10/04/2025
DIÇKA PËR NE!
Ashtu siç kishte thënë Ciceroni, se : “Nëse ke një kopsht dhe një bibliotekë, atëherë ke gjithçka që të duhet”, Universiteti “Nënë Tereza” bën përpjekje që të ketë bibliotekën e saj si tempull i diturisë.
Gjithçka filloi në vitin 2018, i cili për UNT-në ka qenë një vit i vështirë konsolidimi i strukturës organizative. Atë vit u themelua Qendra e Botimeve Akademike dhe Sistemit Bibliotekar të Informacionit (QBASBI) pranë UNT-së.
Ja ecuria e aktiviteteve të Bibliotekës:
1) Në vitin 2018 Biblioteka e UNT-së u anëtarësua në rrjetin rajonal të bibliotekave COBISS, e cila na mundëson të afrohemi tek dija, sepse COBISS (Sistemi dhe shërbimet e përbashkëta bibliografike online) është model reference i sistemit që përfaqëson platformën e sistemeve kombëtare bibliotekare të informacionit dhe i sistemeve bibliografike për vlerësimin e rezultateve të veprimtarisë kërkimore në disa shtete, si në: Slloveni, Serbi, Maqedoni, Bosnjë dhe Hercegovinë, Mal të Zi, Bullgari, Kosovë dhe Shqipëri. Numri i bibliotekave në rrjet është 1485, prej tyre Sllovenia kryeson me 932 biblioteka, Serbia me 265, Bosnja dhe Hercegovina me 114, Mali i Zi me 50, Shqipëria me 39, Kosova me 10 dhe Bullgaria me 3 biblioteka, kurse Maqedonia e Veriut përfaqësohet me 72 biblioteka, në mesin e tyre edhe me Bibliotekën Universitare “Nënë Tereza” në Shkup.. Numri i regjistrimeve në bazat lokale të të dhënave në rrjetin COBISS. Net ka kaluar 36 milion.
2) Në vitin 2019, Biblioteka e UNT-së u bë anëtare e plotfuqishme në Shoqatën e Bibliotekistëve të Maqedonisë së Veriut, duke marrë pjesë në Konferencën e 46 Shkencore Ndërkombëtare të Bibliotekistëve, mbajtur në Shtip.
3) Me iniciativën e kësaj qendre u botuan 20 libra akademike me logon e UNT-së, dy revista shkencore me disa numra dhe dy numra të Revistës studentore “UNTstudenti”.
4) U nënshkruan disa Memorandume bashkëpunimi si me NUB “Kliment Ohridski” ku në vitin 2019 u mbajt promovimi i 6 librave shkencorë.
Nga 2020 ky tempull emërohet si Biblioteka Universitare “Nënë Tereza” në Shkup, duke hyrë në një periudhë të re të zhvillimit dhe të përparimit në shumë fusha që kanë të bëjnë me botën e librit.
Ne urojmë rektorët dhe stafin e Bibliotekës, për gjithë punën që kanë bërë deri më tani me shpresë për përmirësime në të ardhmen.
Këtë shkrim e mbarojmë me një thënie të shkrimtarit anrgjentinas Horhe Luis Borhes, i cili kishte thënë: “E kam imagjinuar gjithnjë Parajsën si një lloj biblioteke.”