17/07/2026
Kur nuk ke guxim ta dënosh influencën dhe dhunën e "Botës Serbe", përfundon duke e mbrojtur atë!
Afrim Gashi nuk zgjodhi të mbrojë dinjitetin e Kuvendit. Zgjodhi të mbrojë “kapadaillëkun” e Ivan Stoilkoviqit, duke u fshehur pas arsyetimit absurd të "mbrojtjes së të dhënave personale" për të mos publikuar pamjet e incidentit.
Është paradoksale që mbrohen "të dhënat personale" të një politikani, ndërsa fshihet një akt që ka ndodhur në një institucion publik, gjatë ushtrimit të funksionit publik.
Afrim Gashi duhet t'i përgjigjet një pyetjeje të thjeshtë: kë po mbron?
Po mbron një deputet të zakonshëm, apo po mbron ambasadorin më të zëshëm të projektit "Bota Serbe" në Maqedoninë e Veriut?
Sepse sa herë relativizohet sjellja e Ivan Stoilkoviqit, i jepet mesazhi se ai është mbi ligjin, mbi institucionet.
Nëse sot mbulon sjelljen e atij që konsiderohet simbol i politikave që kanë cenuar të drejtat e shqiptarëve, atëherë nuk mund të pretendosh se je në mbrojtje të interesit të tyre. Heshtja dhe fshehja, në këtë rast, nuk janë neutralitet. Janë zgjedhje politike.
Sepse nuk është vetëm pyetja pse nuk u publikuan pamjet.
Pyetja më e madhe është: pse u zgjodh të mbrohej ai, e jo dinjiteti i Kuvendit dhe e drejta e qytetarëve për të ditur të vërtetën?