06/06/2026
Adelina Beqiri-Minci përmbyll fushatën me mesazh falënderimi për qytetarët
Kandidatja për deputete nga Partia Demokratike e Kosovës, Adelina Beqiri-Minci, ka përmbyllur fushatën zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit me një mesazh falënderimi drejtuar qytetarëve, mbështetësve dhe të gjithë atyre që e kanë pritur gjatë takimeve të zhvilluara në mbarë Kosovën.
Në mesazhin e saj, Beqiri-Minci ka vlerësuar mikpritjen, respektin dhe besimin që ka marrë gjatë javëve të fushatës, duke theksuar se kontakti i drejtpërdrejtë me qytetarët ka qenë përvoja më e vlefshme e këtij rrugëtimi.
“Gjatë kësaj fushate kam takuar qindra qytetarë anekënd Kosovës. Kam hyrë në shtëpitë e tyre, kam dëgjuar shqetësimet, shpresat dhe pritjet e tyre për të ardhmen. Mbi të gjitha, kam ndjerë respektin, ngrohtësinë dhe mikpritjen e tyre, dhe për këtë do t’u jem gjithmonë mirënjohëse”, është shprehur ajo.
Adelina Beqiri-Minci garon për herë të parë për deputete në Kuvendin e Kosovës në listën e Partisë Demokratike të Kosovës, me numrin 43
Ajo ka theksuar se fushata e saj është karakterizuar nga një qasje e bazuar në dialog, respekt dhe komunikim të sinqertë me qytetarët, duke shmangur gjuhën e përçarjes dhe konfliktit politik.
“Kjo fushatë nuk u ndërtua mbi zhurmën, fyerjet apo përçarjet. Zgjodha që rrugëtimin tim ta ndërtoj mbi dialogun, dëgjimin dhe respektin, sepse besoj se politika duhet t’i afrojë njerëzit dhe jo t’i ndajë ata”, ka deklaruar Beqiri-Minci.
Ajo ka falënderuar qytetarët që i kanë hapur dyert e shtëpive të tyre dhe kanë ndarë mendimet, shqetësimet dhe idetë e tyre për të ardhmen e vendit.
“Falënderoj secilin qytetar që na hapi derën e shtëpisë, na priti në lagjen, fshatin apo vendin e tij të punës. Edhe kur kemi pasur mendime të ndryshme, kam vlerësuar gatishmërinë për të biseduar me respekt. Pikërisht aty qëndron forca e demokracisë”, ka theksuar ajo.
Beqiri-Minci ka shprehur mirënjohje edhe për familjen, miqtë, bashkëpunëtorët, aktivistët dhe strukturat e Partisë Demokratike të Kosovës për mbështetjen dhe angazhimin e treguar gjatë gjithë fushatës.
Sipas saj, kjo periudhë ka qenë shumë më tepër sesa një garë politike.
“Për mua, kjo fushatë ka qenë shumë më tepër sesa një garë zgjedhore. Ka qenë një mundësi për të njohur më mirë njerëzit e vendit tonë, për të krijuar miqësi të reja dhe për të forcuar bindjen se Kosova ka njerëz të jashtëzakonshëm, punëtorë dhe me potencial të madh”, ka thënë kandidatja e PDK-së.
Në përmbyllje të mesazhit të saj, Beqiri-Minci ka ritheksuar bindjen se përfaqësimi politik duhet të mbështetet në përgjegjësi, ndershmëri dhe afërsi me qytetarin, duke nënvizuar se angazhimi i saj nuk përfundon me mbylljen e fushatës.
“Kam hyrë në këtë garë me përulësi dhe me bindjen se përfaqësimi duhet të bazohet në përgjegjësi, ndershmëri dhe afërsi me qytetarin. Po e përmbyll këtë rrugëtim me të njëjtën bindje, por edhe me një pasuri shumë më të madhe: respektin dhe mbështetjen që kam marrë nga qytetarët”, ka deklaruar ajo.
Adelina Beqiri-Minci garon për deputete në Kuvendin e Kosovës në listën e Partisë Demokratike të Kosovës, me numrin 43. Në mesazhin e saj ka theksuar se pavarësisht rezultatit zgjedhor, do të vazhdojë të mbetet e përkushtuar ndaj dialogut, punës së ndershme dhe shërbimit ndaj komunitetit.