31/10/2026
Disa njerëz i njeh fillimisht përmes ideve dhe punës së tyre, duke krijuar distancën imagjinare me personin V.I.P. Më pas, pa e kuptuar, bëhen pjesë e mënyrës se si imagjinon dhe ndërton të ardhmen tënde.
Për mua, Christine Lagarde ishte një prej tyre.
Në vitet kur punoja si ekonomiste në Bankën e Shqipërisë, e ndiqja me admirim. Në një botë ku majat e autoritetit ekonomik dukej se kishin një gjini të përcaktuar, ajo më bëri të besoja se tavanet prej xhami mund të thyheshin. Se mund të guxoje të synoje më lart, edhe kur rruga dukej e shtruar për të tjerë.
Kohë më vonë, në vitin 2023, tashmë si zëvendësministre e Financave dhe Ekonomisë, u riktheva në FMN për Takimet e Pranverës, pas një mungese në këtë ndërtesë të njohur për ekonomistët që nga koha kur punoja në Bankën Qendrore. Ishte një rikthim në një botë që e njihja, por tashmë nga një këndvështrim tjetër. Mes ditëve të mbushura me takime dhe angazhime, ndodhi një nga ato pakujdesitë e vogla që mund të të ndryshojnë ditën: kisha harruar kartën e aksesit në një nga sallat e shumta të takimeve. U riktheva për ta marrë dhe, në korridor, u gjenda përballë Christine Lagarde. E përshëndeta, thjesht ashtu për mirësjellje. Ajo ma ktheu me një ngrohtësi të veçantë, sikur të njiheshim prej vitesh. Sigurisht që bëmë dhe një foto, pasi siç mendon Gen Z, nëse nuk është në rrjete sociale, nuk ka ndodhur 😊. Kuptova se madhështia e figurës që kisha ndjekur e admiruar për kaq gjatë, nuk qëndronte vetëm tek arritjet, por edhe tek mënyra se si i bënte të tjerët të ndihen.
Takimi ynë i fundit ishte në Aachen, në darkën e Çmimit Charlemagne, që këtë vit iu akordua Mario Draghit, një tjetër figurë e madhe në botën e bankingut qendror. Në morinë e njerëzve, shkëmbyem një vështrim të shpejtë. Iu afrova për ta përshëndetur. “Të mbaj mend”, më tha.
Sigurisht nuk mendoj se më mbante mend vërtet. Por ndonjëherë, mjafton një gjest apo një fjalë për të të kujtuar se pas figurës së madhe të profesionistit qëndrojnë njerëz me një dimension të madh e thellësisht njerëzor.
Christine Lagarde largohet nga drejtimi i Bankës Qendrore Evropiane, duke lënë pas një kapitull të rëndësishëm në historinë e ekonomisë evropiane. Për mua, ajo lë edhe një gjurmë më personale, shembullin e një gruaje që më bëri të shihja përtej kufijve të kohës së saj, dhe të besoja se edhe të mitë mund të kapërceheshin.
Faleminderit, Christine Lagarde. Për atë që ke arritur, për atë që ke përfaqësuar dhe, mbi të gjitha, për atë që ke frymëzuar në breza të tërë grash dhe vajzash profesioniste. Në këto kohë “moderne” të rrjeteve sociale, vajzës sime pesë vjeçare do i uroja të ketë fatin të udhëhiqet nga modele të tilla frymëzimi në jetë.