08/06/2026
Blin Ismaili nxënës i gjeneratës 🎓👏
Në kuadër të manifestimit “Vera Kulturore e Çairit 2026”, Komuna e Çairit organizoi ceremoninë e ndarjes së mirënjohjeve dhe vauçerëve për 9 nxënësit e gjeneratës nga nëntë shkollat fillore të komunës.
Duke uruar gjysmëmaturantët për përfundimin e arsimit fillor, Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, i inkurajoi ata të vazhdojnë të ndjekin dijen, të besojnë në aftësitë e tyre dhe të punojnë me përkushtim për realizimin e ëndrrave dhe synimeve të tyre.
Në një atmosferë festive dhe plot emocione, u vlerësuan rezultatet e tyre të shkëlqyera, përkushtimi dhe puna e palodhur gjatë viteve të shkollimit. Krahas nxënësve, mirënjohje iu ndanë edhe drejtorëve të nëntë shkollave fillore, për kontributin e tyre në procesin edukativo-arsimor dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj nxënësve.
Suksesi i tyre është krenari për familjet, shkollat dhe për gjithë Çairin.