31/05/2021
Sot, më 31 maj, bëhen 22 vjet nga rënia heroike e njërit nga lufëtarët më të përkushtuar të çështjes kombëtare, Xhemajl Fetahaj.
Anipse ende nuk kishte mbushur njëzetë vjetë kur në janarin e vitit 1984 ishte burgosur me një grup shokësh dhe dënuar me 6 vite burgim për veprimtari politike, Xhemajli qëndroi gjatë gjithë kohës i pathyeshëm në torturat e egra të hetuesisë dhe burgu i rënd, për të vazhduar pas daljes nga burgu edhe me guximshëm, me përkushtim dhe vendosmëri edhe më të madhe, veprimtarinë patriotike në kuadër të Lëvizjes Kombëtare.
Duke qenë thellësisht i bindur se liria, të drejtat njerëzore dhe ato kombëtare nuk mund të fitohen pa sakrifica dhe pa luftë të armatosur, Xhemajl Fetahaj fillon që heret të merret me krijimin e kushteve të domosdoshme, logjistike dhe organizative, për luftën e ardhshme çlirimtare të Kosovës. Në këtë drejtim, ai nuk u lodh e as nuk u ndal asnjëherë, as në Kosovë e as në perëndim, derisa para 22 vitesh, më 31 maj 1999, gjatë një beteje të ashpër, e cila zgjati për orë të tëra, në mes forcave të UÇK-së dhe atyre armike serbe, bie heroikisht në Koshare, për të mos vdekur kurrë. Tjetër ndalesë as që mund të paramendohej për Xhemajlin, njërin nga bijtë e shumtë të devotshëm të familjes Fetahaj nga Raushiqi i Pejës, familje nga më të njohurat në Dukagjin për bujari dhe tradita patriotike.
Xhemajl Fetahaj do të kujtohet e nderohet përjetësisht nga Kombi ynë, si luftëtar i pandalshëm i lirisë së Kosovës.