28/09/2026
Kryetari i Gjykatës Themelore në Ferizaj priti në takim Kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës
Ferizaj, 28 shtator 2026 – Kryetari i Gjykatës Themelore në Ferizaj, Mustaf Tahiri, së bashku me Nënkryetaren e Gjykatës, Kreshnike Zymberi Beqiri si dhe Administratoren e Gjykatës, Vjosa Hasani, pritën në takim Kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Rrustem Thaqi dhe Drejtorin e Sekretariatit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Shkelzen Maliqi.
Takimi kishte për qëllim diskutimin e çështjeve aktuale dhe sfidave me të cilat përballet Gjykata Themelore në Ferizaj, si dhe mundësive për përmirësimin e mëtejmë të funksionimit të saj, me synim ofrimin e shërbimeve sa më efikase, profesionale dhe cilësore për qytetarët dhe palët në procedurë.
Gjatë takimit u diskutua për ngarkesën e punës dhe trajtimin e lëndëve në kuadër të zbatimit të Planit Strategjik për Përmirësimin e Qasjes në Drejtësi 2026/2028, të miratuar nga KGJK,, me fokus në trajtimin e lëndëve të vjetra dhe atyre të kthyera në rishqyrtim. Në këtë drejtim, u bë e ditur se Komisioni për Monitorimin, Vlerësimin dhe raportimin e Planeve Strategjike do të monitoroj zbatimin e planit nga gjykatat.
Krahas diskutimit lidhur me burimet njerëzore dhe menaxhimin e gjykatës, përfshirë nevojën për mbulimin e pozitave të lira në departamentet me ngarkesë të shtuar, të pranishmit diskutuan edhe për transparencën dhe ofrimin e shërbimeve për qytetarët, duke theksuar rëndësinë e publikimit të seancave dhe vendimeve gjyqësore, trajtimit profesional dhe me respekt të palëve, si dhe respektimit të rolit dhe autoritetit të gjyqtarit. Po ashtu, u theksua rëndësia e respektimit të afateve ligjore për përpilimin dhe dorëzimin e aktgjykimeve.
Gjithashtu, mes tjerash është diskutuar edhe rëndësia e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet gjykatës, gjykatave të shkallëve më të larta dhe KGJK-së, me qëllim të adresimit të sfidave dhe avancimit të mëtejmë të efikasitetit dhe cilësisë së shërbimeve gjyqësore.
Kryesuesi Thaqi, shprehu vlerësimin për punën e Gjykatës Themelore në Ferizaj dhe gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit dhe takimeve të përbashkëta, me qëllim të mbështetjes së gjykatës në përmbushjen e përgjegjësive të saj.