29/08/2026
🇽🇰Përvoja e Kosovës në dokumentimin e krimeve të luftës u prezantua në Pragë - në kuadër të Shkollës Ndërkombëtare Verore
Në edicionin e 17-të të Shkollës Verore për mësuesit e historisë, shkencave humane dhe shoqërore, kushtuar temës “Evropa Qendrore-Lindore 1939–1989”, Kosova u përfaqësua nga Dr. Atdhe Hetemi, Drejtor Ekzekutiv i Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë.
Me temën “Comprehensive and Interdisciplinary Approaches to War Crimes Documentation”, Dr. Hetemi prezantoi përvojën e Kosovës në dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës, duke theksuar rëndësinë e metodologjive ndërdisiplinore dhe të një dokumentimi të verifikuar, profesional e të qëndrueshëm.
Një dimension i rëndësishëm i ligjëratës ishte lidhja ndërmjet dokumentimit, kujtesës kolektive dhe edukimit, si dhe roli i dëshmive dhe materialeve arkivore të verifikuara në hulumtim, drejtësi dhe mësimdhënien e historisë së afërt dhe të kontestuar.
Shkolla u organizua nga Instituti për Studimin e Regjimeve Totalitare (ÚSTR), në bashkëpunim me European Network Remembrance and Solidarity (ENRS) dhe Muzeun e Kujtesës së Shekullit XX, me pjesëmarrjen e ekspertëve nga vende të ndryshme evropiane 🇽🇰🇨🇿🇸🇰🇵🇱🇭🇺🇺🇦🇷🇴.
Pjesëmarrja e Kosovës u realizua në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm të Ambasadës me institucionet organizatore.
Për Kosovën, kjo është më shumë se një mundësi për të ndarë përvojën tonë. Është një mundësi për të dëshmuar historinë dhe të vërtetën e luftës sonë.