12/06/2026
Kryeprokurori i Prokurorisë së Apelit zhvillon takim konsultativ me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, EULEX-it dhe OSBE-së për monitorimin e proceseve gjyqësore
Prishtinë, 12 qershor 2026 - Në ambientet e Prokurorisë së Apelit u mbajt një takim konsultativ i përfaqësuesve të Prokurorisë së Apelit me përfaqësues të Bashkimit Evropian, EULEX-it dhe Misionit të OSBE-së në Kosovë.
Takimi kishte në fokus monitorimin e proceseve gjyqësore dhe çështjeve që lidhen me efikasitetin dhe cilësinë e procedurave penale.
Nga Prokuroria e Apelit në takim morën pjesë Kryeprokurori Agron Bajrami, si dhe prokurorët e kësaj prokurorie, znj. Ikramije Bojaxhiu dhe z. Naim Beka.
Në takim morën pjesë edhe z. Nicola Scaramuzzo, Udhëheqës i Ekipit për Sundimin e Ligjit dhe të Drejtat Themelore në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, Giovanni Galzignato Udhëheqës i Komponentit të Drejtësisë dhe Njësisë Korrektuese në EULEX, z. Kahramon Sanginov, Udhëheqës i Projekteve në kuadër të Misionit të OSBE-së në Kosovë, si dhe znj. Pascale Langlais, Shefe e Seksionit për Ligj dhe Drejtësi në OSBE.
Me këtë rast, Kryeprokurori Bajrami falënderoi përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, EULEX-it dhe OSBE-së për organizimin e takimit, si dhe për interesimin dhe mbështetjen e vazhdueshme që këto institucione japin për sistemin prokurorial në Kosovë në përgjithësi dhe për Prokurorinë e Apelit në veçanti. Po ashtu, ai i njoftoi pjesëmarrësit lidhur me mandatin dhe kompetencat e Prokurorisë së Apelit, të arriturat e institucionit gjatë periudhës së fundit, si dhe sfidat me të cilat përballet në ushtrimin e funksioneve të saj.
Gjatë takimit u diskutuan gjetjet dhe rekomandimet e dala nga raportet e monitorimit të proceseve gjyqësore të përgatitura nga OSBE dhe EULEX. Diskutimet u përqendruan në produktivitetin e seancave gjyqësore, rigjykimet në rastet komplekse, shqiptimin e dënimeve plotësuese, cilësinë dhe strukturën e aktakuzave, si dhe zbatimin e udhëzimeve për matjen e dënimit.
Përfaqësuesit e Prokurorisë së Apelit paraqitën përvojat dhe sfidat praktike në trajtimin e lëndëve në shkallën e dytë, veçanërisht në rastet komplekse të krimit te organizuar dhe korrupsionit. Po ashtu, u diskutua për mundësitë e avancimit të cilësisë së procedurave penale, forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rritjes së efikasitetit në punën e institucioneve të drejtësisë.
Takimi u zhvillua në frymë bashkëpunimi dhe dialogu profesional, me shkëmbim mendimesh dhe përvojash për çështje me interes të përbashkët për sistemin e drejtësisë në Kosovë.