03/10/2026
Mesazhi i kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku drejtuar familjes Beqiri pas identifikimit të eshtrave të më të dashurit të tyre, veprimtarit tonë të madh, Adem Beqiri.
“E nderuara familja Beqiri,
Përulemi sot me nderim para jetës dhe veprës së Adem Beqirit, veprimtarit të përkushtuar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Mitrovicës dhe gjithë Kosovës. Me dhimbje morëm lajmin për identifikimin e eshtrave të tij, pas 27 vitesh pritjeje, pasigurie dhe dhimbjeje për familjen e tij.
Për më shumë se një çerek shekulli, familja Beqiri ka bartur peshën e rëndë të mungesës, duke pritur të vërtetën për fatin e më të dashurit të saj. Sot, me kthimin e Adem Beqirit, kjo pritje e gjatë merr fund. Dhimbja mbetet e thellë, por familja Beqiri dhe të gjithë ne më në fund kemi një vend ku mund të përulemi, një varr ku mund të vendosim lule dhe një emër që nuk do të mbetet më pezull në pasigurinë e luftës.
Adem Beqiri i përkiste asaj gjenerate të jashtëzakonshme veprimtarësh që, në vitet më të vështira të Kosovës, nuk kursyen asgjë për vendin e tyre. Si veprimtar i LDK-së dhe anëtar i Kryesisë së Degës së LDK-së në Mitrovicë, ai ishte i angazhuar në organizimin politik e kombëtar dhe në përpjekjet për lirinë dhe dinjitetin e popullit të Kosovës. Përtej angazhimit politik, ai u gjend pranë njerëzve në rrezik, strehoi e mbështeti të përndjekurit dhe ndihmoi aty ku nevoja ishte më e madhe. Ishte një nga ata njerëz që nuk pyetën se çfarë do t’u kushtonte përkushtimi ndaj Kosovës, por çfarë mund të bënin për të.
Prandaj, Adem Beqiri nuk mbetet vetëm një emër në kujtesën e luftës. Ai mbetet dëshmi e një brezi që e përjetoi rrezikun si detyrë dhe përkushtimin ndaj vendit si përgjegjësi. Jeta e tij, veprimtaria e tij dhe sakrifica e tij janë pjesë e historisë së Mitrovicës, të LDK-së dhe të përpjekjes së popullit të Kosovës për liri.
Pas 27 vitesh, Ademi kthehet te familja e tij. Dhe bashkë me të, kthehet edhe një pjesë e së vërtetës që familja e tij e ka pritur me dekada. Kujtimi për të nuk mbyllet me varrimin e tij; ai mbetet pjesë e kujtesës sonë të përbashkët dhe e historisë që duhet t’ua përcjellim brezave.
Në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe në emrin tim personal, ju shpreh ngushëllimet më të thella familjes Beqiri, të afërmve, bashkëveprimtarëve dhe të gjithë atyre që e njohën dhe e çmuan Adem Beqirin.
Lavdi e përjetshme veprimtarit Adem Beqiri!
Kujtimi për të qoftë i përjetshëm!”