24/06/2026
Me pjesëmarrjen e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, u zhvillua takimi i organizuar nga Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, z. Ervin Demo, dhe Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Enea Karakaçi për prezantimin e Planit të Veprimit për sistemimin e rrjeteve ajrore të komunikimeve elektronike dhe nisjen e zbatimit të tij në bashkitë e vendit.
Gjatë takimit, Kryeministri Edi Rama theksoi se tashmë janë krijuar kushtet për të adresuar një problematikë të akumuluar ndër vite, duke nënvizuar se është e mundur të pastrohen qytetet nga kabllot jashtë funksionit, të cilat sipas inventarizimit përbëjnë pjesën dërrmuese të rrjeteve ajrore ekzistuese dhe mbeten si dëshmi e një periudhe zhvillimi të domosdoshëm, por që sot kërkon standarde të reja dhe më të avancuara.
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, z. Ervin Demo, vlerësoi se procesi nuk përfaqëson thjesht zhvendosjen e kabllove nga ajri në tokë, por një hap të rëndësishëm drejt administrimit më të mirë të territorit, krijimit të qyteteve më të rregullta dhe vendosjes së një standardi të ri për menaxhimin e hapësirës publike, duke theksuar rolin qendror të bashkive në zbatimin e kësaj nisme.
Ndërsa Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, z. Enea Karakaçi, theksoi se nisma mbështet zhvillimin e rrjeteve të komunikimeve elektronike dhe politikat e qeverisë për zgjerimin e shërbimeve digjitale në të gjithë territorin e vendit, duke vënë në dukje edhe mbështetjen e siguruar për bashkitë përmes asistencës së Bashkimit Evropian për ngritjen e strukturave të nevojshme vendore për zbatimin e procesit.
Në funksion të koordinimit në nivel kombëtar të këtij procesi, Kryetari i AKEP, z. Gentian Sala, prezantoi rolin e Agjencisë në zbatimin e planit dhe masat e ndërmarra për mbështetjen e bashkive.
Gjatë prezantimit të planit, Kryetari i AKEP theksoi se problematika e kabllove të vendosura në mënyrë të çrregullt në hapësirat publike lidhet me nevojën për një koordinim më të fortë institucional.
“Duhet të kuptohet se problematika e mosrregullimit të kabllove nuk ka mbetur pezull për shkak të mungesës së kuadrit ligjor. Sot kemi instrumentet e nevojshme për të vepruar. Ajo që kërkohet është prioritet, koordinim dhe angazhim i përbashkët për ta zgjidhur këtë problem në mënyrë të qëndrueshme”, u shpreh Sala.
Afati i zbatimit të planit është trevjeçar dhe, pas këtij takimi, çdo bashki do të pajiset me një plan konkret veprimi.
Sipas planit, bashkitë do të përcaktojnë zonat prioritare ku do të nisë ndërhyrja, me fokus të veçantë në zonat qendrore, turistike dhe hapësira të tjera me rëndësi publike.
“Mesazhi ynë është i qartë: pastrimi dhe sistemimi i rrjeteve duhet të shoqërohet me respektim të plotë të standardeve. AKEP do të jetë në krah të bashkive dhe operatorëve për ta realizuar këtë proces, por njëkohësisht do të ushtrojë me vendosmëri kompetencat e saj mbikëqyrëse për të garantuar respektimin e rregullave”, përfundoi Sala.