14/06/2026
Akademia e Shkencave e Shqipërisë i uron ditëlindjen akademik Arben Merkoçit
Akademik Arben Merkoçi është kërkues shkencor i shquar i nanoshkencës dhe nanoteknologjisë, i cili punon në qendrat më prestigjioze të kërkimit shkencor dhe ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në avancimin e dijes dhe aplikimeve të saj.
Pas mbrojtjes së doktoraturës në vitin 1991 në Universitetin e Tiranës me temën “Elektrodat jon-selektive (ISEs), ai ka zhvilluar një karrierë të pasur si studiues dhe profesor i ftuar në Itali, Spanjë, SHBA dhe vende të tjera, duke u bërë një nga pionierët e biosensorëve të bazuar në nanomateriale dhe teknologjinë “lab-on-a-chip”.
Prej vitit 2006 akad. Arben Merkoçi është drejtor i grupit të Nanobioelektronikës dhe Biosensorëve në Institutin Katalan të Nanoshkencës dhe Nanoteknologjisë në Spanjë.
Është anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë prej vitit 2008, ndërsa në vitin 2023 u zgjodh anëtar i Akademisë së Shkencave të Europës me seli në Bruksel të Belgjikës. Ai është zgjedhur në vitin 2025 përfaqësues i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, si anëtar i Komitetit të Përhershëm për Politikat Shkencore të ALLEA-s (All European Academies), një nga strukturat më të rëndësishme të bashkëpunimit akademik në nivel europian.
Akad. Merkoçi është drejtor dhe koordinator i njësisë së kërkimit shkencor Nanoalb, që e paraqet një rrjet regjional për nanoshkencat dhe naoteknologjinë. Ai është përqendruar në modelimin dhe zbatimin e nanoteknologjisë më të përparuar, duke zhvilluar nanobiosensorë me bazë letre dhe plastike, të cilët integrojnë molekula biologjike (ADN, antitrupa, qeliza, enzima) dhe receptorë të tjerë me mikro- dhe nanostruktura, të aplikueshëm në diagnostikim, monitorim mjedisor dhe siguri.
Ka drejtuar e koordinuar dhjetëra projekte kombëtare në Spanjë dhe në kuadër të projekteve të Bashkimit Europian në FP 7 dhe Horizon 2020 dhe ka shërbyer si anëtar i bordeve të vlerësimit të projekteve të Komunitetit Europian dhe agjencive të tjera ndërkombëtare duke përfshirë SHBA dhe vendet tjera.
Ka publikuar mbi 280 studime shkencore, ka mbikëqyrur rreth 27 doktoratura dhe ka mbajtur mbi 150 ligjërata plenare e fjalime kyçe në vende të ndryshme të botës.
Si redaktor i revistës ndërkombëtare “Biosensors and Bioelectronics” dhe anëtar i bordeve editoriale të revistave prestigjioze si “Electroanalysis dhe Microchimica Acta”, ai ka ndikuar fuqishëm në zhvillimin e fushës. Aktualisht është koordinator i modulit “Nano for Diagnostics” në UAB dhe anëtar i Grupit Akademik të Punës të BIST.
Akad. Merkoçi ka qenë anëtar dhe shpesh kryetar i mbi 30 komisioneve për mbrojtjen e doktoraturës, ka përfituar grante kombëtare e ndërkombëtare dhe ka bashkëpunuar me laboratorë udhëheqës në mbarë botën. Është bashkëthemelues i dy ndërmarrjeve “spin-off”: PaperDrop (nanodiagnostikim) dhe GraphenicaLab (printim elektronik).
Në ditën e tij të lindjes, Akademia e Shkencave e Shqipërisë i uron akademik Arben Merkoçit jetë të gjatë, shëndet dhe suksese të reja.
www.akad.gov.al