Komuna Malishevë

Komuna Malishevë Faqja e Malishevës është faqe në të cilën qytetarët e Komunës sonë dhe të tjerë, mund të

Njoftim për mbledhje komemorative në nderim të Haki RuditKomuna e Malishevës njofton se sot, 2 shtator 2026, në ora 14:0...
02/09/2026

Njoftim për mbledhje komemorative në nderim të Haki Rudit

Komuna e Malishevës njofton se sot, 2 shtator 2026, në ora 14:00, në Sallën e Kuvendit të Komunës së Malishevës, do të mbahet mbledhje komemorative në nderim të të ndjerit Haki Rudi, punëtor i administratës së Komunës së Malishevës.

Në këtë mbledhje komemorative, që mbahet nën përkujdesjen e Kryetarit Ekrem Kastrati, do të nderohet jeta dhe kontributi i Haki Rudit, i cili për vite me radhë shërbeu në administratën komunale dhe kontribuoi në shërbim të qytetarëve dhe institucionit.

Në këtë ditë zie, Komuna e Malishevës shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Rudi, kolegët, miqtë dhe të gjithë ata që e njohën dhe e çmuan të ndjerin Haki Rudi.

Komuna e Malishevës në mbështetje të aktiviteteve të platformës “Liria Ka Emër”, sonte në ora 19:30 vendoset “Ora e Prit...
31/08/2026

Komuna e Malishevës në mbështetje të aktiviteteve të platformës “Liria Ka Emër”, sonte në ora 19:30 vendoset “Ora e Pritjes”.

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ka mbajtur sot mbledhjen e Këshillit të Drejtorëve, ku vëmendje e veçantë iu kushtua organizimit dhe bashkëpunimit me platformën “Liria Ka Emër”, në kuadër të aktiviteteve publike që po zhvillohen nën moton “Kosova po pret”, në prag të 16 shtatorit.

Në kuadër të këtyre aktiviteteve, sonte, më 31 gusht, në ora 19:30, në Sheshin e Dëshmorëve në Malishevë, do të vendoset “Ora e Pritjes”, një ekran simbolik që do të numërojë mbrapsht ditët, orët, minutat dhe sekondat deri më 16 shtator.

Po ashtu, Komuna e Malishevës ka vendosur flamujt e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përgjatë rrugëve kryesore të qytetit, në mbështetje të këtyre aktiviteteve dhe mesazhit të përbashkët që përcillet në këto ditë.

Me këtë rast, kryetari Kastrati u bën thirrje qytetarëve të Malishevës që sonte, nga ora 19:30, të mblidhen sa më masivisht në Sheshin e Dëshmorëve dhe të bëhen pjesë e vendosjes së “Orës së Pritjes”, duke përcjellë edhe nga Malisheva mesazhin e përbashkët “Kosova po pret”

Kryetari i Komunës Ekrem Kastrati me bashkëpunëtorë bëri homazhe në 28-vjetorin e rënies së komandant Kumanovës, Ismet J...
25/08/2026

Kryetari i Komunës Ekrem Kastrati me bashkëpunëtorë bëri homazhe në 28-vjetorin e rënies së komandant Kumanovës, Ismet Jasharit
Malishevë, 25 gusht
Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati me bashkëpunëtorë, bëri sot homazhe në nderim të dëshmorit të kombit, komandantit Ismet Jashari – Kumanova, në 28-vjetorin e rënies së tij heroike.
Në këtë përvjetor të rëndësishëm, Kryetari i Komunës së Malishevës, së bashku me bashkëpunëtorë dhe përfaqësues të institucioneve komunale dhe shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, nderuan me homazhe dhe vendosën lule pranë lapidarit të dëshmorit, duke përkujtuar jetën, veprën dhe sakrificën e tij për lirinë e Kosovës dhe gjithë dëshmorëve të kombit.
Me këtë rast, Kryetari i Komunës Ekrem Kastrati, theksoi se liria e një kombi nuk fitohet lehtë, por ndërtohet dhe fitohet përmes sakrificës, guximit dhe përkushtimit të bijve dhe bijave më të devotshme të tij.
Kurse Fatmir Limaj, komandant Çeliku në fjalën e tij theksoi.“Kur flasim se si fitohet liria e një kombi, përgjigjja më e fuqishme është vetë jeta dhe vepra e dëshmorëve tanë. Ismet Jashari Kumanova është një prej atyre burrave që e dëshmuan me jetën e tyre se liria kërkon sakrificë. Ai dhe shumë dëshmorë të tjerë dhanë më të shtrenjtën jetën e tyre që ne sot të jetojmë të lirë dhe të ndërtojmë të ardhmen e vendit tonë”, u shpreh Limaj.
Ai në vazhdim tha se përkujtimi i dëshmorëve nuk është vetëm detyrë institucionale, por edhe obligim moral e kombëtar, në mënyrë që sakrifica e tyre të mos harrohet dhe brezat e rinj të njohin historinë dhe çmimin e lirisë.
“Ne sot bëjmë homazhe jo vetëm për ta kujtuar një figurë të shquar të luftës për liri, por për të shprehur mirënjohjen tonë të përhershme për të gjithë dëshmorët që ranë për Kosovën. Ismet Jashari – Kumanova mbetet simbol i trimërisë, i vendosmërisë dhe i dashurisë për atdheun. Vepra e tij dhe e të gjithë dëshmorëve tanë do të mbetet pjesë e kujtesës sonë kombëtare”, theksoi ai.
Ai foli edhe për kreret e UÇK-së, të cilët pritën ta fitojnë edhe betejën e fundit për Kosovën dhe kombin shqiptarë, pasi lufta e UÇK-së ishte luftë çlirimtare.
Në këtë përvjetor, folën edhe Shukri Buja e Kastriot Berisha.
Komuna e Malishevës, me rastin e 28-vjetorit të rënies së komandant Ismet Jasharit – Kumanovës, shpreh respektin dhe mirënjohjen më të thellë për të dhe për të gjithë dëshmorët e kombit, të cilët sakrifikuan jetën për lirinë dhe të ardhmen e Kosovës.
Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit!
Lavdi komandant Ismet Jashari – Kumanova!

Me nderime të larta shtetërore u varros polici Altin KryeziuMe nderime të larta shtetërore, sot në fshatin Bubavec të Ma...
24/08/2026

Me nderime të larta shtetërore u varros polici Altin Kryeziu

Me nderime të larta shtetërore, sot në fshatin Bubavec të Malishevës është varrosur polici i Kosovës, Altin Kryeziu, i cili humbi jetën në krye të detyrës, pas plagëve të marra në një aksident komunikacioni.

Altin Kryeziu, pjesëtar i Stacionit Policor në Malishevë, u përcoll për në banesën e fundit nga familjarët, kolegët, zyrtarë të institucioneve dhe mijëra qytetarë, të cilët morën pjesë në ceremoninë mortore për të nderuar jetën dhe veprën e tij.

Në ceremoninë e varrimit morën pjesë kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, deputetë, zyrtarë policorë, familjarë, miq dhe qytetarë të shumtë.

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, gjatë fjalës së tij shprehu dhimbjen e thellë për humbjen e të riut që zgjodhi t’i shërbente vendit. “Sot, Bubaveci, vendlindja e Altinit, po përcjell për në amshim një bir të vetin, Malisheva përcjell një polic të saj, ndërsa Kosova humbi një pjesëtar të ri të institucionit që kujdeset çdo ditë për rendin dhe sigurinë tonë”, tha Kastrati.
Kastrati theksoi se Altini zgjodhi një rrugë të ndershme dhe e veshi me krenari uniformën e Policisë së Kosovës. “Altini, ndonëse iku i ri, pas vete ka lënë nderin e shërbimit ndaj vendit”, u shpreh kryetari i Malishevës, duke i shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes Kryeziu, miqve, kolegëve dhe Policisë së Kosovës.

Fjalën rasti kanë mbajtur edhe përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Policisë së Kosovës.
Në emër të familjes, Metije Kryeziu falënderoi të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen në ceremoninë e varrimit, si dhe për mbështetjen e dhënë familjes gjatë ditëve të vështira, kur Altini po trajtohej pas plagëve të marra në aksident.

Altin Kryeziu u nda nga jeta pas një jave përpjekjesh për t’i mbijetuar plagëve të rënda të marra në aksidentin e ndodhur në krye të detyrës.
Ai u përcoll sot për në banesën e fundit në vendlindjen e tij, Bubavec, mes nderimeve të larta dhe dhimbjes së familjes, kolegëve dhe gjithë Malishevës.

Shpërndahen 100 pako ushqimore për 100 familje në nevojëNë kuadër të mbështetjes së familjeve në nevojë, sot janë shpërn...
14/08/2026

Shpërndahen 100 pako ushqimore për 100 familje në nevojë

Në kuadër të mbështetjes së familjeve në nevojë, sot janë shpërndarë 100 pako ushqimore për 100 familje përfituese të skemës sociale.
Këto pako janë dhuruar nga shoqata bamirëse “Jetimat e Ballkanit”, ndërsa shpërndarja është realizuar përmes Drejtorisë për Mirëqenie Sociale, ku përfitues janë familjet që janë të regjistruara në skemën sociale, me qëllim që ndihma të arrijë te familjet që kanë më së shumti nevojë për mbështetje.
Drejtoria për Mirëqenie Sociale, falënderon shoqatën bamirëse “Jetimat e Ballkanit” për kontributin e vazhdueshëm për të ndihmuar familjet në nevojë.

Inspektorati i komunës largon pengesat e vendosura në rrugë në fshatin MaraliDrejtoria e Inspektoratit në Komunën e Mali...
14/08/2026

Inspektorati i komunës largon pengesat e vendosura në rrugë në fshatin Marali

Drejtoria e Inspektoratit në Komunën e Malishevës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka ndërmarrë sot veprime për largimin e pengesave të vendosura në rrugë në fshatin Marali, pas kërkesave të shumta të qytetarëve lidhur me këtë çështje.

Sipas Drejtorisë së Inspektoratit, nga pengesat e vendosura, njëra kishte pëlqim paraprak, por nuk i kishte respektuar standardet dhe kriteret e kërkuara për vendosjen e saj. Përkundër vërejtjeve dhe afateve të caktuara nga Inspektorati për përmbushjen e kërkesave, ato nuk janë respektuar, prandaj është bërë ndërhyrja përkatëse në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.

Drejtori i Drejtorisë së Inspektoratit, Jakup Gashi, u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Komunës së Malishevës që të mos vendosin pengesa në rrugë pa pëlqim paraprak dhe pa respektuar standardet dhe kriteret e përcaktuara.

Po ashtu, ai ka theksuar se çdo prerje, dëmtim apo ndërhyrje në rrugë pa pëlqim paraprak është e kundërligjshme dhe e ndëshkueshme.

Drejtoria e Inspektoratit apelon tek qytetarët që t’i respektojnë procedurat dhe kërkesat ligjore, në mënyrë që të evitohen problemet dhe të mos jetë e nevojshme ndërhyrja e organeve kompetente.

Kryetari Kastrati priti koordinatorin e TIKA-s në Kosovë, Mehmed Taha DoganKryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastr...
11/08/2026

Kryetari Kastrati priti koordinatorin e TIKA-s në Kosovë, Mehmed Taha Dogan

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ka pritur sot në takim koordinatorin e Zyrës së Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) në Kosovë, Mehmed Taha Dogan.
Takimi kishte karakter pune dhe në fokus kishte mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet Komunës së Malishevës dhe TIKA-s, si dhe mbështetjen e mundshme për projekte dhe iniciativa në fusha me rëndësi për qytetarët, veçanërisht në arsim, shëndetësi dhe bujqësi.
Kryetari Kastrati i ka uruar mirëseardhje koordinatorit Dogan dhe e ka falënderuar për vizitën, e më pas e ka njoftuar atë me gjendjen e përgjithshme në Komunën e Malishevës, zhvillimet aktuale dhe aktivitetet e institucioneve komunale në funksion të ofrimit të shërbimeve sa më cilësore për qytetarët, si dhe me nevojat dhe prioritetet e komunës për zhvillim të mëtejshëm dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve.
Gjatë takimit u diskutua për mundësinë e realizimit të projekteve konkrete në fusha të ndryshme, përfshirë mbështetjen në pajisje dhe mjete bashkëkohore për institucionet arsimore dhe shëndetësore, si dhe përkrahjen e sektorit të bujqësisë.
Në veçanti, u shqyrtuan mundësitë për mbështetjen e shkollave me tabela digjitale dhe pajisje të tjera teknologjike, furnizimin e institucioneve shëndetësore me pajisje të nevojshme, si dhe iniciativa konkrete në mbështetje të fermerëve dhe zhvillimit të bujqësisë në Komunën e Malishevës.
Nga ana e tij, koordinatori i TIKA-s në Kosovë, Mehmed Taha Dogan, ka shprehur gatishmërinë dhe interesimin e TIKA-s për të bashkëpunuar me Komunën e Malishevës, dhe për të realizuar programe e projekte në përputhje me nevojat dhe prioritetet e tyre.
Në përfundim të takimit, të dyja palët vlerësuan rëndësinë e bashkëpunimit institucional dhe shprehën gatishmërinë për të shqyrtuar konkretisht mundësitë e realizimit të projekteve të përbashkëta në të mirë të qytetarëve të Komunës së Malishevës.

Në Banjë të Malishevës u mbajt gara memoriale e notit “Esmir Shala”Sot, në pishinat natyrale të Banjës së Malishevës, u ...
11/08/2026

Në Banjë të Malishevës u mbajt gara memoriale e notit “Esmir Shala”

Sot, në pishinat natyrale të Banjës së Malishevës, u mbajt gara memoriale e notit “Esmir Shala”, e vetmja garë e këtij lloji që organizohet në nderim të notar¬it Esmir Shala.
Gara u organizua nga Federata e Notit e Kosovës, Klubi i Notit “Besa” dhe Komuna e Malishevës.

Në ceremoninë e hapjes morën pjesë kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, nënkryetari Vesel Krasniqi, si dhe drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Teuta Miftari-Mazreku.

Me këtë rast, kryetari Kastrati tha se Komuna e Malishevës do të vazhdojë ta mbështesë sportin dhe sportistët, brenda mundësive që ka.
“Sportistët janë ambasadorët tanë më të mirë, prandaj jo vetëm këtë garë, por edhe çdo lloj sporti, Komuna e Malishevës, brenda mundësive që ka, do ta përkrahë. Sot nderojmë sportistin dhe notarin e njohur, Esmir Shala, dhe mbajtja e garave në nderim të një sportisti tregon më së miri përkushtimin tonë si institucione dhe si shoqëri. Ju uroj të gjithëve suksese në këtë garë, si dhe në garat dhe kampionatet e notit. Zoti i bekoftë sportistët tanë”, tha Kastrati.

Në garën e këtij viti morën pjesë rreth 100 garues nga 12 klube të notit. Garat u zhvilluan në gjashtë kategori.

Gara memoriale “Esmir Shala” synon të ruajë kujtimin dhe të nderojë figurën e notarit Esmir Shala, duke promovuar njëkohësisht notin dhe sportin në përgjithësi tek të rinjtë.

Bazuar në rezultatet e arritura, në të gjitha disiplinat, për meshkuj e KN "Besa', dolën më të sukseshëm, ndërsa tek femrat KN "Step".

Komuna e Malishevës përmbyll ciklin e dëgjimeve publike për buxhetin komunal për vitin 2027 Komuna e Malishevës, përkatë...
03/08/2026

Komuna e Malishevës përmbyll ciklin e dëgjimeve publike për buxhetin komunal për vitin 2027

Komuna e Malishevës, përkatësisht Drejtoria për Buxhet dhe Financa, ka përmbyllur ciklin e dëgjimeve publike për hartimin e projektbuxhetit Komunal 2027-2029, me fokus të veçantë në buxhetin e vitit 2027. Dëgjimet janë organizuar në bazë të obligimeve ligjore dhe me vendim të Kryetarit të Komunës, Ekrem Kastrati, me qëllim të përfshirjes së qytetarëve në procesin e planifikimit buxhetor dhe identifikimin e prioriteteve zhvillimore të komunës.
Takimet me qytetarët janë udhëhequr nga drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Blerim Thaçi, dhe Zyrtarja Kryesore Financiare, Valentina Krasniqi, ndërsa sipas nevojës në dëgjime kanë marrë pjesë edhe drejtorë të drejtorive komunale, përfshirë Amrush Helshanin, Jakup Gashin, Sylë Dukollin, Nuredin Hoxhën, Rifat Mazreku dhe zyrtarë të tjerë.
Në secilin takim, drejtori Thaçi ka prezantuar Kornizën Buxhetore 2027-2029 dhe planifikimet për vitin 2027. Sipas projektimit, buxheti për vitin 2027 arrin në 23.161.855 euro, ndërsa për investime kapitale janë planifikuar 5.694.258 euro.
Gjatë prezantimeve, ai ka sqaruar edhe sfidat me të cilat përballet buxheti komunal, duke veçuar ndikimin e lëndëve përmbarimore që rrjedhin nga kontrata kolektive, inflacionin dhe faktorë të tjerë që ndikojnë drejtpërdrejt në realizimin e investimeve kapitale, subvencioneve dhe kategorive të tjera buxhetore.
Në kuadër të këtij procesi janë mbajtur gjithsej 15 dëgjime publike, me qytetarë në vendbanime, si dhe me grupe të interesit, përfshirë sektorin e arsimit, shëndetësisë dhe organizatat joqeveritare. Në këto dëgjime pjesëmarrësit kanë paraqitur propozimet, kërkesat dhe vërejtjet e tyre për orientimin e buxhetit komunal.
Shumica e kërkesave të qytetarëve kanë qenë të përqendruara në investimet infrastrukturore, si ndërtimi dhe rehabilitimi i rrugëve, trotuareve, zgjerimi i rrjetit të ujësjellësit, kanalizimeve dhe ndriçimit publik. Po ashtu, janë paraqitur edhe propozime për rritjen e investimeve në bujqësi dhe sektorë të tjerë që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve dhe zhvillimin ekonomik lokal.
Propozimet dhe kërkesat e mbledhura gjatë dëgjimeve publike do të shqyrtohen nga Drejtoria për Buxhet dhe Financa gjatë procesit të finalizimit të Projektbuxhetit Komunal 2027-2029, me synimin që dokumenti përfundimtar të pasqyrojë sa më mirë nevojat dhe prioritetet e qytetarëve të Komunës së Malishevës.

Address

Malishevë
24000

Alerts

Be the first to know and let us send you an email when Komuna Malishevë posts news and promotions. Your email address will not be used for any other purpose, and you can unsubscribe at any time.

Shortcuts

Share