Ilirjan Celibashi

Ilirjan Celibashi KQZ - Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve në Shqipëri
CEC - Albanian State Elections Commissioner www.kqz.gov.al

Qëndrimi dhe fjala e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve tek Tryeza Teknike - Parandalimi dhe Reagimi ndaj Keqpërdorimi...
29/07/2026

Qëndrimi dhe fjala e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve tek Tryeza Teknike - Parandalimi dhe Reagimi ndaj Keqpërdorimit të Burimeve Administrative në Proceset Zgjedhore.

1. Çështja e sjelljes së institucioneve dhe funksionarëve publikë në zgjedhje dhe ajo e parandalimit të keqpërdorimit të aseteve publike përbën një nga aspektet më të rëndësishme të reformës së ardhëshme zgjedhore.

Me siguri që edhe për opozitën kjo është çështja më e rëndësishme që duhet adresuar në këtë reformë.
Integriteti i zgjedhjeve nuk matet vetëm nga korrektësia e administrimit të ditës së votimit. Ai përcaktohet më herët, që në momentin kur shteti garanton që konkurrimi politik zhvillohet në kushte reale barazie dhe se institucionet publike mbeten neutrale ndaj garës zgjedhore.

Parimi i ndarjes ndërmjet shtetit dhe partisë që ushtron pushtetin nuk është një zgjedhje politike; ai është një kërkesë e shtetit të së drejtës dhe një kusht për zgjedhje demokratike.
Ky është një standard ndërkombëtar i konsoliduar.

2. Ndryshimet e Kodit Zgjedhor të vitit 2020 krijuan për herë të parë një regjim të posaçëm për monitorimin e veprimtarive publike gjatë periudhës zgjedhore, duke i ngarkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kompetenca të rëndësishme rregullatore dhe mbikëqyrëse.

Nenet 91 dhe 92 të Kodit Zgjedhor përbëjnë bazën ligjore mbi të cilën është ndërtuar i gjithë sistemi aktual i monitorimit të përdorimit të burimeve shtetërore gjatë fushatës zgjedhore.
Në zbatim të këtyre dispozitave, Komisioni Rregullator miratoi Vendimin nr. 9, datë 24 dhjetor 2020, një akt nënligjor me rëndësi të veçantë për administrimin zgjedhor.

Ky akt përcaktoi (i) rregullat për raportimin e veprimtarive me karakter publik, (ii) identifikoi kategoritë e aktiviteteve të ndaluara dhe (iii) vendosi mekanizma monitorimi mbi përdorimin e burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore gjatë periudhës para zgjedhjeve.

Një nga risitë më domethënëse në kuadër të transparencës së veprimtarisë së institucioneve publike ishte krijimi nga KQZ i Ndërfaqes Elektronike të Raportimit për Institucionet Publike (NRI), e cila përbën një instrument të rëndësishëm transparence dhe mbikëqyrjeje.

Për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, në këtë platformë ishin regjistruar 305 institucione publike. Vetëm gjatë periudhës 11 janar–11 maj 2025 u raportuan 4,650 veprimtari publike nga 180 institucione shtetërore. Këto shifra dëshmojnë se mekanizmi i raportimit është konsoliduar si pjesë e administrimit zgjedhor dhe ka krijuar një bazë të rëndësishme të dhënash për monitorimin institucional.

Megjithatë, përvoja e administrimit të zgjedhjeve të viteve të fundit ka treguar gjithashtu kufijtë e këtij modeli.
Raportimi është vërtet një instrument transparence.
Por ai nuk është, në vetvete, një instrument i mjaftueshëm për të garantuar neutralitetin institucional.
Transparenca nuk eliminon automatikisht rrezikun e keqpërdorimit të burimeve administrative.

Përvoja shqiptare, ashtu si edhe praktika ndërkombëtare, tregon se problemi nuk qëndron vetëm tek mungesa e informacionit mbi aktivitetet publike, por më shumë tek mungesa e një kufiri të qartë juridik ndërmjet ushtrimit legjitim të funksioneve shtetërore, - dhe veprimtarisë që prodhon përfitim elektoral për subjektin që ushtron pushtetin.

Sqarimi i këtij kufiri, më së shumti dhe më sëpari, lidhet me nevojën për rregulla më të qarta, më të plota dhe më të zbatueshme.

Dhe kjo jo sepse mekanizmat ekzistues kanë dështuar.
Përkundrazi, sepse përvoja e zbatimit të tyre ka evidentuar qartë se legjislacioni aktual ka arritur kufirin e tij rregullator dhe se faza e ardhshme duhet të jetë konsolidimi i kuadrit rregullator në nivel të vetë Kodit Zgjedhor.

3. Në këtë drejtim, Raporti përfundimtar i ODIHR-it, së bashku me raportet e organizatave vendase për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 përbëjnë një burim të rëndësishëm reflektimi institucional.

Këto raporte evidentojnë se, megjithëse administrimi teknik i zgjedhjeve ka njohur përmirësime të rëndësishme, mbetet shqetësuese përdorimi i avantazhit institucional nga subjekti që ushtron pushtetin, duke krijuar perceptimin e një konkurrence jo plotësisht të barabartë.

Përvoja shqiptare ka nxjerrë në pah një paradoks:
Sot, kemi më shumë transparencë se më parë mbi veprimtarinë publike gjatë periudhës zgjedhore. Institucionet raportojnë aktivitetet e tyre, ekziston një platformë elektronike funksionale, monitorimi është më sistematik dhe publiku ka më shumë informacion mbi aktivitetin institucional.

Megjithatë, rritja e transparencës nuk ka eliminuar shqetësimet mbi ndikimin që veprimtaria institucionale mund të ketë mbi konkurrimin zgjedhor.

Kjo tregon se problemi nuk lidhet vetëm me raportimin, por me vetë rregullimin juridik të sjelljes së institucioneve publike gjatë periudhës zgjedhore.
Nga kjo perspektivë, mendoj se janë të paktën pesë boshllëqe të rëndësishme që duhen adresuar në reformën e ardhshme zgjedhore.

Së pari, Kodi Zgjedhor nuk përmban një përkufizim të plotë të nocionit "burime administrative" ose "burime shtetërore".
Kjo mungesë nuk është thjesht terminologjike.
Ajo krijon pasiguri juridike si për institucionet që duhet të zbatojnë ligjin, ashtu edhe për organin mbikëqyrës që duhet ta interpretojë atë.

Ky nocion duhet të përfshijë:
• fondet publike;
• asetet publike;
• automjetet shtetërore;
• ndërtesat publike;
• personelin e administratës;
• sistemet elektronike të institucioneve;
• bazat shtetërore të të dhënave;
• faqet zyrtare të internetit;
• platformat institucionale në rrjetet sociale;
• fushatat e komunikimit publik;
• aktivitetet ceremoniale;
• programet publike;
• si dhe çdo autoritet institucional që rrjedh nga ushtrimi i funksionit publik.

Një përkufizim i tillë duhet të vendoset drejtpërdrejt në Kodin Zgjedhor dhe jo vetëm në akte nënligjore.
Së dyti, legjislacioni aktual nuk formulon në mënyrë të qartë parimin e neutralitetit institucional.

Kodi Zgjedhor ndalon disa sjellje konkrete, por nuk përmban një normë të përgjithshme që të sanksionojë detyrimin e çdo organi publik për të ushtruar funksionet e tij në mënyrë të paanshme gjatë periudhës zgjedhore.

Kodi duhet të parashikojë shprehimisht parimin e ndarjes ndërmjet shtetit dhe partisë në pushtet, si një standard i administrimit zgjedhor dhe jo si një parim politik
Në shumë vende të OSBE-së, ky është një parim me vlerë kushtetuese ose ligjore.

Mendoj se edhe legjislacioni shqiptar duhet të ecë në këtë drejtim. Një dispozitë e tillë do të shërbente si norma bazë mbi të cilën do të ndërtohej i gjithë sistemi i kontrollit administrativ.
Së treti, legjislacioni aktual nuk përcakton me qartësi kufirin ndërmjet aktivitetit institucional dhe aktivitetit me efekt elektoral.

Ky është ndoshta problemi më kompleks në praktikë.
Administrata publike nuk mund të pezullojë funksionimin e saj gjatë fushatës zgjedhore.
Qeveria duhet të vazhdojë të qeverisë.
Bashkitë duhet të vazhdojnë të ofrojnë shërbime.
Por njëkohësisht, ushtrimi i këtyre funksioneve nuk duhet të shndërrohet në një instrument promovimi elektoral.
Reforma duhet të vendosë kritere objektive për të dalluar aktivitetin administrativ normal nga aktiviteti që krijon përfitim politik.

Për shembull, duhet të përcaktohet shprehimisht se gjatë periudhës zgjedhore nuk lejohen, përveç rasteve të domosdoshme të lidhura me interesin publik ose emergjencat:

• inaugurimet e veprave publike;
• ceremonitë promovuese të investimeve publike;
• aktivitetet publike për prezantimin e projekteve të reja të financuara nga buxheti i shtetit;
• shpallja e skemave të reja të subvencioneve ose granteve;
• shpërndarja ceremoniale e akteve administrative individuale, kur kjo nuk diktohet nga detyrime ligjore ose afate të paevitueshme.

Ndoshta duhet të ketë parashikime që ndalojnë publikimin e veprimtarisë së institucioneve publike gjatë një periudhe të caktuar, përjashto rastin kur ajo ka për qëllim informimin publik për një çështje konkrete. Nuk ka përse të mediatizohen në çdo formë, inspektimet e punimeve të ndryshme publike edhe kur ato janë vërtet thjesht të tilla.

Së katërti, përvoja ka treguar se komunikimi institucional është bërë një nga format më të sofistikuara të përdorimit të burimeve administrative.

Legjislacioni ynë nuk e trajton ende në mënyrë të plotë këtë dimension.
Faqet zyrtare të institucioneve, rrjetet sociale institucionale, fushatat publike të komunikimit, materialet audiovizive të financuara nga fondet publike dhe komunikimi dixhital institucional duhet të jenë objekt i një rregullimi të posaçëm.
Së pesti, përvoja e zbatimit të Vendimit nr. 9 ka treguar se aktet nënligjore mund të plotësojnë boshllëqet e ligjit, por nuk mund t'i zëvendësojnë ato.

Vendimi nr. 9 përfaqëson një nga instrumentet më të rëndësishme të ndërtuara nga KQZ në funksion të integritetit zgjedhor. Megjithatë, për shkak të natyrës së tij si akt nënligjor, ai nuk mund të krijojë kufizime që nuk kanë një bazë të qartë në vetë Kodin Zgjedhor. Kjo është arsyeja pse një pjesë e konsiderueshme e rregullave që sot gjenden në këtë vendim duhet të ngrihen në nivel ligjor, duke u përfshirë drejtpërdrejt në Kodin Zgjedhor.

Në këtë mënyrë do të forcohej siguria juridike, do të zvogëlohej hapësira për interpretime të ndryshme dhe do të konsolidohej baza ligjore mbi të cilën KQZ ushtron kompetencat e saj mbikëqyrëse.

4. Pra ka nevojë për një filozofi të re rregullatore.
Kjo filozofi duhet të mbështetet në tre parime themelore.
Së pari, ligji duhet të jetë i qartë.
Së dyti, kompetencat mbikëqyrëse duhet të jenë efektive.
Së treti, përgjegjësia duhet të jetë reale dhe proporcionale.
Vetëm kombinimi i këtyre tre elementeve mund të garantojë një ndarje të qartë ndërmjet ushtrimit të funksionit publik dhe konkurrimit politik.

Përvoja e zbatimit të Kodit Zgjedhor ka treguar se ai mbështetet kryesisht në ndalime procedurale, ndërsa mungojnë parimet materiale mbi të cilat duhet të ndërtohet sjellja e administratës publike.

5. Forcimi i kompetencave të KQZ-së
Përvoja e administrimit të zgjedhjeve ka treguar se një sistem efektiv mbikëqyrjeje kërkon kompetenca të qarta dhe të plota për organin përgjegjës.
Në këtë drejtim, mendoj se neni 92 i Kodit Zgjedhor duhet të rishikohet në mënyrë të konsiderueshme.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të ketë kompetencë të shprehur ligjore për:
• të kërkuar çdo informacion dhe dokumentacion nga institucionet publike;
• të kryer verifikime administrative dhe inspektime në terren;
• të kërkuar pezullimin e aktiviteteve që paraqesin rrezik serioz për cenimin e barazisë së garës, deri në shqyrtimin përfundimtar të çështjes;
• të bashkëpunuar në mënyrë të institucionalizuar me organet e auditimit, inspektimit dhe kontrollit financiar;
• të publikojë në kohë reale vendimet dhe masat e marra, duke rritur transparencën dhe efektin parandalues të tyre.
Njëkohësisht, duhet të forcohen mekanizmat e bashkëpunimit ndërinstitucional, në mënyrë që administrimi zgjedhor të mos mbajë i vetëm barrën e monitorimit të përdorimit të burimeve shtetërore.

Një sistem më efektiv përgjegjësie

Së fundi, çdo reformë mbetet e paplotë nëse nuk shoqërohet me një sistem efektiv sanksionesh.
Përvoja ndërkombëtare tregon se rregullat kanë efekt vetëm kur shkelja e tyre sjell pasoja reale.

Prandaj, mendoj se është e nevojshme të rishikohet sistemi aktual i përgjegjësisë administrative.
Legjislacioni duhet të parashikojë gjoba më efektive dhe proporcionale, përgjegjësi disiplinore sipas legjislacionit përkatës për nëpunësit dhe funksionarët publikë, si dhe detyrimin që rastet ku ekzistojnë elemente të një vepre penale t'u referohen organeve kompetente të ndjekjes penale.

6. Përfundim
Pikëpamja ime në lidhje me këtë diskutim është ajo se reforma e ardhshme zgjedhore duhet të kalojë nga një sistem që fokusohet kryesisht në monitorimin e aktivitetit publik, drejt një sistemi që vendos rregulla të qarta materiale mbi sjelljen e institucioneve publike gjatë periudhës zgjedhore.

Në këtë proces, roli i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve mbetet thelbësor. Por duhet pranuar me realizëm se KQZ-ja nuk mund të jetë institucioni i vetëm që mban përgjegjësi për mbrojtjen e këtij standardi.

Administrimi zgjedhor mund të garantojë integritetin e procesit vetëm deri në kufijtë që i lejon ligji.
Kur ligji është i paqartë, administrimi nuk mund ta zëvendësojë atë me interpretim.
Kur kompetencat janë të kufizuara, administrimi nuk mund t'i kompensojë ato me vullnet institucional.
Kur përgjegjësia nuk është e përcaktuar qartë, mbikëqyrja mbetet domosdoshmërisht e kufizuar.

Neutraliteti institucional është një përgjegjësi e përbashkët.
Ai fillon tek ligjvënësi, i cili duhet të ndërtojë një kuadër normativ të qartë dhe të plotë.
Vazhdon tek institucionet publike, të cilat duhet të ndërtojnë kultura të brendshme integriteti dhe respektimi të standardeve të paanshmërisë.
Shtrihet tek drejtuesit e administratës publike, të cilët duhet të garantojnë që autoriteti institucional të mos përdoret për interesa elektorale.
Përfshin subjektet politike, të cilat duhet të respektojnë kufirin ndërmjet funksionit shtetëror dhe aktivitetit partiak.
Dhe, natyrisht, përfshin edhe organet e drejtësisë, të cilat duhet të reagojnë në mënyrë efektive kur shkeljet kalojnë kufirin e përgjegjësisë administrative dhe marrin karakter penal.

Vetëm një qasje e tillë gjithëpërfshirëse mund të prodhojë rezultate afatgjata.

28/07/2026
🗳️Sot, shqyrtuam raportin e gjetjeve nga auditimi i fondeve të përfituara dhe shpenzuara nga subjektet zgjedhore pjesëma...
23/07/2026

🗳️Sot, shqyrtuam raportin e gjetjeve nga auditimi i fondeve të përfituara dhe shpenzuara nga subjektet zgjedhore pjesëmarrëse në zgjedhjet për Kuvend, të datës 11 maj 2025.

Vendosëm miratimin e gjetjeve të raportit të auditimit të fondeve të përfituara dhe të shpenzuara nga subjektet zgjedhore pjesëmarrëse në zgjedhjet për Kuvend, të datës 11 Maj 2025 dhe t’i propozojmë Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve marrjen e masës administrative për 13 parti politike si më poshtë vijon:

1. Për mosdorëzim të raportit financiar brenda afatit ligjor, neni 173, pika 3, të Kodit Zgjedhor, marrja e masës administrative me gjobë ndaj:
a) “Partia Bashkimi Liberal Demokrat”, në masën 2.000.000 (dy milionë) lekë;
b) “Partia Rruga e Vërtetë Shqiptare”, në masën 2.000.000 (dy milionë) lekë;
c) “Partia Aleanca Arbnore Kombëtare”, në masën 2.000.000 (dy milionë) lekë;

2. Për dorëzim të raportit financiar jashtë afatit ligjor, neni 173, pika 3, të Kodit Zgjedhor, marrja e masës administrative me gjobë ndaj partive:
a) “Partia Aleanca Demokracia e Re”, në masën 500.000 (pesëqind mijë) lekë;
b) “Partia Aleanca Konservatore për Shqipërinë”, në masën 500.000 (pesëqind mijë) lekë;
c) “Partia Kristian Demokrate”, në masën 500.000 (pesëqind mijë) lekë.

3. Për shkelje të dispozitave ligjore që rregullojnë financimin e fushatës zgjedhore, neni 173, pika 1, të Kodit Zgjedhor, marrja e masës administrative me gjobë ndaj partive:
a) “Partia Balli Kombëtar”, në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë;
b) “Partia Djathtas 1912”, në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë;
c) “Partia Socialdemokrate”, në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë;
d) “Partia Nisma Thurje”, në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë;
e) “Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut”, në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë.

4. Për mosdorëzim të raporteve financiare të kandidatëve, neni 173, pika 3, të Kodit Zgjedhor, marrja e masës administrative me gjobë ndaj partive:

a) “Partia Lëvizja Atdheu”, në masën 500.000 (pesëqind mijë) lekë;
b) “Partia Aleanca Kombëtare Shqiptare”, në masën 500.000 (pesëqind mijë) lekë.

Gjithashtu në seancën e sotme publike miratuam procedurën e verifikimit të nënshkrimeve për referendumet dhe nismat ligjvënëse të zgjedhësve në Republikën e Shqipërisë.

Ky vendim përcakton procedurën administrative që ndiqet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për verifikimin e nënshkrimeve të zgjedhësve të paraqitura në mbështetje të nismave për zhvillimin e referendumeve dhe të nismave ligjvënëse të zgjedhësve.

Miratimi i këtij akti synon krijimin e një procedurë të qartë, të unifikuar dhe transparente për administrimin dhe verifikimin e nënshkrimeve, duke garantuar respektimin e parimeve të ligjshmërisë, paanshmërisë, proporcionalitetit, transparencës, mbrojtjes së të dhënave personale dhe të drejtës për një proces të rregullt administrativ.

Plotësuam edhe vakancën në Këshillin e Bashkisë Peqin, me kandidatin nga lista shumemërore e “Partisë Socialiste të Shqipërisë”, z. Astrit Fadil Kaziu.

23/07/2026

- Seanca publike e ditës së enjte, datë 23 korrik 2026, ora 12:00, me këtë rend dite:
Çështje për shqyrtim rishtaz:
1. Projektvendim “Për procedurën e verifikimit të nënshkrimeve për referendumet dhe nismat ligjvënëse të zgjedhësve në Republikën e Shqipërisë”.
Çështje të mbartura:
1. Projektvendim “Për miratimin e raportit të gjetjeve nga auditimi i fondeve të përfituara dhe shpenzuara nga subjektet zgjedhore pjesëmarrëse në zgjedhjet për Kuvend, të datës 11 maj 2025”.

Seancë publike ditën e enjte, datë 23 korrik 2026, ora 12:00, me këtë rend dite:Çështje për shqyrtim rishtaz:1. Projektv...
23/07/2026

Seancë publike ditën e enjte, datë 23 korrik 2026, ora 12:00, me këtë rend dite:

Çështje për shqyrtim rishtaz:

1. Projektvendim “Për procedurën e verifikimit të nënshkrimeve për referendumet dhe nismat ligjvënëse të zgjedhësve në Republikën e Shqipërisë”.

Çështje të mbartura:

1. Projektvendim “Për miratimin e raportit të gjetjeve nga auditimi i fondeve të përfituara dhe shpenzuara nga subjektet zgjedhore pjesëmarrëse në zgjedhjet për Kuvend, të datës 11 maj 2025”.

📚🗳️ Edukimi Zgjedhor Nis Nga Shkolla! Fuqizojmë Mësuesit, Frymëzojmë Votuesit e Rinj!✅Në 335 shkolla, fiks 2,318 arsimta...
15/07/2026

📚🗳️ Edukimi Zgjedhor Nis Nga Shkolla! Fuqizojmë Mësuesit, Frymëzojmë Votuesit e Rinj!

✅Në 335 shkolla, fiks 2,318 arsimtarë të trajnuar, mbi 20,000 nxënës të përfshirë

Një tjetër hap i rëndësishëm drejt rritjes së ndërgjegjësimit qytetar te votuesit e rinj. Një rrjet prej 2,318 mësuesish të trajnuar pajisen së shpejti me Paketën e Edukimit Zgjedhor.
Ky set materialesh përfshin Manualin e Mësuesit, kalendarin e aktiviteteve jashtëkurrikulare dhe instrumentin e monitorimit të qëndrueshmërisë, pra mjete praktike për të kultivuar vlerat e demokracisë, qytetarinë aktive dhe pjesëmarrjen në shkolla.

Për të siguruar mbarëvajtjen dhe koordinimin e plotë të këtij procesi, janë zhvilluar takime intensive pune midis KQZ Shqiperi, Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar (ASCAP) dhe Agjencisë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar (AKAP).
Rezultatet kryesore të projektit

Kjo risi bazohet mbi arritjet e rëndësishme të projektit "Fuqizimi i Integritetit të Zgjedhjeve në Shqipëri", i cili zbatohet nga Këshilli i Evropës (Council of Europe Office in Tirana) me mbështetjen financiare të Republikës Federale të Gjermanisë:

• Integrimi kurrikular: Edukimi qytetar dhe zgjedhor tashmë është pjesë e integruar e kurrikulave kombëtare.
• Mësues të kualifikuar: 2,318 arsimtarë janë pajisur me njohuri dhe aftësi praktike mbi proceset zgjedhore.
• Nxënës të angazhuar: Mbi 20,000 nxënës në 335 shkolla të mesme në mbarë vendin janë përfshirë në simulime votimi dhe aktivitete të dedikuara të edukimit zgjedhor.

Në mbështetje të këtij rrugëtimi bashkëpunues me Ambasada Gjermane Tiranë.

13/07/2026

Rrugëtimi i Geraldina Priftaj nga një studente në një qytetare aktive është i mbushur me pritshmëri dhe emocion. Sapo ka përfunduar gjimnazin “Qemal Stafa” në Tiranë, Geraldina mezi pret të...

📍 KQZ Shqiperi pjesë e trajnimit ndërkombëtar mbi Inteligjencën Artificiale dhe ZgjedhjetKQZ Shqiperi po merr pjesë në t...
07/07/2026

📍 KQZ Shqiperi pjesë e trajnimit ndërkombëtar mbi Inteligjencën Artificiale dhe Zgjedhjet

KQZ Shqiperi po merr pjesë në trajnimin 5-ditor “Inteligjenca Artificiale (IA) dhe Zgjedhjet”, që po zhvillohet në Nju Delhi, Indi, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të administratave zgjedhore nga vende të ndryshme të botës.

Trajnimi fokusohet në mundësitë dhe sfidat që sjell përdorimi i inteligjencës artificiale në administrimin zgjedhor, duke trajtuar mënyrat se si teknologjitë e reja mund të kontribuojnë në rritjen e efikasitetit, transparencës dhe cilësisë së proceseve zgjedhore.
Inteligjenca artificiale po shndërrohet në një komponent të rëndësishëm të administrimit publik modern.

Megjithatë, në kontekstin zgjedhor, përdorimi i saj duhet të jetë gradual, i përgjegjshëm dhe gjithmonë i shoqëruar me mbikëqyrje njerëzore, në funksion të garantimit të integritetit të procesit dhe forcimit të besimit të publikut.

Pjesëmarrja në këtë trajnim është në përputhje me vizionin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve për të eksploruar mundësitë e përdorimit të inteligjencës artificiale në administrimin zgjedhor, përfshirë pilotimin e saj në procesin e numërimit të votave, si një hap drejt modernizimit dhe përmirësimit të proceseve zgjedhore në Shqipëri.

06/07/2026

📌 Raportimi mbi veprimtarinë e KQZ Shqiperi gjatë vitit 2025 në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, Kuvendi i Shqipërisë.

02/07/2026

📌Dy ditë pune. Një vizion i përbashkët.

Diskutimi institucional i KQZ Shqiperi për planifikimin strategjik 2027–2031 përfundoi me sukses.

Gjatë dy ditëve, drejtuesit dhe stafi teknik i institucionit, së bashku me ekspertë të huaj dhe vendas, ndërtuan bazat e një cikli të ri strategjik që pasqyron mësimet e së kaluarës dhe ambiciet e së ardhmes.

📚Prioritetet e konsoliduara, rekomandimet e strukturuara dhe vizioni i përbashkët institucional do të shndërrohen tani në Planin Strategjik 2027–2031, dokumenti që do të udhëheqë KQZ-në në pesëvjeçarin e ardhshëm.

Falënderojmë Zyrën e Këshillit të Evropës në Tiranë (Council of Europe Office in Tirana) dhe programin SEI të financuar nga Republika Federale e Gjermanisë (Ambasada Gjermane Tiranë) për mbështetjen e pandarë në këtë proces.

Address

Rruga Ibrahim Rugova No. 4
Tirana
1001

Alerts

Be the first to know and let us send you an email when Ilirjan Celibashi posts news and promotions. Your email address will not be used for any other purpose, and you can unsubscribe at any time.

Shortcuts

Share