08/11/2026
📌 Dogana në 1 Javë | Përmbledhje e aktiviteteve kryesore
🔹 Komisioni Evropian, në Raportin 2026 për Shqipërinë, vlerësoi nivelin e mirë të përgatitjes dhe progresin në fushën e Bashkimit Doganor - Kapitulli 29. Vlerësimi evidentoi, ndër të tjera, përafrimin e legjislacionit me acquis të BE-së dhe miratimin e Strategjisë së Teknologjisë së Informacionit për modernizimin e sistemeve doganore.
🔹 Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, vlerësoi se Raporti i Komisionit Evropian për ecurinë e Shqipërisë🇦🇱 drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian🇪🇺 dhe posaçërisht për angazhimin e Administratës Doganore në rrugën e proceset e integrimit është certifikimi i një pune intensive për të gjithë, me detyra e angazhime konkrete, duke nënvizuar se Dogana Shqiptare është në një këmbëngulje të vazhdueshme për të arritur standardet që kërkon BE-ja.
🔹 Në selinë e Qendrës për Zbatimin e Ligjit në Evropën Juglindore (SELEC), në Bukuresht, u zhvillua takimi përmbyllës i Operacionit Rajonal “NELSON”, i fokusuar në luftën kundër lëvizjes së paligjshme të parave të gatshme dhe mallrave me vlerë të lartë. Administrata Doganore Shqiptare, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, mori pjesë aktive në këtë operacion, i cili u zhvillua në dy faza gjatë muajit mars 2026, me përfshirjen e autoriteteve doganore dhe policore të vendeve anëtare të SELEC. Gjatë operacionit u intensifikuan kontrollet në pikat e kalimit kufitar, me qëllim identifikimin e rasteve të mosdeklarimit të parave të gatshme, instrumenteve të negociueshme të prurësit dhe mallrave me vlerë, si dhe parandalimin e flukseve të paligjshme financiare.
🔹 Drejtoria e Përgjithshme e Doganave vijoi kontrollet dhe verifikimet e thelluara përmes strukturave të saj hetimore, në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet homologe dhe ato ndërkombëtare, për goditjen e çdo tentative të evazionit fiskal dhe kontrabandës me mallra. Nëpërmjet shkëmbimit të informacionit dhe verifikimeve zyrtare me Autoritetet Doganore Greke🇬🇷, janë zbuluar dy raste të paligjshmërisë, që lidhen me falsifikimin e dokumenteve për qëllime doganore dhe mospërputhje drastike (rreth 22,5 milionë lekë) midis vlerës reale të mallrave të eksportuara dhe vlerës së deklaruar.
🔹 Në kuadër të ushtrimit të detyrave funksionale dhe bazuar në analizën e riskut, autoritetet doganore pranë Zyrës Doganore Muriqan, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Kufitare Muriqan, bllokuan një pako, që dyshohej se përmbante lëndë narkotike të llojit “kokainë”. Sasia e dyshuar, me peshë rreth 1000 gramë, u sekuestrua në përputhje me procedurat ligjore në fuqi.
🔹 Strukturat e Degës Doganore Durrës, gjatë kontrollit të ushtruar në hyrje të Republikës së Shqipërisë, kanë konstatuar një sasi mallrash të padeklaruara dhe të pashoqëruara me dokumentacionin përkatës, të cilat tejkalonin kufirin e lejuar për përjashtimin nga detyrimet doganore për mallrat në bagazhin personal të udhëtarëve. Për mallrat e konstatuara janë ndjekur procedurat përkatëse, në përputhje me legjislacionin doganor në fuqi.