19/08/2026
Një shekull nga lindja e Heroit Metush Krasniqi
Sot, në 100 Vjetorin e lindjes së Heroit Metush Krasniqi, në Kamenicë është mbajtur Akademi Përkujtimore.
Së bashku me Kryeministrin Albin Kurti, Ministren Gervalla, veprimtarë, bashkëkohës e njohës së veprimtarisë së Metush Krasniqit, përmes fjalës e kujtimeve, nderuam një nga figurat që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e kombit tonë.
Në këtë përvjetor jubilar, u rikujtua rruga, sakrifica dhe veprimtaria e Metush Krasniqit, i cili me përkushtimin e tij të palëkundur dha një kontribut të jashtëzakonshëm në atë që jemi sot.
Në fund të Akademisë Përkujtimore, zbuluam pllakën që emërton Sheshin e Kamenicës me emrin “Metush Krasniqi”.
Nga sot emri i tij, do të jetë i gdhendur jo vetëm në historinë tonë, por edhe në zemër të qytetit të Kamenicës.
Të pranishmit patën mundësinë që të shihnin edhe Pullën Postare me figurën e Heroit.
Filatelia e Postës së Kosovës, më 16.09.2025 në qarkullim postar ka vënë emisionin e pullëve postare “Personalitete - Musa Shehzade dhe Metush Krasniqi”.
Ky emision i pullave postare nderon dy figura që zënë vend të veçantë në historinë shqiptare, të cilët edhe pse vepruan në kohëra të ndryshme, kontribuan për të njëjtin qëllim, lirinë e vendit dhe respektimin e të drejtave të popullit shqiptar.
Në të njejtën kohë u prezantua edhe çmimi “Metush Krasniqi”. Ky çmim u ipet personaliteteve të shquara në shenjë nderi dhe respekti për kontributin e dhënë në fushën kombëtare, që kanë bërë vepra trimërie dhe sacrifice si dhe veprimtari ose akte të guximit qytetar në kohë lufte dhe paqeje.
Në sheshin e qytetit, në kuadër të aktiviteteve të organizuara nga Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe Komuna e Kamenicës, me rastin e 100- vjetorit të lindjes së Metush Krasniqit, Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës ka përgatitur ekspozitën dokumentare “Metush Krasniqi – Një jetë kushtuar idealit kombëtar”.
Ekspozita përbëhet nga 23 pano ekspozuese dhe paraqet një përzgjedhje të dokumenteve arkivore që ruhen në fondet e Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, të cilat dëshmojnë për jetën, veprimtarinë dhe angazhimin e Metush Krasniqit në çështjen kombëtare.
Materiali ekspozues përfshin dokumente nga proceset gjyqësore, fotografi, materiale të shtypit dhe dokumente të tjera arkivore, përmes të cilave pasqyrohen momente dhe aspekte të rëndësishme të veprimtarisë së tij.
Kryetari i Dardanës, Kadri Rahimaj
Dardanë, 19 gusht 2026