmi të çmuara për traditat, zakonet, besimet, migrimet, mitologjinë, veshjet, të drejtën zakonore, toponiminë dhe shumë aspekte të tjera të jetës e kulturës sonë.
Në vitin 2008 u zgjodh anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ndërsa më vonë mori statusin Akademik Emeritus.
Ai la pas një pasuri të jashtëzakonshme shkencore: mbi 300 punime, mbi 100 kumtesa në veprimtari shkencore kombëtare e ndërkombëtare dhe dhjetëra botime në gjuhë të huaja. Ndër veprat e tij më të njohura janë “Mitologjia ndër shqiptarë”, “Etnologjia e shqiptarëve”, “Migrime të shqiptarëve”, “Etnologjia e përgjithshme” dhe vepra të tjera me vlerë të veçantë për studimin e identitetit dhe trashëgimisë shqiptare.
Mark Tirta nuk ishte vetëm studiues i kulturës shqiptare; ai ishte një nga njerëzit që punoi për ta ruajtur kujtesën e saj për brezat që do të vijnë.
Mirdita dhe gjithë Shqipëria humbin një personalitet të shquar të dijes dhe kulturës kombëtare.
U prehtë në paqe!
Ngushëllime të sinqerta familjes, të afërmve, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij.