13/08/2026
Komunikatë për publikun
13 Gusht 2026
Ndërmarrja Publike Banesore – NPB SH.A. njofton me shqetësim opinionin publik se llogaritë bankare të Ndërmarrjes janë bllokuar në kuadër të procedurës përmbarimore që lidhet me kontestin gjyqësor për projektin në Lakrishtë. Ky projekt buron nga një kontratë që dëmton interesin publik e që është lidhur më 17 maj 2021 nga administrata e kaluar.
Ndërmarrja Publike Banesore e ka kundërshtuar këtë vendimmarrje në të gjitha instancat juridike dhe më 24 qershor 2026 ka ushtruar revizion pranë Gjykatës Supreme të Kosovës, duke ngritur çështje serioze lidhur me shkelje procedurale, zbatim të gabuar të së drejtës materiale, përcaktimin e përgjegjësisë së NPB-së dhe mënyrën e llogaritjes së mbi 32 milionë eurove si fitim i humbur, që nuk janë investuar asnjëherë.
Ndërmarrja Publike Banesore është thellësisht e bindur se argumentet juridike dhe faktike të paraqitura në revizion, pas shqyrtimit të plotë nga Gjykata Supreme, do të rezultojnë me një vendim në favor të ndërmarrjes publike dhe mbrojtjes së interesit publik.
Megjithatë, vetëm një ditë pas ushtrimit të revizionit është nxjerrë urdhri përmbarimor, ndërsa procedura ka vazhduar me ritëm të përshpejtuar deri në bllokimin e llogarive. Në anën tjetër, sipas informatave që posedon NPB, revizioni ende nuk është dërguar nga Gjykata Komerciale në Gjykatën Supreme.
Pse përmbarimi po ecën me një shpejtësi të jashtëzakonshme, ndërkohë që revizioni, përmes të cilit kërkohet kontrolli i ligjshmërisë së vetë vendimit, ende nuk është dërguar në instancën më të lartë gjyqësore?
Bllokimi i llogarive nuk prek vetëm financat e NPB-së. Ai prek drejtpërdrejtë mbi 300 punëtorë dhe familjet e tyre, rrezikon funksionimin e ndërmarrjes si pasuri publike, Komunën e Prishtinës si aksionare si dhe shërbimet e mira që i ofrohen qytetarëve.
NPB nuk do të heshtë përballë një situate që mund të prodhojë pasoja të rënda dhe potencialisht të pakthyeshme për pasurinë publike. Ndërmarrja do të vazhdojë të përdorë çdo mjet juridik dhe institucional në dispozicion dhe kërkon nga institucionet kompetente transparencë të plotë dhe trajtim urgjent të kësaj çështjeje.
Mbi 32 milionë euro të pasurisë publike nuk mund të keqpërdoren përballë interesave financiare të kompanive private që duan të pasurohen në kurriz të pronës publike. I sigurojmë qytetarët e Prishtinës, si dhe punëtorët e Ndërmarrjes Publike Banesore që ashtu sic e kemi bërë nga fillimi, do të vazhdojmë të mbrojmë interesin publik, si dhe do të vazhdojmë punët e mira në ndërmarrje.
Kërkojmë nga Gjykata Supreme që të marrë masa sa më të shpejta në mbrojtje të interesit publik, në të kundërtën, pasojat për Ndërmarrjen Publike Banesore janë të paparashikuara.
Ftojmë publikun, mediat dhe të gjitha organizatat jo-qeveritare dhe institucionet relevante që të përcjellin këtë rast dhe te luajnë rolin e tyre në moslejimin e tjetërsimit të pasurisë publike për përfitim multi-milionësh të kompanive private.