16/09/2026
Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Rezultati”. Zbulohet një lokal në rrugën “Thoma Koxhaj”, i përshtatur për sh*tje të lëndëve narkotike dhe lojëra fati.
Arrestohet në flagrancë pronari i subjektit.
Vihet në hetim djali i tij, pasi mbante në banesë, në mënyrë të kundërligjshme, disa sende.
Sekuestrohen sasi lënde e dyshuar narkotike Cannabis Sativa (e ndarë në doza, gati për sh*tje), pajisje dhe sende nëpërmjet të cilave luheshin lojëra fati të ndryshme, 1 radio, 1 palë pranga, 1 mjet prerës (thikë) dhe sasi fishekësh.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6, si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara gjatë punës operative, ndërhynë në ambientet e një lokali në rrugën “Thoma Koxhaj” që dyshohej se ishte vënë në dispozicion të disa veprimtarive kriminale.
Për rastin, në kuadër të operacionit të koduar “Rezultati”, u arrestua pronari i lokalit, shtetasi E. C., 47 vjeç, banues në Vaqarr.
Nga kontrollet në këtë ambient u gjetën doza të lëndës së dyshuar narkotike Cannabis Sativa, gati për sh*tje, si dhe pajisje dhe sende nëpërmjet të cilave dyshohet se luheshin lojëra fati të ndryshme.
Në vijim të veprimeve procedurale u krye kontroll në banesën e 47-vjeçarit, ku u gjetën 1 radio, 1 palë pranga, 1 mjet prerës (thikë) dhe sasi fishekësh, që dyshohet se posedoheshin në mënyrë të kundërligjshme, nga djali i tij, shtetasi K. C., 22 vjeç, për të cilin nisi procedimi në gjendje të lirë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.