26/08/2026
𝐊𝐥𝐢𝐧𝐚 𝐩ë𝐫𝐟𝐢𝐭𝐨𝐧 𝟏 𝐦𝐢𝐥𝐢𝐨𝐧 𝐞 𝟖𝟔𝟓 𝐦𝐢𝐣ë 𝐞𝐮𝐫𝐨 𝐧𝐠𝐚 𝐏𝐫𝐨𝐣𝐞𝐤𝐭𝐢 𝐢 𝐁𝐚𝐧𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐒𝐨𝐜𝐢𝐚𝐥 𝐀𝐝𝐞𝐤𝐮𝐚𝐭
Komuna e Klinës ka përfituar 1 milion e 865 mijë euro nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, në kuadër të Projektit të Banimit Social Adekuat.
Marrëveshja e Grantit u nënshkrua gjatë takimit me ministren në detyrë të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, në të cilin morën pjesë edhe nënkryetari i Komunës, Fadil Gashi, dhe drejtori i Qendrës për Punë Sociale, Ilir Bacaj.
Mjetet e përfituara do të investohen në:
1.35 milionë euro për ndërtimin e rreth 20 njësive të reja të banimit social;
350 mijë euro për renovimin e rreth 14 shtëpive private;
165 mijë euro për rindërtimin e 3 shtëpive private.
Në total, projekti do të përfshijë rreth 37 njësi banimi dhe shtëpi, duke krijuar kushte më të mira, më të sigurta dhe më dinjitoze të banimit për familjet në nevojë.
Kryetari i Komunës së Klinës, prof.dr. Zenun Elezaj, e ka vlerësuar këtë si një investim të rëndësishëm nga MMPH-ja, duke falënderuar ministren Fitore Pacolli për mbështetjen e dhënë ndaj Komunës së Klinës.
Ai ka theksuar gjithashtu angazhimin e komunës, komisionit, njësisë përgjegjëse dhe grupit punues në përgatitjen e të gjitha aspekteve administrative dhe teknike të projekteve, duke vlerësuar veçanërisht punën dhe angazhimin e palodhshëm të anëtarëve të grupit punues.
Ky projekt është një hap konkret drejt përmirësimit të kushteve të jetesës për familjet që kanë më së shumti nevojë për mbështetje.