29/09/2026
Dr. Nora Gashi do të jetë një nga ligjërueset kryesore të Konferencës Kombëtare për Ndërgjegjësimin mbi Menopauzën, ku do të jetë pjesë e programit në të dyja ditët e konferencës.
Më 6 dhe 7 tetor 2026, Agjencia për Barazi Gjinore e Zyrës së Kryeministrit (ABGJ), në bashkëpunim me Shoqatën e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë (PRAK), organizojnë këtë konferencë me fokus në rritjen e ndërgjegjësimit dhe përmirësimin e kujdesit për gratë gjatë menopauzës.
Dr. Gashi është mjeke e specializuar në Mjekësi Interne dhe e certifikuar nga The Menopause Society si Menopause Practitioner. Ajo ka mbi 15 vite përvojë në mjekësi spitalore dhe kujdesin parësor dhe aktualisht punon në New Jersey, SHBA, me fokus në shëndetin e grave dhe menopauzën.
Dita e parë, 6 tetor, në Hotel Marriott, i kushtohet grave dhe komunitetit, me fokus në menopauzën, simptomat, ndryshimet hormonale, menaxhimin dhe ndikimin e saj në shëndetin dhe cilësinë e jetës.
Dita e dytë, 7 tetor, në Hotel Emerald, i kushtohet profesionistëve shëndetësorë dhe fokusohet në diagnostikimin, trajtimin, terapinë hormonale dhe jo-hormonale, sigurinë dhe kujdesin parandalues.
Dr. Gashi do të ligjërojë në të dyja ditët, duke sjellë përvojën e saj klinike dhe ekspertizën në fushën e menopauzës.
Për arsye organizative, ngjarja nuk është e hapur për publikun dhe është e organizuar me ftesa individuale.