25/09/2026
FJALIM – Shefi i Grupit të Asambleistëve të LDK-së në seancën e sotme të Kuvendit Komunal.
I nderuar kryesues I Kuvendit Komunal,
I nderuar Kryetar i Komunës, Nënkryetar I Komunës, drejtor te drejtorive
Përfaqësues te Organizatave të dala nga Lufta e UÇK-së
Të nderuar anëtarë të Kuvendit Komunal,
Të nderuar qytetarë,
Sot, në këtë Kuvend, po diskutojmë për një çështje që tejkalon një deklaratë të zakonshme politike. Po flasim për luftën e Kosovës, për lirinë e vendit tonë, për sakrificën e qytetarëve tanë dhe për një periudhë që ka lënë gjurmë të thella në historinë dhe kujtesën e Republikës së Kosovës.
Në emër të Grupit të Asambleistëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, dëshiroj të shpreh shqetësimin tonë të thellë lidhur me aktgjykimin ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe përmasën e dënimeve të shqiptuara.
Ky është një moment i ndjeshëm për vendin tonë, për familjet e të gjithë atyre që kontribuuan për lirinë e Kosovës dhe për çdo qytetar që e çmon sakrificën mbi të cilën është ndërtuar shteti ynë.
Duhet ta themi qartë se asnjë aktgjykim nuk mund ta zhbëjë të vërtetën historike të luftës në Kosovë. Regjimi i Millosheviqit dhe aparati shtetëror serb ushtruan gjenocid, dhunë, terror dhe spastrime etnike ndaj popullit të Kosovës. U vranë civilë të pafajshëm, fëmijë, gra e të moshuar, u dëbuan mijëra familje dhe u shkatërruan fshatra e qytete të tëra.
Institucionet ndërkombëtare të drejtësisë kanë dokumentuar krime të kryera nga forcat e Republikës Federale të Jugosllavisë dhe Serbisë ndaj civilëve shqiptarë të Kosovës, përfshirë vrasje, dëbime me forcë dhe persekutim. Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë ka konstatuar një fushatë të gjerë dhune dhe dëbimi ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës në vitin 1999.
Përballë kësaj dhune dhe represioni, populli i Kosovës luftoi për mbijetesë, dinjitet dhe liri. Djemtë dhe vajzat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mbrojtën pragun e shtëpisë dhe u bënë pjesë e përpjekjes historike për çlirimin e vendit tonë.
Liria dhe pavarësia e Kosovës janë rezultat i sakrificës së shumë brezave, i rezistencës politike dhe paqësore të udhëhequr nga Presidenti historik Ibrahim Rugova, i luftës së UÇK-së dhe i mbështetjes vendimtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s. Kjo është një trashëgimi e përbashkët kombëtare, të cilën kemi përgjegjësi ta ruajmë dhe ta mbrojmë.
Si Lidhje Demokratike e Kosovës, jemi të përkushtuar ndaj shtetit të së drejtës dhe besojmë se duhet të shterohen të gjitha mundësitë ligjore, përfshirë edhe këtë deklaratë të kuvendit komunal që sot do e votojmë.
Në të njëjtën kohë, u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve dhe përfaqësuesve politikë që në këtë periudhë të tregojnë qetësi, maturi dhe përgjegjësi. Duhet të shmangim gjuhën që nxit tensione dhe të ruajmë unitetin qytetar, sepse përballë sfidave të tilla, Kosova ka nevojë për solidaritet dhe përgjegjësi të përbashkët.
Historia e UÇK-së nuk mund të gjykohet si histori kriminale. Lufta e popullit të Kosovës ishte për liri, mbijetesë dhe çlirim nga represioni.
Prandaj, qëndrimi ynë është i qartë: ta ruajmë të vërtetën historike, ta mbrojmë shtetin tonë dhe të mos lejojmë që ndasitë politike të cenojnë unitetin e qytetarëve të Kosovës.
Dhe nga ky Kuvend Komunal, mesazhi ynë duhet të jetë i qartë:
Respektojmë drejtësinë.
Respektojmë institucionet.
Respektojmë të drejtat e qytetareve tanë
Por nuk lejojmë që historia e luftës për lirinë e Kosovës të fshihet, të mohohet apo të deformohet.
Liria jonë ka kushtuar shumë. Shteti ynë është përgjegjësi e të gjithëve.
UÇK-ja mbetet pjesa më krenare e historisë moderne të popullit tonë; dje, sot e përjetësisht.
Ju faleminderit!