19/10/2026
Në vazhdën e aktiviteteve ndërgjegjësuese, shkolla jonë pati nderin të jetë nikoqire e hapjes zyrtare të fushatës vetëdijësuese në nivel komunal kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Qëllimi i aktivitetit ishte informimi i nxënësve mbi format dhe rreziqet e trafikimit, rëndësinë e parandalimit dhe raportimit të rasteve të dyshimta, duke përcjellë mesazhin se informimi parandalon shfrytëzimin, ndërsa reagimi me kohë mund të shpëtojë jetë.
Në aktivitet morën pjesë drejtoresha e Arsimit, znj. Naile Kovaçi Bekteshi, zyrtarja e DKA-së, znj. Kadrije Meniqi, udhëheqësja e Sektorit për të Drejtat e Njeriut dhe Barazi Gjinore, znj. Remzije Zekolli, si dhe zyrtarja policore, znj. Aferdita Arifi të cilat u mirëpritën nga drejtoresha e shkollës, znj. Shqipe Dubovci, dhe të angazhimit të përbashkët në ndërgjegjësimin dhe mbrojtjen e nxënësve nga dukuritë e rrezikshme, duke riafirmuar përkushtimin e shkollës ndaj sigurisë dhe mirëqenies së tyre ndërsa Znj. Remzije Zekolli bëri hapjen zyrtare të fushatës e cila theksoi rëndësinë e ndërgjegjësimit dhe angazhimit të përbashkët në parandalimin e trafikimit të qenieve njerëzore.
Në realizimin e aktivitetit një rol të veçantë në konceptimin dhe realizimin e aktiviteteve ndërgjegjësuese pati psikologia shkollore, Ardiana Mernica, e cila trajtoi aspektin psikologjik të trafikimit të qenieve njerëzore, duke vënë theksin te njohja e manipulimit, identifikimi i situatave të rrezikshme, mbrojtja e kufijve personalë dhe rëndësia e kërkimit të ndihmës në kohë. Theksin kryesor dha edhe zyrtarja policore Aferdita Arifi mbajti ligjëratë ndërgjegjësuese mbi format e trafikimit, identifikimin e rreziqeve, parandalimin dhe raportimin e rasteve dhe vetëdijësoi nxënësat mbi të drejtat, shkeljen ligjore dhe mbrojtjen e tyre nga trafikantët. Gjithashtu, psikologia e shkollës në bashkëpunim me mësimdhënësen e gjuhës shqipe, Merita Barileva, dhe një grup nxënësish, ajo udhëhoqi realizimin e prezantimeve me projekte, videove vetëdijësuese dhe punimeve me ese, duke e shndërruar ndërgjegjësimin në një përvojë edukative, reflektuese dhe kreative për nxënësit. Në aktivitet kontribuuan gjithashtu këshilltarja e karrierës, Nora Haxhaj, dhe mësimdhënësja e kimisë, Enka Bytyqi.
SHMU-2 Vushtrri shpreh mirënjohje për të gjitha përfaqësueset institucionale, stafin shkollor dhe nxënësit për kontributin dhe angazhimin e tyre. Ky aktivitet riafirmon përkushtimin e shkollës për edukimin, parandalimin dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe të rinjve. Sepse ndërgjegjësimi shpëton, bashkëpunimi mbron dhe asnjë fëmijë nuk duhet të mbetet i pambrojtur përballë shfrytëzimit!