30/09/2026
Në Procesin e Berlinit, ministrja Kusari-Lila: Më shumë tregje, më pak barriera dhe më shumë mundësi për bizneset
Kryetarja e Alternativës, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka marrë pjesë në takimin ministror të Procesit të Berlinit, të mbajtur në Cetinjë të Malit të Zi, nën kryesimin e Malit të Zi dhe të zëvendëskryeministrit Nik Gjeloshaj.
Në takim u diskutua për hapat konkretë drejt krijimit të një Tregu të Përbashkët Rajonal, me qëllim krijimin e më shumë mundësive për bizneset, investimet, punësimin dhe rritjen ekonomike në Ballkanin Perëndimor.
Ministrja Kusari-Lila tha se Kosova po kontribuon me hapa konkretë në këtë proces, duke veçuar ratifikimin e Protokolleve Shtesë 5, 6 dhe 7 të CEFTA-s, heqjen e vizave për qytetarët e Bosnjë dhe Hercegovinës dhe hyrjen në fuqi, më 1 tetor, të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë Kosovë–EFTA.
Sipas saj, këto hapa krijojnë më shumë mundësi për prodhuesit kosovarë, duke lehtësuar qasjen në tregje dhe duke reduktuar barrierat për eksport.
Në takim u diskutua edhe për lehtësimin e lëvizjes së profesionistëve dhe njohjen e kualifikimeve, si dhe për mbështetjen e inovacionit dhe ndërmarrësisë përmes Ligjit për Inovacion dhe Ndërmarrësi dhe krijimit të Fondit të Inovacionit.
Gjatë vitit 2026, MINTI po mbështet rreth 230 biznese me 9.4 milionë euro, përmes nëntë skemave të granteve, me fokus në modernizim, inovacion, energji të pastër, digjitalizim, certifikim dhe ndërmarrësi të grave.
Në fushën e investimeve, ministrja theksoi qasjen e re për zhvillimin e parqeve industriale ekologjike, ku synohet transformimi i katër parqeve funksionale në parqe të gjelbra, ndërsa tetë të tjera janë në ndërtim, mbi parimet e ekonomisë qarkore dhe simbiozës industriale.
Po ashtu, përmes programit “She Rises”, po mbështetet potenciali i grave ndërmarrëse, me synim zgjerimin e kësaj përvoje edhe në nivel rajonal dhe krijimin e më shumë mundësive për qasje në financim, tregje dhe partneritete.
Duke folur për bashkëpunimin rajonal, ministrja Kusari-Lila e cilësoi si simbolik faktin që, nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, katër ministrat përgjegjës për integrimin ekonomik dhe zhvillimin e tregut janë shqiptarë.
Ajo theksoi se Ballkani Perëndimor ka nevojë për më shumë bashkëpunim ekonomik dhe më pak barriera, ndërsa integrimi rajonal merr kuptim kur vendimet shndërrohen në rezultate konkrete përmes rritjes së tregtisë, investimeve, lëvizjes dhe mundësive për qytetarët dhe bizneset.