01/06/2026
Arsimimi, Edukimi dhe Barazia Gjinore
Arsimimi dhe edukimi i komunitetit Egjiptian në Kosovë është çështje shumë e rendësishme për fuqizimin socio-ekonomik dhe për përmirësimin e pozitës tonë në shoqëri. Procesi i arsimimit ka ndikime të drejtpërdrejta në reduktimin e varfërisë, forcimin e të drejtave njerëzore dhe krijimin e një shoqërie më të drejtë dhe të barabartë.
Për ne Egjiptianët e Kosovës, arsimimi është një nga rrugët më të rëndësishme për të thyer ciklin e varfërisë dhe për të krijuar mundësi më të mira për brezat e rinj. Qasja në arsim cilësor mundëson zhvillimin e aftësive të nevojshme për të hyrë në tregun e punës dhe për të përmirësuar kushtet e jetesës. Edukimi gjithashtu na pajisë secilin prej neve me njohuri dhe vetëbesim për të mbrojtur të drejtat tona.
Për të qenë të barabartë në Kosovë, do të thotë edhe të jemi të arsimuar sikur komunitetet tjera, prandaj përmes arsimimit, ne Egjiptianët e Kosovës kontribuojmë në ndërtimin e një shoqërie më gjithëpërfshirëse dhe harmonike.
Arsimimi i komunitetit Egjiptian është i rëndësishëm edhe për të sfiduar stereotipet dhe paragjykimet që ekzistojnë në shoqërinë tonë. Përmes edukimit, promovohet vetëdijesimi për diversitetin dhe barazinë, që ndihmon në zvogëlimin e diskriminimit dhe në rritjen e respektit të ndërsjellët.
Përfaqësimi i kryetarit të IRDK-së, Elbert Krasniqit, si ministër i parë nga komuniteti Egjiptian, ilustron rëndësinë që ka arsimimi dhe lidershipi për të frymëzuar brezat e rinj dhe për të treguar se arritjet janë të mundshme për të gjithë, pavarësisht prejardhjes etnike. Ky shembull është një dëshmi e fuqisë së arsimimit për të ndryshuar perceptimet dhe për të krijuar mundësi të barabarta.
Një numër i madh i fëmijëve të komunitetit Egjiptian përballen me sfida në qasjen ndaj arsimit, përfshirë braktisjen e hershme të shkollimit. Kjo krijon një barrierë të madhe në mundësitë për të përparuar si komunitet.
IRDK e konsideron se arsimimi dhe edukimi është çelësi për përparim dhe zhvillim të qëndrueshëm. Parandalimi i braktisjes së shkollimit dhe ofrimi i mbështetjes për studentët siguron që brezi i ardhshëm të ketë më shumë mundësi për një jetë më të mirë dhe një rol të rëndësishëm në shoqëri.
Fuqizimi i qendrave ekzistuese të edukimit jo-formal, të cilat tashmë funksionojnë me udhëzim administrativ nga MASHT, përmes rritjes së buxhetit për funksionimin e tyre. Këto qendra jo vetëm që ndihmojnë në parandalimin e braktisjes së shkollës, por gjithashtu forcojnë komunikimin midis shkollës, prindërve dhe nxënësve, si dhe përmirësojnë performancën akademike të fëmijëve. Është e nevojshme gjithashtu krijimi i mundësisë për studentët e komunitetit Egjiptian që studiojnë edukimin parafillor dhe fillor që të kryejnë praktikën në këto qendra, duke rritur shanset për punësimin e tyre pas diplomimit.
Promovimi i edukimit parashkollor, që ka për qëllim të nxisë regjistrimin e fëmijëve në shkollën fillore dhe të lehtësojë kalimin nga parashkollorja në arsimin fillor, duhet te jete prioritet. Fokusi në veçanti duhet të vendoset te fëmijët që hyjnë në arsimin e ulët (klasat 6-9), duhet të sigurohet që regjistrimi dhe përgatitja e tyre të jetë e lehtë dhe e natyrshme edhe për shkollën e mesme.
T’ju mundësohet arsimimi për ata që kanë braktisur shkollën herët, për shkak të rrethanave të ndryshme sociale, ekonomike apo për arsye të tjera (p.sh. zhvendosje brenda ose jashtë vendit).
Zhvillimi i një kurrikule të përshtatur për këta individë dhe ofrimi i mundësive për testim paraprak janë hapa të rëndësishëm për përfshirjen e tyre në edukimin për të rritur në mënyrë që të ndihen të barabartë me të tjerët, dhe t’ju mundësohet automatikisht që të regjistrohen në trajnime profesionale që ofrohen nga QAP për të qenë pastaj të gatshëm për tregun e punës.
Është e nevojshme që të krijohen mundësi të veçanta për regjistrimin në shkolla për fëmijëve që kanë kaluar moshën për të hyrë në klasën e parë, në bashkëpunim me qendrat mësimore (QM), për t'i përgatitur ata në mënyrë të përshtatshme për edukimin që i pret..
Duhet të ketë përpjekje për përmirësimin e standardeve për çdo hallkë të sistemit arsimor, përfshirë kurrikulat dhe kushtet e nevojshme për mësim.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm është rritja e monitorimit dhe mbikëqyrjes nga Inspektorati i Arsimit, për të parandaluar braktisjen e shkollës. Arsimi është një përgjegjësi e përbashkët e prindërve dhe institucioneve arsimore, dhe nëse prindërit nuk bashkëpunojnë me këto institucione apo nuk plotësojnë kërkesat, duhet të merren masa disiplinore për të zvogëluar braktisjen.
Barazia gjinore në Kosovë ka qenë një çështje e rëndësishme, veçanërisht në kontekstin e komuniteteve të ndryshme etnike dhe kulturore që jetojnë në Kosovë. Promovimi i te drejtave të grave dhe barazia gjinore do të kontribuojnë në promovimin dhe avancimin e te drejtave te njeriut.
Për arsimimin, edukimin dhe barazinë gjinore, IRDK angazhohet për:
• Implementimin e një programi të posaçëm për të parandaluar braktisjen e shkollës fillore, duke përfshirë mentorimin dhe mbështetjen psiko-sociale për fëmijët e rrezikuar
• Ofrimin e bursave të plota për nxënësit e shkollave të mesme dhe studentët e dalluar të komunitetit Egjiptian, si dhe sigurimi i pajisjeve shkollore për të gjithë nxënësit
• Organizimin e kampeve verore arsimore dhe aktiviteteve jashtëshkollore për të rritur përfshirjen dhe angazhimin e të rinjve në arsim
• Fuqizimin e qendrave ekzistuese të edukimit jo-formal
• Sigurimin e qendrave të përkrahjes për nxënësit që kanë nevojë për mësim plotësues dhe përgatitje për provime
• Promovimin e barazisë gjinore përmes arsimimi dhe pjesëmarrjes në tregun e punës
• Eliminimin e vështirësive të traditave patriarkale dhe normave sociale për gratë në rolin
aktiv dhe vendimmarrje
• Luftimin e dhunës me bazë gjinore
• Rritjen e pjesëmarrjes së grave në politikë dhe të përfaqësim.