Sander Lleshaj

Sander Lleshaj Contact information, map and directions, contact form, opening hours, services, ratings, photos, videos and announcements from Sander Lleshaj, Tirana.

NË SERBI KËMBANAT BIEN PËRSËRINderimet shtetërore që Serbia po i bën kriminelit të luftës Ratko Mladić nuk janë kurrfarë...
04/09/2026

NË SERBI KËMBANAT BIEN PËRSËRI

Nderimet shtetërore që Serbia po i bën kriminelit të luftës Ratko Mladić nuk janë kurrfarë befasie. Ato janë vetëm një tjetër konfirmim i rrugës pa krye në të cilën ky vend vazhdon të ecë me një verbëri të frikshme prej shumë dekadash.

Tolerimi i krimit shtetëror është shndërruar prej kohësh në një kulturë politike, shtetërore dhe shoqërore në Serbi. Dhe kjo nuk është më një çështje që i përket vetëm këtij vendi. Ajo kërkon një vlerësim shumë më serioz nga Bashkimi Europian, nga Shqipëria, nga vendet e rajonit dhe nga e gjithë bashkësia ndërkombëtare.

Ndarja nga e keqja dhe pendesa janë ndër cilësitë më të larta dhe më të domosdoshme morale, për të cilat kanë nevojë jo vetëm individët, por edhe shoqëritë dhe shtetet. Historia e re e Europës na ofron shembuj të fuqishëm se si kombet dhe shtetet janë përballur me krimet e luftës dhe me krimet shtetërore të së kaluarës.

Gjermania e pas Luftës së Dytë Botërore është shembulli më domethënës.

Ajo e pranoi përgjegjësinë shtetërore dhe kombëtare për krimet e tmerrshme të luftës, u përball me të kaluarën e saj, nxori mësime dhe, mbi këtë bazë, arriti të ndërtojë një shoqëri të drejtë, një ekonomi të shëndoshë dhe një shtet të përgjegjshëm në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Gjermania nuk ka hezituar dhe nuk heziton as sot të përsërisë, para vetes dhe para botës, përgjegjësinë e saj për krimet e kryera gjatë Luftës së Dytë Botërore. Përkundrazi, ajo ka bërë që kjo përgjegjësi të jetë pjesë e kujtesës së saj kombëtare: në librat e shkollës, në art e kulturë, në media dhe në të gjithë debatin publik.

Pranimi i krimit, përulja përpara viktimave dhe reflektimi i thellë shoqëror nuk e kanë dobësuar Gjermaninë. Përkundrazi, ato janë bërë një nga themelet morale të suksesit të madh të Gjermanisë së pasluftës.

Krejt ndryshe është historia e Serbisë.

Serbia nuk arriti kurrë të distancohet në mënyrë të sinqertë dhe të plotë nga krimet e kryera gjatë luftërave ballkanike në fund të shekullit të njëzetë. Objektivat që nuk arriti t’i realizojë përmes luftës – ndër të tjera, zotërimin e Kosovës – i ka shndërruar në objektiva të politikës së saj shtetërore dhe, në një masë të caktuar, edhe në pjesë të narrativës kushtetuese të vendit.

Ata që bota i gjykoi dhe i dënoi si kriminelë lufte, Serbia i ngriti në piedestalin e heronjve kombëtarë.

Ratko Mladić është vetëm njëri prej tyre. Ndoshta më i njohuri për mizoritë e tij, por sigurisht jo i vetmi.

Këtu qëndron një nga dallimet më të thella mes Gjermanisë së pasluftës dhe Serbisë së pasluftërave ballkanike: mënyra se si një shoqëri përballet me fajin dhe me krimin e vet.

Filozofi i njohur gjerman Karl Jaspers, duke reflektuar mbi gjëmën gjermane pas Luftës së Dytë Botërore, shkruante se vetëm një komb që e njeh dhe e pranon fajin e tij mund ta kapërcejë rrënimin shpirtëror që shkakton totalitarizmi.

Në analizën e tij, Jaspers dallon disa forma të fajit. Fajin penal, i cili duhet të provohet në mënyrë objektive; fajin politik, që lidhet me veprimet e shtetarëve dhe përgjegjësinë politike; dhe fajin moral, i cili lidhet me parimet themelore të ndërgjegjes dhe mund të rëndojë edhe mbi dikë që zbaton urdhra ushtarakë apo politikë.

Por Jaspers shkon edhe më tej.

Ai dallon një tjetër trajtë faji, një faj që mund të rëndojë mbi një komunitet të tërë edhe në mungesë të akteve individuale kriminale. Ky është “faji metafizik”.

Jaspers e lidh këtë me solidaritetin e thellë mes qenieve njerëzore, me atë ndjenjë që i bën njerëzit bashkëpërgjegjës për padrejtësinë dhe krimin, veçanërisht kur ato kryhen në praninë ose në dijeninë e tyre.

Në këtë kuptim, Jaspers shkruan:

“Nëse unë dështoj që të bëj atë që unë mundem për të parandaluar një krim, unë jam fajtor gjithashtu. Nëse unë isha i pranishëm gjatë një vrasjeje dhe nuk e rrezikova jetën time për ta parandaluar atë, unë ndihem fajtor në një mënyrë jo qartësisht të perceptueshme në terma ligjorë, politikë apo moralë. Fakti që unë jetoj, pasi një gjë e tillë ka ndodhur, rëndon mbi mua si një faj i pashlyeshëm.”

Faji metafizik, ose mungesa e solidaritetit absolut me qenien njerëzore si të tillë, sipas Jaspers, është një kategori që shkon përtej detyrimeve themelore morale.

Dhe pikërisht këtu qëndron një nga meritat më të mëdha të Gjermanisë së pasluftës: ajo arriti ta zbulojë, ta pranojë dhe ta përballojë edhe këtë dimension të fajit. Një faj që nuk trashëgohet si përgjegjësi juridike nga brezi në brez, por që bëhet pjesë e ndërgjegjes historike dhe morale të një shoqërie.

Edhe adoleshentët e sotëm gjermanë, që Luftën e Dytë Botërore e njohin vetëm nga librat dhe imazhet, rriten me vetëdijen për atë që ka ndodhur dhe me përgjegjësinë morale për të mos lejuar që ajo histori të përsëritet.

Kjo është pikërisht ajo që Serbia nuk ka arritur të bëjë.

Për fat të keq të vetë serbëve, të rajonit dhe të Europës, Serbia që pasoi Jugosllavinë pas luftërave ballkanike nuk arriti të kapërcejë krimin e vet. Nuk arriti të dalë përtej tij përmes pranimit, pendesës dhe një reflektimi të thellë kombëtar, për të ndërtuar një të ardhme të re.

Në vend të kësaj, krimi u mbulua me alibi, u relativizua, u mohua dhe, në jo pak raste, u shndërrua në mit.

Serbia mund të ndërtojë alibi dhe artificie për ta mohuar krimin. Mund të përpiqet të rishkruajë historinë dhe të shndërrojë kriminelët në heronj. Por krimet e papranuara nuk zhduken. Përkundrazi, ato mbeten aty, në ndërgjegjen e një shoqërie, dhe vazhdojnë të rëndojnë mbi të.

Mbi të gjitha, mbetet ai që Jaspers e quan faji metafizik: barra morale që bie mbi një shoqëri kur ajo nuk arrin të solidarizohet me viktimën dhe të distancohet nga krimi.

Kjo barrë nuk dëmton vetëm viktimat e së kaluarës. Ajo dëmton edhe vetë Serbinë.

Dhe, për sa kohë ky vend do të vazhdojë të ndjekë udhën pa krye të miteve, të viktimizimit dhe të heronjve të rremë, ai do të mbetet i burgosur i së kaluarës së vet. Një udhë që, në vend të Europës, të çon drejt një mesjete të errët politike dhe morale.

Në kushtet kur Serbia duket e paaftë për t’u vetëndriçuar, mbetet detyrë e Bashkimit Europian dhe e vendeve të tjera demokratike, përfshirë edhe Shqipërinë, që të ndërmarrin hapa më të vendosur për të hapur rrugën e arsyes në këtë vend.

Sepse Serbia është shumë në zemër të Europës për t’u lënë të ecë kuturu në terr.

Ajo që ndodh në Serbi nuk është vetëm një çështje serbe. Mohimi i krimit, glorifikimi i kriminelëve dhe ringjallja e miteve nacionaliste janë rreziqe që mund të prekin drejtpërdrejt paqen dhe stabilitetin e rajonit dhe të vetë Europës.

Europa e ka parë këtë film më parë.

Dhe e di shumë mirë se ku mund të çojë.

Nderimet serbe për Ratko Mladić nuk janë thjesht një akt simbolik. Ato janë një kambanë tjetër alarmi.

Një kambanë që bie për Europën, për rajonin, për Kosovën dhe për Shqipërinë.

Dhe këtë herë, Europa nuk duhet të bëjë sikur nuk e dëgjon.

19/08/2026

Pater Happel Aug 19, 2026 | 9:00 SANDER LLESHAJ Për ditën e Shën Marisë jam i ftuar në Pater Walter Happel në Schalders/Scaleres të Tirolit të Jugut, Itali. Makina ngjitet në shpatin e thiktë alpin të malit, duke lënë poshtë vapën përvëluese të gushtit, e cila ende nuk guxon të pr...

Pjesa e dytë e intervistës tek Gazeta Panorama
11/08/2026

Pjesa e dytë e intervistës tek Gazeta Panorama

Intervista/ “Kufijtë duhet t’i përcaktojnë qytetarët”, ish-ministri Lleshaj kundër hartës së re territoriale: Shqipëria nuk është shpk! Të vendoset me referendum Aug 11, 2026 | 11:01 VALENTINA MADANI/ Reforma e re Territoriale dhe përplasjet për shkrirjen e bashkive po rikthejnë ...

Pjesa e parë e intervistës tek Panorama
10/08/2026

Pjesa e parë e intervistës tek Panorama

INTERVISTA/ Ish-ministri Sandër Lleshaj në krah të protestuesve, mesazh Ramës: Dorëheqja nuk është dramë, koha është pjekur! Balluku? Drejtësia s’ka përse të jetë e varur nga vullneti i dikujt Aug 10, 2026 | 13:32 NGA VALENTINA MADANI/ Ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, mbë...

QARKU I MIRDITËS- Harta e Shqipërisë ka nevojë të shtojë disa emra dhe të fshijë disa të tjerë -1. DUHET TË RIVITALIZOHE...
30/07/2026

QARKU I MIRDITËS
- Harta e Shqipërisë ka nevojë të shtojë disa emra dhe të fshijë disa të tjerë -

1. DUHET TË RIVITALIZOHEN EMRAT E KRAHINAVE TË MËDHA

Të ashtuquajturat reforma, që u ndërmorën pas rënies së komunizmit në Shqipëri, ndër të tjera, përfshinë edhe kaosin me pronësinë mbi tokën si dhe krijimin e një strukture administrative surreale si qarku. Me këtë të dytën u krijua iluzioni se një pjesë e pushtetit zbriti më afër njerzve, por në fakt krejt e kundërta ndodhi. Qarqet mbetën struktura anemike dhe krejt parazitare që vetëm sa punësojnë disa njerëz, ngatërrojnë disa punë dhe mbajnë gjallë iluzionin se edhe Shqipëria është një vend i rajoneve.

Ajo që tani po thirret si reforma administrative dhe territoriale do të duhej që, përpara se të merrej me hartën administrative të bashkive, të trajtonte, më në fund, anomalinë e madhe të qarqeve realisht të munguara të Shqipërisë.

Edhe Shqipëria si shtet, ashtu si edhe vendet e tjera, është krijuar përmes një procesi të gjatë e të ndërlikuar historik. Më së pari janë krijuar fshatrat, qytetet, krahinat, mbi të cilat, më vonë, u krijua edhe vetë Shqipëria. Krahinat e shquara janë më të vjetra se sa vetë shteti i sotëm shqiptar. Mirdita, Labëria, Mallakastra, Malësia e Madhe, Lunxheria, Dukagjini, Dibra, Kolonja, Mati, Myzeqeja, Gora, Luma, Dangëllia, Hasi, Çermenika, Devolli e të tjera krahina kanë qenë ato kolona mbi të cilat është ngritur dhe qëndron Shqipëria. Aty janë ngjizur të gjitha vlerat, traditat, tiparet, gjuha, dialektet, kostumet, kanunet, doket dhe të gjitha ato karakteristika që formojnë profilin e shqiptarit dhe të shtetit të tyre të sotëm.

Përgjatë historisë së tij, shteti shqiptar është përpjekur që të krijojë një profil shumë unitar dhe centralizues. Kjo përpjekje kulmoi gjatë regjimit komunist, i cili tentoi që të shuajë çfardo lloj identiteti kolektiv apo individual. Pasojë e kësaj përpjekjeje rrafshuese ishte jo vetëm shpërbërja e bashkësive fetare tradicionale, por edhe fshirja nga harta administrative e krahinave tradicionale të vendit. Shqipëria mori trajtën e një krijese artificiale, pa ngjyrë dhe pa temperament, ku shqiptarët vetëm sa u tëhuajzuan edhe më shumë me shtetin ku mungonin krahinat e tyre.

Edhe vetë Europa, ku Shqipëria synon prej kohësh të anëtarësohet, është, më së pari, një Europë e rajoneve. Italia, Gjermania, Spanja, Austria, Belgjika dhe të gjitha vendet e tjera të BE janë vende që përbëhen nga rajone. Rajonet janë struktura të fuqishme politike, ekonomike dhe kulturore që përbëjnë shtetin, i cili ushtron vetëm ato funksione që nuk mund të kryhen nga rajonet apo strukturat poshtë tyre.

Nëse Shqipëria ka vërtet qëllim që të reformohet në frymë europiane, do të duhet që në këtë aspekt të ndërmarrë një reformë të mirëfilltë administrative dhe territoriale, e cila do të duhet që më në fund të krijojë rajonet, qarqet apo krahinat. Sigurisht që duhet zgjedhur një emër i përshtatshëm për këtë nivel organizimi shtetëror, i cili sot vetëm sa ekziston i shkruar në kushtetutë në trajtën e qarkut, por që realisht mungon.

Dhe ashtu si vendet e tjera, Shqipëria duhet t’i emërtojë qarqet e saj jo me emra të qyteteve të mëdha, por të krahinave të mëdha historike.

Mjaft e madhe dhe e përjetshme është Roma, por rajoni ku ajo bën pjesë quhet Lazio. Famë në të gjithë botën ka Milano, por pjesë e Lombardisë është. Dhe kështu më tej, emra të tjerë të famshëm si Firence, Venecia, apo Torino, nënrenditen poshtë emrave të rajoneve si Toscana, Veneto apo Piemonte. E njejta logjikë ndjek edhe emërtimet e tjera rajoneve në shumë prej vendeve të tjera europiane.

Do të ishte një rast i mirë për të shpëtuar nga zhdukja emrat e krahinave të mëdha të Shqipërisë, duke i emërtuar qarqet e saj jo me emra qytetesh, por me emrat e tyre.
Shqipërisë do t’i bënin nder edhe qarqe me emra Mirditë, Labëri, Has e Lumë, Myzeqe, Mallakastër e kështu me radhë. Sigurisht që konkretizimi i kësaj nisme do të kërkonte një studim të hollësishëm bazuar në kritere të qarta gjeografike, historike, kulturore, etnografike, gjuhësore, etj., për të cilin nuk nevojiten vite vonesë.

Nga ana tjetër, do të duhej që reforma të mos reduktohej në një fushatë emërtimesh të reja në trajtën e etiketave formale, por të krijonte mbi këtë bazë një nivel të rëndësishëm dhe funksional të pushtetit vendor, me të gjitha atributet e nevojshme. Për këtë do të duhej që të prekej rrënjësisht kushtetuta e vendit, për të krijuar hapësirat e nevojshme për krijimin dhe funksionimin e qarqeve si entitete politike, ekonomike, kulturore dhe shoqerore, ku materializohet realisht pushteti i qytetarëve si dhe pasuria e vërtetë historike, kulturore dhe etnografike e vendit, krejt në pajtim me identitetin shqiptar dhe përvojat më të mira europiane në këtë fushë.

2. POR DISA EMRA DUHEN FSHIRË

Aq sa ka nevojë Shqipëria për të ringjallur emrat legjendarë të pjesëve më vitale të saj, po aq nevojë ka ajo për t’u ndarë me disa toponime në gjuhë të huaj të cilat, prej shumë kohësh, kanë mbijetuar si parazitë pa asnjë lidhje dhe pa asnjë kuptim në shumë pjesë të vendit.

Tashmë që vendi është bërë i arritshëm për shumë vizitorë dhe kur jo pak tabela me emërtime fshatrash apo qytetesh janë shfaqur në anë të rrugëve të tij, ka dalë në pah më dukshëm një realitet disi surreal. Janë jo pak qytete apo fshatra në Shqipëri, ku, për shembull, e vetmja fjalë me origjinë sllave që banorët shqiptojnë pa ia ditur kuptimin është emri i vendbanimit të tyre. Në një vend ku e gjithë mikrotoponimia është krejtësisht shqipe është paradoksale emërtimi i njësive administrative në një gjuhë të huaj.

Indiferenca apo padija e administratave shqiptare përgjatë më shumë se një shekulli histori shtetërore, nuk u kanë dhënë kurrfarë legjitimiteti emërtimeve irrituese, kryesisht sllave të shumë qyteteve apo fshatrave të Shqipërisë. Shqiptarët, që do të lindin sot e nesër në Shqipëri, nuk kanë përse të mbajnë si pjesë të indentitetit personal emërtime sllave të cilave nuk u dijnë madje as kuptimin. Rasti i para disa viteve me Bashkinë Dimal mund të ndiqet kudo për t’u dhënë emrin e duhur të gjitha qyteteve dhe fshatrave të Shqipërisë.

Dhe për këtë nuk ka nevojë as për autorizim dhe as për hezitim. Çdo shtet i emërton vetë njësitë e tij administrative. Ata që hezitojnë për këtë, mbase duhet të sjellin nëpër mend se vende të tjera, madje jo shumë larg nesh, kanë ndërruar edhe emrat e përveçëm të atyre që i kanë bërë shtetas apo që u kanë dhënë leje qëndrimi. Sigurisht që Shqipëria nuk mund të mendojë kurrë për të prekur emrat e përveçëm të cilët janë atribut personal, por ajo duhet që të emërtojë vetë në gjuhën e popullit të saj të gjitha njësitë administrative. Emërtimet e njësive adminisitrative të vendosura nga autoritete të huaja pushtuese përpara shumë shekujve nuk kanë kurrfarë legjitimiteti dhe apo kuptimi. Ato thjesht duhen ndryshuar.

E MIRA APO E KEQJA PUBLIKETë nderuar miq!Po ju ftoj të lexoni një shkrim të pesë viteve më parë, tek i cili për fat të k...
24/06/2026

E MIRA APO E KEQJA PUBLIKE

Të nderuar miq!
Po ju ftoj të lexoni një shkrim të pesë viteve më parë, tek i cili për fat të keq nuk kam asgjë për të hequr.

E MIRA APO E KEQJA PUBLIKE?!

Krimet makabre të ditëve të fundit, që kanë marrë jetë njerzish krejt të pafajshëm për motive të pakonceptueshme për një shoqëri moderne, kanë rikthyer përsëri në qendër të diskutimit temën e pasurisë publike.

Që prej ndryshimit të sistemit politik në fillimin e viteve 90-të, pasuria publike u shpall si e keqja publike dhe u bë objekt i sulmeve të orkestruara politikisht. Kjo mynxyrë ka sjellë pasoja të jashtëzakonshme që Shqipëria nuk i kishte përjetuar as në shekujt e gjatë të robërisë otomane apo të pushtimeve të tjera. Falë sulmit barbar mbi pasurinë publike, shoqëria jonë u varfërua, përça dhe u polarizua në mënyrë ekstreme dhe të padrejtë.

Zaptimi i pasurisë publike krijoi pa të drejtë një shtresë të vogël pasanikësh pa merita, dhe la në varfëri pjesën më të madhe të qytetarëve që i qëndruan besnik moralit shoqëror, ligjit dhe të drejtës. Zaptimi i ligjëruar i pasurisë publike solli edhe shumë viktima njerëzore, duke bërë që në pak vjet numri i tyre të tejkalojë madje edhe numrin e viktimave që shkaktoi diktatura komuniste në Shqipëri. Të gjitha këto devijime të rënda u pagëzuan në mënyrë kriminale si „demokraci“ nga ideatorët dhe ekzekutuesit e tyre politikë.

Velipoja, Shëngjini, Durrësi, Vlora apo Ksamili sot vetëm sa na sjellin edhe një herë përpara syve në mënyrë dramatike përmes krimit një problem themelor të vendit dhe të shoqërisë tonë: keqadministrimin e pasurisë kombëtare apo të pasurisë publike. Ato që po na trondisin sot janë vetëm episodet e radhës të një tragjedie që ka nisur në fillim të viteve 90-të.

Sot kemi mbërritur në një situatë paradoksale, kur zaptues të një pjese të pasurisë publike, që kanë ndërtuar pa leje në bregdet për t’u legjitimuar më vonë në mënyrë absurde me ligj, pretendojnë të zgjerojnë pushtimin edhe mbi atë pak sipërfaqe rudimentare rëre që ka mbetur ende si pronë publike dhe me siguri që, sipas këtij precedenti të „suksesshëm“ kriminal, nesër nuk do të ngurrojnë të paraqesin pretendime edhe mbi sipërfaqen ujore të vendit. Kjo situatë, krejtësisht e padrejtë, nuk mund të ketë rezultat tjetër përveç varfërisë, konfliktit, polarizimit, korrupsionit dhe krimit.

A ka dalje nga ky rreth i rrezikshëm vicioz?

Sigurisht që ka përherë një zgjidhje, atëherë kur ka edhe një vullnet për këtë.

Dhe zgjidhja është e thjeshtë. Duhet të ndalohet me ligj çfardo mënyre e tjetërsimit të përkohëshëm apo të përhershëm të pronës publike pa interes publik, pa shpërblim dhe pa konkurrencë.

Prona publike u përket gjithë qytetarëve dhe prej saj askush nuk duhet lejuar të nxjerrë përfitime individuale. Për t’u kthyer tek historia e turpshme e vijës bregetare: përderisa plazhet e vendit janë me ligj pronë publike, edhe përfitimet që gjenerohen nga shfrytëzimi i tyre duhet të shkojnë në arkën publike. Në fakt, sot ato shkojnë në xhepa privatë, duke prodhuar ato që u thanë më sipër.

Absurdi ka pak a shumë këtë pamje: pronari, që janë të gjithë qytetarët e vendit, ngarkon një kontraktor, që është nje operator privat, ose sh*tësi, për të adminstruar pasurinë e tij që, në këtë rast, është plazhi. Në vend që të ndodhë gjëja më normale, pra që pronari të marrë fitimet dhe sh*tësi të marrë rrogën, këtu ndodh e pa imagjinueshmja. Pronari, pra publiku merr si rregull asgjë, por jo rrallë edhe krimin mbi shpinë, ndërkohë që sh*tësi merr fitimin e gjeneruar nga prona e huaj!

Cila mund të jetë zgjidhja?

Ka shumë mënyra për të zgjidhur këtë problem, i cili në vendet normale as nuk mund të përfytyrohet si i tillë.

Por ka vetëm një parim mbi të cilin mund të ndërtohen zgjidhjet konkrete.

PËRFITIMET QË GJENEROHEN NGA ADMINISTRIMI I PASURISË PUBLIKE NUK MUND TË SHKOJNË NE XHEPAT E PRIVATËVE, POR VETËM NË BUXHETIN PUBLIK.

Vetëm kur publiku të marrë në dorë administrimin e pasurive të tij, pra kur publiku të bëhet realisht pronar i asetetve të tij, atëherë do të shuhet edhe shpresa e atyre që kërkojnë të uzurpojnë dhe të shfrytëzojnë për interesa private pasurinë publike. Heqja nga qarkullimi e kësaj molle sherri, jo vetëm që do të sigurojë të ardhura aq të domosdoshme për buxhetet publike, por edhe do të reduktojë ndjeshëm potencialin e konfliktit në shoqërinë tonë.

Ndër mënyrat e shumta për të realizuar këtë, mund të ishte edhe dhënia në përdorim e pasurive publike, në rastin konkret e plazheve, kundrejt tarifave shumë herë më të larta dhe patjetër në kushte gare, në mënyrë që biznesin real me plazhet e këtij vendi ta bëjë vetë publiku, ndërkohë që për kontraktuesit të teprojë vetëm një pagë e arsyeshme për punën e kryer apo për shpenzime të tjera të njohura dhe të pranuara nga pronari publik.

Në parim e njejta gjë duhet të ndodhë me të gjithë pasuritë publike si mineralet, hidrokarburet, pyjet, ujrat e shumë të tjera, që fatkeqësisht prej 30 vjetësh vetëm emrin kanë pasuri publike.

Për sa kohë që raporti nuk përmbyset plotësisht, për sa kohë pronari publik mbetet çirak dhe disa individë gëzojnë faktikisht të drejtat e pronarit të pasurisë publike, asgjë e re përpos shkatërrimit mjedisor, prapambetjes ekonomike, korrupsionit dhe krimit nuk mund të pritet.

Nevoja për të vepruar në këtë fushë është urgjente dhe përgjegjësinë për të ndërmarrë hapa të shpejtë, në rast nevoje edhe kushtetues si në shumë praktika të mira ndërkombëtare, e ka Kuvendi i Shqipërisë dhe me tej Qeveria e të gjitha institucionet e tjera qendrore apo vendore.

P.S.
Fotoja është nga një plazh në një vend tjetër perendimor, pa parcela, pronarë, shezlongje, etj..

Vetëm pak fjalë për:- Protestat aktuale- Ukrainën- Abatin e Mirditës
09/06/2026

Vetëm pak fjalë për:
- Protestat aktuale
- Ukrainën
- Abatin e Mirditës

"ADN" nga Ilir Yzeiri, një emision që ka në qendër artin, natyrën d...

Largimi i papritur dhe i parakohshëm nga kjo jetë e oficerit të Gardës së Republikës Flamur Kolmarku është një lajm shum...
07/06/2026

Largimi i papritur dhe i parakohshëm nga kjo jetë e oficerit të Gardës së Republikës Flamur Kolmarku është një lajm shumë i hidhur, që ka prekur të gjithë ata që kanë pasur fatin të njohin këtë njeri të rrallë, prind të përkushtuar, oficer model dhe shqiptar dinjitoz.
Zoti i dhashtë atij jetën e pasosur dhe familjes së tij forcë, durim e vullnet për të përballuar humbjen e për të vijuar jetën.

19/05/2026

Shtatorja e Abat Prend Doçit do të ngrihet në qendër të Rrëshenit pas miratimit të projektit nga Këshilli Bashkiak i Mirditës, ndërsa Unioni Mirdita ka nisur thirrjen për mbështetje financiare nga shqiptarët brenda dhe jashtë vendit.,Lezhe,rreshen,Abat Preng Doci,miredite,Union Mirdita

Kështu po!Duke nderuar Abatin e Mirditës, shqiptarët nderojnë identitetin dhe vlerat e tyre.
19/05/2026

Kështu po!
Duke nderuar Abatin e Mirditës, shqiptarët nderojnë identitetin dhe vlerat e tyre.

Iniciativa e Unionit Mirdita për ngritjen e Shtatores së Abatit të Mirditës Imzot Prend Doçi në shes

Address

Tirana

Website

Alerts

Be the first to know and let us send you an email when Sander Lleshaj posts news and promotions. Your email address will not be used for any other purpose, and you can unsubscribe at any time.

Shortcuts

Share