Shpëtimi Alpin dhe Speleologjik i Shqipërisë

Shpëtimi Alpin dhe Speleologjik i Shqipërisë Shpëtimi Alpin dhe Speleologjik i Shqipërisë
/
Alpin and Speleological Rescue of Albania

01/08/2026

KOMUNIKATË !

Një tjetër mision kërkim-shpëtimi i realizuar me sukses nga Shpëtimi Alpin dhe Speleologjik i Shqipërisë

Në natën mes 31 korrikut dhe 1 gushtit, Shpëtimi Alpin dhe Speleologjik i Shqipërisë pranoi një kërkesë për mbështetje nga Stacioni i Policisë Orikum. Rreth orës 23:50, pas një sinjalizimi të ardhur nga Ambasada e Gjermanisë në Shqipëri, u raportua se dy të rinj 17-vjeçarë me shtetësi gjermane, gjatë eksplorimit të Gadishullit të Karaburunit, kishin humbur orientimin dhe nuk arrinin të ktheheshin në mënyrë të sigurt.

Menjëherë u organizua ekipi i Stacionit të Vlorës, i cili u nis drejt zonës së dyshuar. Pas disa orësh kërkime intensive, dy të rinjtë u lokalizuan pranë zonës së njohur si "Ravena".

Pasi u vlerësua gjendja e tyre shëndetësore dhe u asistuan me ujë të pijshëm dhe ushqime, nisi evakuimi në rrugë tokësore. Operacioni përfundoi me sukses dhe të rinjtë iu dorëzuan Stacionit të Policisë Orikum në orën 04:30 të mëngjesit të datës 1 gusht.

Shpëtimi Alpin dhe Speleologjik i Shqipërisë falënderon të gjithë vullnetarët dhe bashkëpunëtorët e përfshirë në këtë operacion për profesionalizmin, përkushtimin dhe gatishmërinë e tyre.

Përsërisim thirrjen për të gjithë ata që planifikojnë aktivitete në natyrë dhe eksplorime në zona të thella: planifikoni me kujdes itinerarin, informohuni nga burime të besueshme, pajisuni siç duhet dhe shoqërohuni nga një guidë lokale ose njohës i zonës. Parandalimi mbetet mënyra më e mirë për të shmangur situatat e rrezikshme.

KOMUNIKATË !OPERACION SHPËTIMI NË MAJËN E ÇIKËS | 29–30 KORRIK 2026Shpëtimi Alpin dhe Speleologjik i Shqipërisë përfundo...
30/07/2026

KOMUNIKATË !

OPERACION SHPËTIMI NË MAJËN E ÇIKËS | 29–30 KORRIK 2026

Shpëtimi Alpin dhe Speleologjik i Shqipërisë përfundoi me sukses një operacion të vështirë shpëtimi në zonën e Majës së Çikës.

Menjëherë pas marrjes së thirrjes për ndihmë, rreth orës 10:00 të datës 29 korrik 2026, u aktivizua skuadra e Stacionit të Vlorës për t'i ardhur në ndihmë një turisti me shtetësi çeke, i cili kishte mbetur i bllokuar në afërsi të Majës së Çikës, në krahun e Valit të Bufit.

Skuadra e Shpëtimit Alpin dhe Speleologjik, në bashkëpunim me tre efektivë të Forcës Kombëtare të Sigurisë (FNSH), u angazhua menjëherë në operacion. Pas një marshimi në terren tepër të vështirë u arrit kontakti viziv me turistin. Duke vlerësuar konfigurimin ekstrem të terrenit dhe rrezikun e lartë, u vendos që vetëm ekipi i Shpëtimit Alpin dhe Speleologjik të vazhdonte afrimin drejt personit të bllokuar.

Pas vlerësimit në vendngjarje, u konstatua se terreni i rrezikshëm dhe gjendja e lodhjes së theksuar fizike të turistit e bënin evakuimin tokësor me rrezik të lartë për jetën e tij dhe të ekipit të shpëtimit. Për këtë arsye, në koordinim me Forcën Ajrore të Ministrisë së Mbrojtjes, u mor vendimi për evakuim nga ajri.

Falë profesionalizmit, koordinimit dhe përkushtimit të të gjitha strukturave të përfshira, evakuimi u realizua me sukses dhe operacioni përfundoi në orën 13:00 të datës 30 korrik 2026.

Shpëtimi Alpin dhe Speleologjik i Shqipërisë shpreh mirënjohjen e tij për të gjithë pjesëmarrësit në këtë operacion, Forcën Ajrore të Ministrisë së Mbrojtjes, efektivët e Forcës Kombëtare të Sigurisë (FNSH), si dhe çdo person që kontribuoi me profesionalizëm dhe përkushtim në përfundimin me sukses të këtij misioni.

Ky është një tjetër rast që rikthen në vëmendje rëndësinë e planifikimit të çdo aktiviteti në terren malor. Turisti po udhëtonte i vetëm, një praktikë që rrit ndjeshëm rrezikun në rast emergjence.

I bëjmë thirrje të gjithë vizitorëve dhe organizatorëve të aktiviteteve në natyrë që:
• të planifikojnë me kujdes itinerarin dhe kohën e udhëtimit;
• të informohen paraprakisht për vështirësinë e terrenit dhe kushtet atmosferike;
• të pajisen me mjetet e nevojshme të orientimit dhe komunikimit;
• dhe, mbi të gjitha, të mos ndërmarrin itinerare të tilla vetëm, por të shoqërohen nga një guidë lokale ose persona me përvojë në zonë.

Parandalimi mbetet forma më e mirë e shpëtimit. Një vendim i mirë para nisjes mund të shmangë situata që rrezikojnë jetën dhe kërkojnë angazhimin e strukturave të emergjencës.

KOMUNIKATË !Në datën 18 korrik 2026, rreth orës 21:00, Shpëtimi Alpin dhe Speleologjik i Shqipërisë – Stacioni Vlorë u a...
19/07/2026

KOMUNIKATË !

Në datën 18 korrik 2026, rreth orës 21:00, Shpëtimi Alpin dhe Speleologjik i Shqipërisë – Stacioni Vlorë u aktivizua pas marrjes së njoftimit se, në afërsi të Majës së Qorres, në vendin e njohur si "Gropat e Qorres", një grup prej 5 turistësh me shtetësi gjermane kishte humbur orientimin gjatë ecjes në terren malor.

Sipas informacionit paraprak, një prej anëtarëve të grupit kishte pësuar traumë në gjymtyrët e sipërme dhe të poshtme (krah dhe këmbë), duke e bërë të pamundur vazhdimin e lëvizjes në mënyrë të pavarur dhe, për pasojë, duke penguar edhe lëvizjen e sigurt të pjesës tjetër të grupit.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, u organizua dhe u dislokua ekipi i Shpëtimit Alpin dhe Speleologjik – Stacioni Vlorë, i pajisur me mjetet dhe pajisjet teknike të nevojshme për ndërhyrje në terren të vështirë malor dhe për evakuim tokësor.

Operacioni i kërkim-shpëtimit dhe evakuimit u zhvillua në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Shtetit, Shërbimin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit të Bashkisë Himarë dhe Administratën Rajonale të Zonave të Mbrojtura Vlorë.

Operacioni përfundoi rreth orës 03:00 të mëngjesit të datës 19 korrik 2026. Katër turistët e tjerë u shoqëruan në mënyrë të sigurt deri te automjeti i tyre, ndërsa personi i dëmtuar iu dorëzua ekipit të urgjencës mjekësore për trajtim të mëtejshëm. Fatmirësisht, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Nga verifikimet e kryera rezultoi se grupi i turistëve po lëvizte në itinerar i pashoqëruar nga guida malore të certifikuara ose njohës lokalë të zonës, Shpëtimi Alpin dhe Speleologjik i Shqipërisë u bën thirrje të gjithë vizitorëve vendas dhe të huaj që zgjedhin të eksplorojnë natyrën dhe zonat malore të Shqipërisë të planifikojnë aktivitetet me përgjegjësi, të informohen paraprakisht mbi itinerarin dhe kushtet e terrenit si dhe të shoqërohen gjithmonë nga guida malore të certifikuara ose guida lokale me njohuri të mirë të zonës. Kjo është masa më e rëndësishme për parandalimin e incidenteve dhe garantimin e një eksperience të sigurt në natyrë.

Shpëtimi Alpin dhe Speleologjik i Shqipërisë falënderon të gjitha strukturat pjesmarresegjatë këtij operacioni kërkim - shpëtimi.

KOMUNIKATË !Më datë 14 korrik 2026, Shpëtimi Alpin dhe Speleologjik i Shqipërisë (SHASSH) mori një thirrje për ndihmë, k...
15/07/2026

KOMUNIKATË !

Më datë 14 korrik 2026, Shpëtimi Alpin dhe Speleologjik i Shqipërisë (SHASSH) mori një thirrje për ndihmë, ku raportohej se një turiste kishte pësuar dëmtim të rëndë në këmbë (thyerje) në afërsi të Shpellës së Pëllumbasit, fshati Pëllumbas, Tiranë, dhe kishte nevojë për evakuim.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, skuadrat e Shpëtimit Alpin dhe Speleologjik të Shqipërisë u nisën drejt zonës së aksidentit, të pajisura me mjetet dhe pajisjet e nevojshme për ndërhyrjen, stabilizimin dhe transportimin e personit të dëmtuar.

Pas mbërritjes në vendngjarje, ekipet tona kryen imobilizimin e gjymtyrës së dëmtuar dhe më pas realizuan me kujdes evakuimin dhe transportin e turistes me shtetësi gjermane drejt pikës së dorëzimit te mjeti i ambulancës së Urgjencës Mjekësore, për të marrë ndihmën e mëtejshme të specializuar.

I urojmë turistes së dëmtuar shërim sa më të shpejtë dhe rikuperim të plotë.

Ky operacion është një tjetër dëshmi e misionit dhe përkushtimit të Shpëtimit Alpin dhe Speleologjik të Shqipërisë për t’iu ardhur në ndihmë personave në vështirësi, pavarësisht terrenit, kushteve apo rrethanave të vështira.

Ekipet tona mbeten gjithmonë në gatishmëri për të kontribuar në mbrojtjen e jetës dhe sigurinë e të gjithë atyre që zgjedhin të eksplorojnë natyrën shqiptare.

KOMUNIKATË PËR OPINIONIN PUBLIKMbi aksidentin dhe operacionin e kërkim-shpëtimit zhvilluar ne Lumin Mat, prane Ures se V...
15/07/2026

KOMUNIKATË PËR OPINIONIN PUBLIK

Mbi aksidentin dhe operacionin e kërkim-shpëtimit zhvilluar ne Lumin Mat, prane Ures se Vashes.

Me dhimbje të thellë, Shpëtimi Alpin dhe Speleologjik i Shqipërisë (SHASSH) informon opinionin publik mbi aksidentin tragjik dhe operacionin e kërkim-shpëtimit për kolegun, mikun dhe vëllain tonë, Erkin Lika.

Erkin Lika, së bashku me një anëtar dhe mik të skuadrës sonë, gjatë fundjavës dhe në kohën e tyre të lirë, kishin vendosur të zhvillonin një aktivitet sportiv në lumin Mat, pranë Urës së Vashës. Qëllimi i këtij aktiviteti ishte ecja në natyrë, zhvillimi i aktivitetit sportiv, si dhe rikujtimi praktik i teknikave të kërkim-shpëtimit.

Ky aktivitet ishte plotësisht personal dhe nuk ishte pjesë e planit vjetor stërvitor apo aktiviteteve zyrtare të Shpëtimit Alpin dhe Speleologjik të Shqipërisë. Si shumica e anëtarëve të organizatës sonë, edhe Erkini ishte i apasionuar pas natyrës dhe ushtronte rregullisht sporte outdoor. Ai ishte një speleolog dhe alpinist i mirë, i cili kishte zgjedhur ta jetonte natyrën me të njëjtin pasion me të cilin kishte zgjedhur t'i shërbente komunitetit.

Ditën e shtunë, më 11 korrik 2026, rreth orës 15:30, u njoftuam se gjatë lëvizjes në shtratin e lumit, Erkini kishte humbur ekuilibrin dhe ishte rrëmbyer nga rrjedha e ujit, duke përfunduar në një zonë me rryma të forta dhe terren tepër të vështirë për ndërhyrje.

Menjëherë pas marrjes së informacionit, drejt vendngjarjes u nisën të gjitha skuadrat e Shpëtimit Alpin dhe Speleologjik të Shqipërisë, të cilat filluan operacionin e kërkimit.

Për shkak të kompleksitetit të terrenit dhe vështirësisë së ndërhyrjes, u kërkua mbështetje nga Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës, si dhe nga organizata BREATH Kosova, të cilat iu përgjigjën menjëherë thirrjes sonë dhe u angazhuan në operacion. Njëkohësisht, u organizua edhe një skuadër shpëtuesish nga Italia, e cila qëndroi në gatishmëri në rast se operacioni do të zgjaste dhe do të kërkonte mbështetje shtesë.

Në vendngjarje u angazhuan gjithashtu:

* Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Shqipërisë;
* Policia e Shtetit;
* Reparti Special RENEA;
* Forcat e Armatosura;
* shërbimet zjarrfikëse;
* si dhe struktura të tjera mbështetëse.

Operacioni u koordinua dhe u organizua në bashkëpunim të ngushtë ndërmjet Shpëtimit Alpin dhe Speleologjik të Shqipërisë, Shërbimit të Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës, ekipit të BREATH Kosova, institucioneve shtetërore dhe të gjithë personelit të angazhuar në terren.

Për shkak të karakteristikave të lumit dhe kompleksitetit të operacionit, ndërhyrja u zhvillua me kujdes të veçantë dhe me standarde maksimale sigurie. Gjatë operacionit u përdorën teknika dhe pajisje të specializuara të kërkim-shpëtimit, sisteme me litarë, pajisje zhytjeje, mjete për menaxhimin dhe devijimin e kontrolluar të rrymave lumore, si dhe pajisje të tjera të nevojshme për operacione të kësaj natyre.

Pas orësh të gjata pune, përpjekjesh dhe kërkimesh të pandërprera, më 13 korrik 2026, rreth orës 12:40, u bë i mundur lokalizimi dhe evakuimi i trupit të pajetë të vëllait, shokut dhe kolegut tonë, Erkin Lika.

Humbja e Erkin Likës është një humbje e madhe për të gjithë komunitetin e kërkim-shpëtimit dhe speleologjisë në Shqipëri.

Erkini ishte themelues dhe Zëvendëskryetar i Shoqatës Speleologjike Shqiptare, si dhe themelues dhe Zëvendëskryetar i Shpëtimit Alpin dhe Speleologjik të Shqipërisë. Ai ishte një dashamirës i jashtëzakonshëm i natyrës, speleolog dhe alpinist i përkushtuar, i cili gjatë viteve kishte marrë pjesë në një numër të madh operacionesh kërkim-shpëtimi, stërvitjesh dhe aktivitetesh vullnetare, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në ndërtimin dhe zhvillimin e kapaciteteve të organizatës sonë.

Në emër të Shpëtimit Alpin dhe Speleologjik të Shqipërisë shprehim mirënjohjen tonë më të thellë për të gjithë ata që u bënë pjesë e këtij operacioni dhe që qëndruan pranë nesh gjatë këtyre ditëve të vështira.

Falënderojmë veçanërisht:

* Shërbimin e Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës;
* organizatën BREATH Kosova;
* Shërbimin e Kërkim-Shpëtimit Malor të Shqipërisë;
* Policinë e Shtetit;
* Repartin Special RENEA;
* Forcat e Armatosura;
* shërbimet zjarrfikëse;
* të gjithë vullnetarët dhe personelin e angazhuar në operacion.

Profesionalizmi, solidariteti dhe bashkëpunimi i treguar gjatë këtyre ditëve përfaqësojnë vlerat më të mira të komunitetit të kërkim-shpëtimit dhe dëshmojnë se përballë fatkeqësive jemi të bashkuar.

Në këto momente të rënda, i shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta familjes Lika, të afërmve, miqve dhe kolegëve të Erkin Likës.

Kujtimi, përkushtimi dhe kontributi i tij do të mbeten përgjithmonë pjesë e historisë së Shpëtimit Alpin dhe Speleologjik të Shqipërisë.

U prehsh në paqe, vëlla. Misioni dhe shembulli yt do të jetojnë gjithmonë mes nesh.

Shpëtimi Alpin dhe Speleologjik i Shqipërisë (SHASSH)

KOMUNIKATËShpëtimi Alpin dhe Speleologjik i Shqipërisë pranoi një thirrje për ndihmë nga Zjarrfikësja e Tiranës në orën ...
04/07/2026

KOMUNIKATË

Shpëtimi Alpin dhe Speleologjik i Shqipërisë pranoi një thirrje për ndihmë nga Zjarrfikësja e Tiranës në orën 16:50 në të cilën raportohej se një turiste e huaj shfaqte gjendje të paqëndrueshme mjekësore, menjëherë nga Shpëtimi Alpin Speleologjik - Stacioni Tiranë një skuadër u nis drejt zonës së Syrit të Ciklopit në fshatin Krrabë, Tiranë .
Me mbërritjen në vendngjarje u konstatua se një shtetase kanadeze 64-vjeçare, paraqiste gjendje të rënduar shëndetësore. Pas vlerësimit të situatës dhe konsultimit me mjekun që shoqëronte operacionin, ekipi realizoi imobilizimin e saj në barrelë dhe e transportoi në mënyrë të sigurt përgjatë terrenit të vështirë.
Operacioni u zhvillua në bashkëpunim me Shërbimin e Zjarrfikëses, forcat RENEA, Policinë e Shtetit, banorët e zonës dhe nën shoqërimin e mjekut, duke dëshmuar rëndësinë e koordinimit ndërinstitucional në menaxhimin e emergjencave.
Në orën 19:00, e shtetësja kanadeze iu dorëzua ekipit të urgjencës për të vijuar trajtimin e specializuar mjekësor.

Falënderojmë të gjitha strukturat pjesëmarrëse për bashkëpunimin, profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar gjatë këtij operacioni.

Operacion !Shpëtimi Alpin dhe Speleolgjik i Shqipërisë sapo ka pranuar një thirrje për ndihmë në vendin e quajtur "Syri ...
04/07/2026

Operacion !

Shpëtimi Alpin dhe Speleolgjik i Shqipërisë sapo ka pranuar një thirrje për ndihmë në vendin e quajtur "Syri i Ciklopit", Krrabë, Tiranë.

Menjëherë është organizuar një skuader e stacionit të Tiranës dhe së bashku me forcat zjarrfikëse janë nisur në drejtim të vendngjarjes.

Për më tepër detaje ju bëjmë të ditur në një komunikim të dytë.

KOMUNIKATË !Më datë 28 qershor 2026, pas njoftimit se një turist me shtetësi polake kishte pësuar dëmtime gjatë eksplori...
29/06/2026

KOMUNIKATË !

Më datë 28 qershor 2026, pas njoftimit se një turist me shtetësi polake kishte pësuar dëmtime gjatë eksplorimit në Kanionin e Gjipesë dhe nuk ishte më në gjendje të vazhdonte lëvizjen, Shpëtimi Alpin dhe Speleologjik i Shqipërisë aktivizoi menjëherë operacionin e kërkim-shpëtimit.

Një skuadër nga Stacioni Vlorë, së bashku me anëtarë të tjerë të ekipit të pozicionuar në Dhërmi, u nis menjëherë drejt vendngjarjes. Pas mbërritjes dhe vlerësimit të situatës, u konstatua se, përveç personit të dëmtuar, ishte e nevojshme edhe evakuimi i tre personave të tjerë, të cilët ndodheshin në një zonë me terren të vështirë dhe nuk mund të largoheshin në mënyrë të sigurt.

Në bashkëpunim me Shërbimin Zjarrfikës të Himarës, Policinë e Shtetit, Qendrën Kombëtare të Urgjencës Mjekësore dhe Forcën Ajrore, u organizua operacioni i evakuimit.

Operacioni nisi rreth orës 19:00, ku ekipet përdorën teknika dhe pajisje alpine për të realizuar ndërhyrjen në një terren të vështirë. Për shkak të konfigurimit të zonës dhe errësirës, evakuimi u krye plotësisht nga toka, duke kërkuar koordinim të lartë dhe angazhim të vazhdueshëm nga të gjitha ekipet pjesëmarrëse.

Pas rreth katër orësh pune intensive, operacioni përfundoi me sukses rreth orës 23:00. Personi i dëmtuar iu dorëzua ekipit të Urgjencës Mjekësore për trajtim të mëtejshëm, ndërsa tre personat e tjerë u shoqëruan në mënyrë të sigurt deri te automjeti i tyre.

Shpëtimi Alpin dhe Speleologjik i Shqipërisë falenderon sinqerisht të gjitha strukturat që kontribuan në këtë operacion, në veçanti Shërbimin Zjarrfikës të Himarës, Policinë e Shtetit, Qendrën Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, Forcën Ajrore, si edhe të gjithë efektivët dhe vullnetarët që morën pjesë në ndërhyrje. Bashkëpunimi, profesionalizmi dhe përkushtimi i tyre bënë të mundur përfundimin me sukses të këtij operacioni.

Njëkohësisht, u bëjmë thirrje të gjithë turistëve dhe aventurierëve që zgjedhin të zhvillojnë aktivitete në zona malore, kanione apo terrene të tjera të vështira, të planifikojnë udhëtimet me përgjegjësi, të zgjedhin guida turistike profesionale dhe të licencuara, si edhe të informohen në mënyrë të detajuar mbi karakteristikat e terrenit, kushtet atmosferike dhe rreziqet që mund të hasin gjatë aktivitetit. Parandalimi dhe përgatitja janë elementë kyç për zhvillimin e aktiviteteve në natyrë në mënyrë të sigurt.

Shpëtimi Alpin dhe Speleologjik i Shqipërisë i uron shërim sa më të shpejtë turistit të dëmtuar dhe rikonfirmon gatishmërinë e tij për t'iu ardhur në ndihmë të gjithë qytetarëve dhe vizitorëve që gjenden në situata emergjente, në çdo kohë dhe në çdo cep të vendit.

Address

Farke E Madhe, Zona Kadastrale 1604, Numri I Pasurise 935/12, Apartamenti 0
Tirana
1000

Alerts

Be the first to know and let us send you an email when Shpëtimi Alpin dhe Speleologjik i Shqipërisë posts news and promotions. Your email address will not be used for any other purpose, and you can unsubscribe at any time.

Contact The Organization

Send a message to Shpëtimi Alpin dhe Speleologjik i Shqipërisë:

Shortcuts

Share