17/08/2026
Komuna e Gjakovës dhe drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport shprehin dhimbjen e thellë për ndarjen nga jeta të Zenun Brovinës, një prej figurave më të mëdha të futbollit kosovar dhe krenari e qytetit tonë.
Zenun Brovina, i lindur në Gjakovë, nisi karrierën e tij te Vëllaznimi dhe u bë i pari shqiptar që veshi fanellën e Partizanit të Beogradit. Ai la gjurmë të pashlyeshme edhe te Prishtina si dhe te reprezentacioni i Kosovës duke u shndërruar në kapiten dhe lider të gjeneratës së tij.
Me lojën, karakterin dhe përkushtimin e tij, Brovina u bë simbol i sportit dhe i qytetit të Gjakovës, një emër që do të kujtohet gjithmonë me respekt e krenari.
Në këto çaste të dhimbshme, shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes Brovina, miqve dhe gjithë komunitetit sportiv.
Qoftë i përjetshëm kujtimi për Zenun Brovinën.