08/07/2026
Olta Manjani..
📌 Punësimi i të rinjve dhe lehtësimi i tranzicionit nga bankat e shkollës drejt tregut të punës mbetet një nga sfidat më të mëdha edhe për Bashkimin Evropian. Sipas të dhënave më të fundit të Eurostat, rreth 11% e të rinjve 15–29 vjeç në BE janë NEET, pra nuk janë as në punësim, as në arsim apo formim profesional. Për t’iu përgjigjur kësaj sfide, Bashkimi Evropian ka bashkëfinancuar një nga programet më të rëndësishme për punësimin e të rinjve, Garancinë Rinore, të cilën Shqipëria po e zbaton tashmë në shkallë kombëtare. Nga nisja e fazës së parë të zbatimit të këtij programi, paralelisht me programet e tjera të nxitjes së punësimit, kjo normë është reduktuar nga 25% në vitin 2023 në 20.1%, referuar të dhënave më të fundit të INSTAT.
Në mbledhjen e Grupit Teknik të Punës bëmë një vlerësim të ecurisë së reformës dhe të hapave të mëtejshëm për zbatimin e Planit të Zbatimit të Garancisë Rinore 2026–2028. Viti 2026 shënon kalimin nga faza pilot drejt shtrirjes në të gjithë vendin, ndërsa shërbimet ofrohen tashmë në çdo zyrë pune. Deri më sot, mbi 3,700 të rinj NEET janë përfshirë në skemë dhe mbi 2,500 kanë përfituar një ofertë cilësore për punësim, arsim ose formim profesional.
Garancia Rinore është një reformë që shkon përtej politikave të punësimit. Ajo është pjesë e përmbushjes së standardeve të Bashkimit Evropian në fushën e punësimit dhe përfshirjes sociale, duke afruar Shqipërinë me praktikat më të mira evropiane dhe duke e bërë procesin e integrimit të prekshëm në jetën e përditshme të të rinjve. Me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe angazhimin e institucioneve shqiptare, po ndërtojmë një sistem që u ofron të rinjve më shumë mundësi për të ndërtuar të ardhmen e tyre në Shqipëri.