Aleanca për Shqiptarët - Dega Çair

Aleanca për Shqiptarët - Dega Çair Faqja zyrtare e Degës Çair - Aleanca për Shqiptarët

20/08/2026
20/08/2026

25 VJET PAS OHRIT, SHQIPJA ENDE TRAJTOHET SI GJUHË E PADUKSHME

25 vjet pas Marrëveshjes së Ohrit, Ministria e Punëve të Brendshme shpërndan material zyrtar për qytetarët dhe vizitorët vetëm në gjuhën maqedonase.

Në një shtet ku shqiptarët janë popull shtetformues, kjo nuk është rastësi dhe nuk mund të arsyetohet si “lëshim teknik”. Është pasqyrë e mënyrës se si kjo Qeveri e trajton gjuhën shqipe dhe shqiptarët.

Dhe VLEN hesht.

Hesht Izet Mexhiti, i cili prej 25 vitesh është pjesë e pushtetit dhe e qeverive, ndërsa sot, përsëri në Qeveri, nuk arrin të sigurojë as respektimin elementar të gjuhës shqipe në materialet zyrtare të institucioneve ku vetë bashkëqeveris.

Mickoski dhe VMRO-DPMNE po e shtyjnë gjuhën shqipe gjithnjë e më shumë në margjina, ndërsa VLEN-i po u shërben si mbulesë politike.

Për çfarë vlere qeverisëse flasin, kur shqiptarët duhet ende të kërkojnë që gjuha e tyre të shihet në institucionet e shtetit?

25 vjet pas Ohrit nuk duhet të luftojmë përsëri për gjërat që janë garantuar prej kohësh.

VLEN-i është në Qeveri, por gjuha shqipe mbetet jashtë saj.

20/08/2026

E vetmja zgjidhje janë zgjedhjet!

20/08/2026

ASH: TË GATSHËM PËR ZGJEDHJE – DATËN MUND TA CAKTOJMË QË SOT

Aleanca për Shqiptarët është e gatshme për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Pas deklaratës së Kryeministrit se është i gatshëm të shkojë në zgjedhje nëse këtë e kërkon opozita, përgjigjja jonë është e qartë: po, jemi gati!

Jemi të gatshëm që që sot të ulemi dhe ta caktojmë datën e zgjedhjeve. Nuk ka nevojë për taktizime, prolongime apo kalkulime politike.

Qytetarët duhet të kenë mundësinë të japin vlerësimin e tyre për drejtimin në të cilin po ecën vendi dhe për mënyrën se si po qeveriset.

Sa më shpejt të mbahen zgjedhjet, aq më mirë për vendin, për qytetarët dhe për të ardhmen tonë.

Aleanca për Shqiptarët është gati. Le të vendosin qytetarët!

19/08/2026

Nxënësit shqiptar vazhdojnë të privohen nga e drejta për arsim në gjuhën e tyre amtare

Sot duam të ngremë një çështje serioze që prej vitesh mbetet e pazgjidhur dhe që prek drejtpërdrejt të drejtën e fëmijëve shqiptarë në Idrizovë për arsimim në gjuhën amtare.

Në shkollën fillore “Njegosh”, nxënësit shqiptarë mund ta ndjekin mësimin në gjuhën shqipe vetëm deri në klasën e pestë. Nga klasa e gjashtë deri në të nëntën, ata detyrohen të vazhdojnë shkollimin në komuna të tjera vetëm që të mund të mësojnë në gjuhën e tyre.

Është e papranueshme që në vitin 2026 fëmijët shqiptarë të përballen ende me pengesa të tilla.

Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, deklaron se është mirë që fëmijët të mësojnë në gjuhën e tyre amtare. Nëse ky është vërtet qëndrimi i saj dhe i Qeverisë, atëherë presim që të dëshmohet me vepra.

Çfarë i pengon institucionet që në shkollën “Njegosh” të hapin paralele në gjuhën shqipe edhe nga klasa e gjashtë deri në të nëntën?

Përgjegjësi mban edhe VLEN-i, i cili hyri në Qeveri duke premtuar mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve, ndërsa pikërisht në Ministrinë e Arsimit ka zëvendësministër shqiptar.

Për çfarë shërben ky pushtet, nëse nuk mund të sigurohet as e drejta që fëmijët shqiptarë ta përfundojnë arsimin fillor në gjuhën e tyre dhe në vendbanimin e tyre?

Aleanca për Shqiptarët kërkon nga Ministria e Arsimit dhe Qeveria që menjëherë të ndërmarrin procedurat për hapjen e paraleleve në gjuhën shqipe nga klasa e gjashtë deri në të nëntën në Idrizovë.

Fëmijët e Idrizovës nuk kërkojnë privilegje. Kërkojnë një të drejtë që u takon.

18/08/2026

Skandali i manifestimit shtetëror në Kumanovë me asnjë artist shqiptarë, edhe pse shqiptarët përbëjnë 40% e popullsisë

Në koncertin shtetëror të organizuar në Kumanovë me rastin e 35-vjetorit të Pavarësisë, nga 28 artistë që performuan mbrëmë nuk kishte asnjë artist shqiptar pavarësisht faktit se Kumanova është një qytet ku shqiptarët përbëjnë rreth 40 % të popullsisë.Kjo tejkalon çdo kufi të absurdit.

Kjo situatë ngre një pyetje serioze rreth përfaqësimit dhe bashkëqeverisjes, aq më tepër që VLEN aktualisht është pjesë e qeverisë si përfaqësues i shqiptarëve. Një manifestim shtetëror, i cili në thelb duhej të simbolizonte bashkëjetesën dhe shtetin e përbashkët, nuk mund të organizohet duke përjashtuar krejtësisht nga skena shqiptarët, komunitetin e dytë më të madh në këtë shtet multietnik.

Vihet në pikëpyetje edhe ndjeshmëria institucionale e organizatorëve, të cilët duket sikur nuk kanë marrë parasyshë realitetin demografik të qytetit kur kanë përpiluar listën e artistëve pjesëmarrës. Përjashtimi total i artistëve shqiptarë nga një event i një rëndësie të tillë simbolike konsiderohet si shenjë e mungesës së kontaktit me realitetin dhe si dështim në përfaqësim.

Në fund, mesazhi qendror është se pavarësia dhe shteti i përkasin të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie. Shqiptarët nuk duhet të trajtohen si qytetarë të dorës së dytë në manifestime shtetërore, dhe VLEN, si pjesë e kësaj qeverie duhet të japë shpjegime dhe të marrë përgjegjësi për këtë situatë të krijuar.

18/08/2026

QEVERIA I KA LËNË GRATË PA SKRINING FUNKSIONAL PËR KANCERIN E GJIRIT

Derisa në vendet e zhvilluara programet për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit zgjerohen, në Maqedoninë e Veriut gratë përballen me një sistem jofunksional, vonesa dhe pasiguri.

Kur bëhet fjalë për kancerin, çdo muaj i humbur mund të ketë pasoja të rënda. Zbulimi i hershëm rrit ndjeshëm mundësinë për trajtim të suksesshëm, ndërsa institucionet kanë për detyrë ta bëjnë skriningun të qasshëm dhe funksional për çdo grua.

Aleanca për Shqiptarët kërkon që Ministria e Shëndetësisë urgjentisht të sigurojë funksionimin e plotë të skriningut të kancerit të gjirit, termine të rregullta dhe rezultate pa vonesa.

Me shëndetin dhe jetën e grave nuk guxon të luhet. Qeveria duhet të veprojë, jo të heshtë.

17/08/2026

ASH 25 vjet pas Marrëveshjes së Ohrit, e drejta për arsim në gjuhën shqipe nuk mund të vihet në pikëpyetje

Njëzet e pesë vjet pas Marrëveshjes së Ohrit, është e papranueshme që në Maqedoninë e Veriut ende të diskutohet për të drejta që duhej të ishin të pakontestueshme.

Arsimimi në gjuhën amtare është një shtyllë e marrëveshjes dhe nuk mund të relativizohet apo të varet nga vullneti i një qeverie a shumice politike.

Ky përvjetor duhet të shërbejë për të parë sa prej obligimeve janë bërë realitet i përditshëm, e drejta e çdo fëmije shqiptar për t'u arsimuar në gjuhën e vet duhet të vlejë njësoj në çdo komunë dhe shkollë.

Çdo cënim i standardeve të arritura prek drejtpërdrejt frymën e Marrëveshjes dhe marrëdhëniet ndëretnike mbi të cilat mbështetet stabiliteti i vendit.

Pas 25 vitesh, shqiptarët nuk duhet të kërkojnë sërish realizimin e të drejtave të fituara. Institucionet kanë detyrim t'i zbatojnë plotësisht, pa vonesa dhe pa standarde të dyfishta. Marrëveshja e Ohrit duhet të jetojë në institucione dhe në jetën e përditshme, jo vetëm në fjalimet për përvjetorë.

17/08/2026

Aleanca për Shqiptarët shpreh shqetësim të thellë për deklaratat e ministres së Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, e cila në intervistën për MIA relativizon një nga mekanizmat themelorë kushtetues për garantimin e barazisë ndërmjet komuniteteve në vend.

Janevska e përshkruan Badenterin si një “vegël” për mbrojtjen e të drejtave të “bashkësive etnike më të vogla”, ndërsa më pas, duke folur për zbatimin e këtij mekanizmi, i referohet pikërisht partive ku anëtarësohen shumica e shqiptarëve.

Kjo gjuhë dhe kjo qasje janë të papranueshme.

Shqiptarët nuk janë një “bashkësi e vogël” të cilës dikush në Qeveri i bën nder duke ia respektuar të drejtat. Shqiptarët janë popull shtetformues, një nga dy komunitetet më të mëdha në vend dhe faktor kyç në ndërtimin e shtetit dhe të rendit të tij kushtetues.

Edhe më shqetësuese është përpjekja që zbatimi i Badenterit të paraqitet si çështje vlerësimi politik, sikur Qeveria të mund të vendosë kur ky mekanizëm “duhet” dhe kur “nuk duhet” të zbatohet.

Kushtetuta është e qartë. Për ligjet që prekin drejtpërdrejt arsimin parashihet shumica e dyfishtë. Badenteri nuk është pronë e Qeverisë, nuk është privilegj dhe nuk është vegël që përdoret sipas nevojës së shumicës parlamentare. Ai është garanci kushtetuese për të pamundësuar majorizimin.

Prandaj, kërkesa që edhe Ligji për Arsimin e Lartë, Ligji për Veprimtarinë Kërkimore-Shkencore dhe Ligji për Cilësinë në Arsimin e Lartë dhe Shkencë të miratohen duke respektuar këtë parim nuk është “keqpërdorim” dhe as “politizim i arsimit”.

Të kërkosh respektimin e Kushtetutës nuk është keqpërdorim. Të kërkosh Badenterin nuk është politizim. Politizim është përpjekja që një garanci kushtetuese të paraqitet si pengesë vetëm sepse Qeverisë nuk i konvenon politikisht.

Por edhe më domethënëse se deklarata e ministres është heshtja e VLEN-it.

VLEN-i hyri në Qeveri duke pretenduar se do të mbronte interesat dhe pozitën e shqiptarëve. Sot, kur një ministre e kësaj Qeverie flet për “bashkësi më të vogla”, relativizon Badenterin dhe vë në pikëpyetje zbatimin e tij në arsimin e lartë, përfaqësuesit e VLEN-it heshtin.

Kjo heshtje nuk është pafuqishmëri. Është pajtim.

Aleanca për Shqiptarët nuk do të heshtë dhe nuk do të lejojë që mekanizmat e fituar me Marrëveshjen e Ohrit dhe të garantuar me Kushtetutë të zhvlerësohen sipas nevojave ditore të pushtetit.

Badenteri nuk negociohet.
Barazia nuk negociohet.
Të drejtat e shqiptarëve nuk negociohen.

Dhe shqiptarët nuk mund të bëhen “pjesa më e vogël” vetëm sepse VLEN-i ka zgjedhur të jetë i vogël brenda Qeverisë.

14/08/2026

Nga 549 policë të rinj vetëm 40 shqiptar, VLEN
po na kthen prapa me përfaqësimin në MPB

Aleanca për Shqiptarët shpreh shqetësim serioz për të dhënat e bëra publike lidhur me përfaqësimin e shqiptarëve në Ministrinë e Punëve të Brendshme, një nga institucionet ku parimi i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat duhet të zbatohet në mënyrë të plotë dhe të pakontestueshme.

Sipas të dhënave të publikuara, nga 549 policë të rinj të pranuar, më pak se 40 janë shqiptarë, apo rreth 7 për qind. Po ashtu, është bërë publike se nga 30 policë të dekoruar si më të mirët, vetëm një është shqiptar.

Në të njëjtën kohë, MPB më 31 korrik ka njoftuar zyrtarisht se 496 kandidatë kanë përfunduar me sukses trajnimin bazë dhe i janë bashkuar policisë, por pa publikuar strukturën etnike të tyre.

Kjo mospërputhje e shifrave dhe mungesa e të dhënave zyrtare për përkatësinë etnike e bëjnë edhe më të domosdoshme transparencën e menjëhershme të Ministrisë.

Nëse të dhënat e bëra publike nuk janë të sakta, MPB duhet t’i përgënjeshtrojë me fakte. Nëse janë të sakta, atëherë kemi të bëjmë me një prapakthim alarmant të përfaqësimit të shqiptarëve në një nga institucionet më të rëndësishme të shtetit.

Aleanca për Shqiptarët kërkon nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe nga zëvendësministri shqiptar nga radhët e VLEN-it që të publikojnë menjëherë strukturën etnike të pranimeve të fundit në polici, të sqarojnë kriteret e përdorura gjatë përzgjedhjes dhe dekorimeve dhe të garantojnë respektimin konsekuent të parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat në të gjitha nivelet e MPB-së.

VLEN-i nuk mund të heshtë përballë shifrave të tilla. Ata që premtuan dinjitet dhe përfaqësim për shqiptarët sot kanë përgjegjësi institucionale dhe duhet të japin përgjigje se çfarë po ndodh me përfaqësimin e shqiptarëve në polici.

Aleanca për Shqiptarët nuk do të lejojë që përfaqësimi i shqiptarëve në institucionet shtetërore të kthehet prapa. Përfaqësimi i drejtë dhe adekuat nuk është privilegj dhe as favor politik, por parim kushtetues që duhet respektuar.

Address

Bulevard Hristijan Todorovski Karpos
Skopje
1000

Alerts

Be the first to know and let us send you an email when Aleanca për Shqiptarët - Dega Çair posts news and promotions. Your email address will not be used for any other purpose, and you can unsubscribe at any time.

Shortcuts

Share