08/20/2026
Në episodin e radhës të rubrikës “ShqipCan – Shqiptarët munden”, ju prezantojmë me Julinda Bashën, sipërmarrëse dhe një zë aktiv i komunitetit shqiptar në Montreal.
E diplomuar në Fakultetin e Infermierisë në Tiranë, Julinda e nisi rrugëtimin e saj profesional në fushën e shëndetësisë, duke punuar për disa vite në shërbimin e Neurologjisë.
Pas një periudhe emigrimi në Itali, në vitin 2007 ajo u zhvendos së bashku me familjen në Kanada, ku vijoi të ndërtojë karrierën dhe jetën e saj profesionale. Në vitin 2011, iu bashkua Institutit të Kardiologjisë së Montrealit si infermiere, profesion të cilin e ushtroi me përkushtim për më shumë se 12 vjet.
Pas një karriere të gjatë në shërbim të shëndetit dhe kujdesit ndaj të tjerëve, Julinda vendosi të ndërmarrë një sfidë të re, duke hyrë në botën e sipërmarrjes dhe mirëqenies.
Fillimisht, ajo u bë pjesë e kompanisë "Arbonne", e orientuar drejt produkteve me bazë bimore, kujdesit për veten dhe promovimit të një stili të shëndetshëm jetese. Dëshira për ta çuar më tej këtë pasion e frymëzoi më pas të krijonte "Madisons Santé Beauté Spa", duke e shndërruar përvojën e saj shumëvjeçare në kujdesin ndaj njerëzve në një nismë të re sipërmarrëse.
Krahas angazhimit profesional, Julinda Basha ka qenë aktive edhe në jetën e komunitetit shqiptar në Montreal. Që prej vitit 2025, ajo mban detyrën e Kryetares së Shoqatës Kulturore Shqiptare të Montrealit, duke kontribuar në ruajtjen dhe promovimin e gjuhës, traditave, kulturës dhe identitetit shqiptar, si dhe në forcimin e lidhjeve brenda komunitetit shqiptaro-kanadez.
Nga shëndetësia te sipërmarrja dhe angazhimi komunitar, rrugëtimi i znj.Julinda Basha është një histori përkushtimi, iniciative dhe dëshire për të kontribuar tek të tjerët, duke promovuar identitetin dhe kulturën shqiptare në Kanada.