05/09/2026
Çanak për autoritetet në BeH: “Trupi i pajetë i Mlladiqit në Serbi është dëshmi se Serbia ishte agresore
Keni të drejtë të padisni dhe të kërkoni dëmshpërblim lufte”
Anulimi i vizitës së komisioneres evropiane për zgjerim, Marta Kos, në Serbi, paralajmërimet për përkujtimin dhe varrimin e Ratko Mlladiqit, raportet e Aleksandar Vuçiqit me Bashkimin Evropian dhe Rusinë, zgjedhjet e ardhshme në Serbi, lëvizja studentore, si dhe situata politike në Bosnjë e Hercegovinë, ishin temat e bisedës me Nenad Çanakun, politikanin serb dhe ish-liderin e Lidhjes së Socialdemokratëve të Vojvodinës, i cili foli në emisionin “Dan uživo” në televizionin N1.
Çanak, që në fillim, komentoi ashpër zhvillimet në Serbi dhe rajon lidhur me vdekjen dhe varrimin e paralajmëruar të kriminelit të luftës Ratko Mlladiq, i dënuar me vendim të formës së prerë.
Ai rikujtoi se Mlladiqi është kriminel lufte i dënuar, duke shtuar se narrativi për “popullin gjenocidal” është një shpikje e pushtetit në Beograd.
“Epo, i thatë të gjitha: kriminel lufte i dënuar. Ne këtu kemi pasur një fushatë të çmendur kundër Evropës, me sloganin ‘Serbët nuk janë popull gjenocidal’. Meqë ra fjala, këtë nuk e ka thënë askush ndonjëherë, përveç udhëheqjes së Serbisë. Kjo është një praktikë e vjetër këtu, të luftosh kundër diçkaje që askush nuk e ka thënë. Për shembull: ‘Ne nuk do të lejojmë që Vojvodina të shkëputet nga Serbia’. Askush nuk e ka përmendur ndonjëherë shkëputjen e Vojvodinës nga Serbia. Dhe kështu me radhë. Edhe kjo historia për ‘popullin gjenocidal’ nuk është përmendur kurrë nga askush. Megjithatë, regjimi në Serbi këmbëngul të tregojë, sa më shumë që mundet, se gjoja kjo është e vërtetë”, deklaroi Çanak.
Ai u ndal edhe te qëndrimi zyrtar i Serbisë gjatë dekadave të fundit se nuk kishte marrë pjesë në luftën në Bosnjë e Hercegovinë.
“Ne nuk kemi asnjë lidhje me këtë. Serbia nuk ka marrë pjesë në luftën në Bosnjë e Hercegovinë. Kjo ka qenë mantra për dekada. Tani, papritmas, një kriminel lufte i dënuar për gjenocid po kthehet në Serbi me nderimet më të larta shtetërore, në një vend me të cilin Serbia, zyrtarisht, pretendon se nuk ka pasur asnjë lidhje. Ai do të varroset në Serbi, edhe pse nuk ka lindur këtu, nuk ka luftuar këtu dhe nuk ka bërë asgjë këtu”, tha Çanak.