22/11/2026
Miliona fëmijë në Europë mbeten të rrezikuar nga varfëria: Eurochild bën thirrje për investime urgjente
Bruksel, 20 nëntor 2026 – Pothuajse një në katër fëmijë në Bashkimin Europian vazhdon të jetojë në rrezik varfërie ose përjashtimi social. Me rastin e Ditës Botërore të Fëmijëve, Eurochild u bën thirrje qeverive dhe institucioneve europiane që angazhimet për të drejtat e fëmijëve t'i kthejnë në investime konkrete dhe afatgjata në mbrojtjen sociale, shërbimet bazë dhe sistemet e mbrojtjes së fëmijëve.
Sipas raportit më të fundit të Eurochild për vitin 2026, “Të drejtat kanë nevojë për burime” (Rights Need Resources), 24.3% e fëmijëve në Bashkimin Europian ishin të rrezikuar nga varfëria ose përjashtimi social gjatë vitit 2025.
Raporti, i mbështetur në kontributet e 54 organizatave anëtare nga 32 vende europiane, evidenton se mungesa e financimeve të mjaftueshme, shpërndarja e pabarabartë e burimeve dhe mbështetja financiare afatshkurtër vazhdojnë të pengojnë garantimin e të drejtave të fëmijëve.
Gjetjet tregojnë se fëmijët që jetojnë në varfëri, ata në familje me një prind, fëmijët romë, fëmijët me prejardhje migrante ose refugjate dhe fëmijët me aftësi të kufizuara përballen me pengesa të shumta në aksesin ndaj shërbimeve shëndetësore, arsimit, strehimit dhe mbështetjes sociale.
Varfëria e fëmijëve nuk është vetëm çështje e mungesës së të ardhurave, por edhe e pamundësisë për të ushtruar të drejtat themelore. Raporti thekson se sistemet e fragmentuara të mbrojtjes sociale, procedurat e ndërlikuara dhe mungesa e financimeve të qëndrueshme shpesh i lënë fëmijët dhe familjet pa mbështetjen që u nevojitet.
Një vëmendje e veçantë i kushtohet zbatimit të Garancisë Europiane për Fëmijët (European Child Guarantee), një instrument i rëndësishëm i Bashkimit Europian për të luftuar varfërinë dhe përjashtimin social të fëmijëve. Eurochild kërkon koordinim më të mirë ndërmjet institucioneve, monitorim më të fortë dhe financim të qëndrueshëm për të garantuar që kjo nismë të sjellë ndryshime konkrete në jetën e fëmijëve.
Raporti rekomandon investime të shtuara në sistemet e integruara të mbështetjes së fëmijëve dhe familjeve, parandalimin e ndarjes së fëmijëve nga familjet, strehimin e sigurt, shëndetin mendor, përfshirjen dixhitale dhe forcimin e organizatave të shoqërisë civile që ofrojnë shërbime të drejtpërdrejta.
Tanya Ward, Presidente e Eurochild, thekson se garantimi i të drejtave të fëmijëve kërkon burime të mjaftueshme, shërbime publike të forta dhe sisteme efektive të mbrojtjes sociale. Ajo nënvizon gjithashtu rëndësinë e përfshirjes së zërit të fëmijëve në vendimet që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e tyre.
Mesazhi kryesor i raportit është i qartë: investimi tek fëmijët nuk mund të mbetet një premtim politik, por duhet të shndërrohet në një përparësi të qëndrueshme të politikave dhe buxheteve publike.
Eurochild u kërkon qeverive europiane dhe institucioneve të BE-së që të forcojnë sistemet e mbrojtjes së fëmijëve, të sigurojnë financime afatgjata dhe të garantojnë që mbështetja të arrijë tek fëmijët dhe familjet që kanë më shumë nevojë.
---
Lexoni raportin e plotë të Eurochild 2026:https://eurochild.org/uploads/2026/11/EUROCHILD-FLAGSHIP-REPORT-2026.pdf