06/09/2026
MARTESAT E HERSHME NUK JANË ZGJEDHJE – PARANDALIMI I TYRE KËRKON VEPRIM TË PËRBASHKËT INSTITUCIONAL DHE SHOQËROR
03.09.2026
📄 Lansohet Raporti i Parë i Progresit 2024–2025 mbi punën për parandalimin dhe raportimin e martesave të hershme në komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian në Republikën e Kosovës
🏛️Zyra për Qeverisje të Mirë/Zyra e Kryeministrit ka prezantuar Raportin e Parë të Progresit 2024–2025 mbi punën e Grupit Ndërinstitucional për Parandalimin dhe Raportimin e Martesave të Hershme në komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian.
Grupi, i themeluar në dhjetor të vitit 2023 me vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ka shërbyer gjatë periudhës raportuese si një platformë për bashkëpunim dhe koordinim ndërmjet institucioneve qendrore e lokale, organizatave të shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë.
✅Raporti evidenton progres në disa fusha të rëndësishme, përfshirë:
• forcimin e koordinimit ndërinstitucional dhe shkëmbimit të informacionit;
• mbështetjen arsimore për nxënësit dhe studentët, përfshirë bursat dhe qendrat mësimore;
• funksionalizimin fillestar të mekanizmave të raportimit;
• realizimin e Hulumtimit Kombëtar mbi martesat e Hershme;
• aktivitetet e ndërgjegjësimit dhe parandalimit; dhe
• ngritjen e kapaciteteve të institucioneve dhe profesionistëve.
🛡️Një nga mekanizmat që ka kontribuar në identifikimin dhe referimin e rasteve është Platforma Kombëtare për Mbrojtje nga Diskriminimi, përmes së cilës janë evidentuar dhe trajtuar raste/situata të ndërlidhura me martesat e hershme gjatë periudhës në fjalë. Rastet janë referuar tek institucionet kompetente, përfshirë Policinë e Kosovës dhe Qendrat për Punë Sociale.
📌 Raporti gjithashtu nënvizon se martesat e hershme nuk mund të trajtohen vetëm përmes ndërhyrjeve ligjore. Varfëria, niveli i ulët i arsimimit, mungesa e mundësive ekonomike, presioni familjar dhe normat sociale e kulturore janë ndër faktorët që lidhen me vazhdimësinë e këtij fenomeni. Prandaj, parandalimi kërkon një qasje të integruar që përfshin arsimin, mbrojtjen sociale, shëndetësinë, drejtësinë, fuqizimin e komuniteteve dhe krijimin e mundësive për vajzat dhe të rinjtë.
📍Raporti nuk dokumenton vetëm progresin e arritur, por identifikon edhe hapat që duhet të ndërmerren më tej. Ndër prioritetet e evidentuara janë forcimi i mekanizmave të raportimit dhe monitorimit, krijimi i një sistemi më të integruar të të dhënave, vazhdimi i mbështetjes për arsimin dhe bursat, forcimi i bashkëpunimit me prindërit dhe komunitetet, si dhe matja më e mirë e ndikimit të ndërhyrjeve.
📎Raportin e gjeni në web faqen: www.raportodiskriminimin.org
ℹ️Ky raport është zhvilluar në kuadër të projektit “Drejtësia Sociale për Romët, Ashkalitë dhe Egjiptianët”, i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe i implementuar nga Terre des hommes, Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve dhe HEKS/EPER.