Qeveria e Republikës së Kosovës

Qeveria e Republikës së Kosovës Faqja zyrtare e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Në vazhdën e urimeve për formimin e Qeverisë dhe mandatin e ri, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pr...
28/09/2026

Në vazhdën e urimeve për formimin e Qeverisë dhe mandatin e ri, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar letra nga kryeministrat e Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, si dhe nga Ambasada e Gjermanisë.

Kryeministri Kurti pranoi letër urimi nga kongresisti amerikan LatimerPrishtinë, 27 shtator 2026Kryeministri i Republikë...
27/09/2026

Kryeministri Kurti pranoi letër urimi nga kongresisti amerikan Latimer

Prishtinë, 27 shtator 2026

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar letër urimi nga kongresisti amerikan George Latimer, për konstituimin e Kuvendit, formimin e Qeverisë dhe mandatin e ri si Kryeministër.

“Teksa nisni mandatin tuaj të katërt si Kryeministër, pres me kënaqësi të bashkëpunoj ngushtë me ju dhe kolegët tuaj për avancimin e vlerave të përbashkëta të dy vendeve tona, përfshirë demokracinë, sundimin e ligjit dhe prosperitetin ekonomik”, shkroi kongresisti Latimer.

Në letrën e tij, kongresisti Latimer theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërpartiak për zgjedhjen e Presidentit të ri, rrjedhimisht shmangies së zgjedhjeve të reja.

“I inkurajoj të gjitha partitë politike në Kosovë që të kthehen në tryezën e negociatave për të arritur një marrëveshje për Presidentin e ri, në mënyrë që të shmanget një cikël tjetër i kushtueshëm i zgjedhjeve parlamentare. Siç e dëshmon përvoja e Shteteve të Bashkuara, dialogu i hapur dhe bashkëpunimi ndërmjet partive në çështje të interesit kombëtar janë thelbësore për përparimin e një shoqërie demokratike”, shkroi ai.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasuri...
26/09/2026

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, si dhe pesë projektligje të tjera në kuadër të reformës në drejtësi.

Njoftimi i plotë nga Ministria e Drejtësisë:
https://www.facebook.com/share/1DUukRUK9Z/

Mbledhja e dytë e Qeverisë së Republikës së KosovësPrishtinë, 26 shtator 2026Qeveria e Republikës së Kosovës mbrëmë ka z...
26/09/2026

Mbledhja e dytë e Qeverisë së Republikës së Kosovës

Prishtinë, 26 shtator 2026

Qeveria e Republikës së Kosovës mbrëmë ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ka:

Miratuar Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin e Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, qëllimi i të cilit është themelimi, organizimi dhe përcaktimi i kompetencave të Byrosë Shtetërore për Verifikimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, si dhe përcaktimi i procedurës për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Miratuar Projektligjin për Rekrutimin, Vlerësimin e Performancës, Kontrollin e Integritetit dhe Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, përmes të cilit përcaktohen rregullat e rekrutimit, vlerësimit të performancës, kontrollit të integritetit, statusit dhe çështje tjera lidhur me gjyqtarët dhe prokurorët në Republikën e Kosovës.

Miratuar Projektligjin për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, i cili ka për qëllim të rregullojë sistemin e përgjegjësisë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Kosovës, duke përcaktuar parimet, procedurat, organet kompetente dhe masat disiplinore që zbatohen në rast të shkeljeve të përcaktuara të detyrimeve si gjyqtarë, përkatësisht prokurorë.

Miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr.06/L-055 për Këshillin Gjyqësor të Kosovës.

Miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr.06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës, i ndryshuar dhe i plotësuar me Ligjin Nr.08/L-249.

Miratuar Projektligjin për Akademinë e Drejtësisë, qëllimi i të cilit është të sigurojë zhvillimin profesional dhe cilësor, të vazhdueshëm dhe të standardizuar të gjyqtarëve, prokurorëve dhe profesionistëve të tjerë të lidhur me sistemin e drejtësisë.

Miratuar Projektligjin për Energjinë, përmes të cili bëhet përcaktimi i parimeve dhe rregullave të përgjithshme që rregullojnë aktivitetet në sektorin e energjisë në Republikën e Kosovës, për të siguruar furnizim të sigurt, të qëndrueshëm dhe cilësor me energji, për të mundësuar pjesëmarrjen aktive në tregjet rajonale dhe panevropiane të energjisë dhe për të krijuar kushte për një treg të hapur, transparent dhe konkurrues, që ofron çmime të përballueshme të energjisë të bazuara në treg, mbrojtje dhe fuqizim të konsumatorit, përfshirë mbrojtjen e konsumatorëve të cenueshëm, integrimin e energjisë nga burimet e ripërtërishme, si dhe përmirësimin dhe mbrojtjen e mjedisit dhe klimës.

Miratuar Projektligjin për Energjinë Elektrike, qëllimi i të cilit është përcaktimi i rregullave dhe masave për sektorin e energjisë elektrike, për të garantuar furnizim të sigurt, të qëndrueshëm dhe cilësor me energji elektrike me çmime të përballueshme dhe transparente për konsumatorët fundorë, duke adresuar njëkohësisht caqet klimatike të vendit.

Miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim për Projektin e Lojërave Mesdhetare XXI në Kosovë.

Miratuar Projektligjin për Inovacion dhe Ndërmarrësi, qëllimi i të cilit është të përcaktojë parimet, rregullat, organizimin dhe mekanizmat institucionalë për mbështetjen, promovimin dhe nxitjen e aktiviteteve inovative dhe ndërmarrëse, me qëllim të përshpejtimit të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, shoqëror dhe mjedisor në Republikën e Kosovës.

Miratuar Projektligjin për Pagesat e Vonuara në Transaksionet Tregtare. Qëllimi i këtij projektligji është parandalimi i vonesave të pagesave në transaksionet tregtare, si dhe përcaktimi i rregullave për afatet dhe mënyrën e llogaritjes së kamatë-vonesave, në rastet e furnizimit me mallra dhe shërbime ndërmjet shoqërive tregtare si dhe ndërmjet shoqërive tregtare dhe autoriteteve publike, në mënyrë që të sigurohet funksionimi i duhur i tregut, duke nxitur aftësinë konkurruese të shoqërive tregtare.

Miratuar vendimin për t’i propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës kandidatët për Kryesues të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji.

Miratuar vendimin për t’i propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës kandidatët për pozitat e dy (2) anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji.

Miratuar vendimin për qiradhënie për pjesë të parcelës me sipërfaqe prej 6078.21 m², Zona Kadastrale Semajë, Komuna Kaçanik, sipas Kërkesës nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në kohëzgjatje deri më 23.12.2026 për nxjerrjen dhe shfrytëzimin e gurit gëlqeror.

Miratuar vendimin për qiradhënie për pjesë të parcelave, Zona Kadastrale Vasilevë dhe Zona Kadastrale Korroticë e Epërme, Komuna Gllogoc, në sipërfaqe prej 24923 m², sipas Kërkesës nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në kohëzgjatje deri më 10.09.2029 për nxjerrjen dhe përpunimin e gurit gëlqeror dhe vendosjen e mekanizmit.

Miratuar vendimin për qiradhënie për pjesë të parcelës, Zona Kadastrale Rahovec, Komuna Rahovec, me sipërfaqe prej 47231 m², sipas Kërkesës nga Ministrisë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në kohëzgjatje deri më 19.05.2039 për nxjerrjen e gurit gëlqeror.

Miratuar vendimin për qiradhënie për pjesë të parcelës, Zona Kadastrale Samadrexhë, Komuna Suharekë, me sipërfaqe prej 24997 m², sipas Kërkesës nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në kohëzgjatje deri me datë 09.01.2031 me qëllim të nxjerrjes dhe përpunimit të gurit gëlqeror.

Miratuar vendimin për qiradhënie për pjesë të parcelës, Zona Kadastrale Samadrexhë, Komuna Suharekë, me sipërfaqe prej 7289 m², sipas Kërkesës nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në kohëzgjatje deri me datë 10.02.2029 me qëllim të vendosjes së mekanizimit për seperim të gurit gëlqeror.

Miratuar vendimin për qiradhënie për pjesë të parcelës, Zona Kadastrale Zatriq, Komuna Rahovec, me sipërfaqe prej 49999 m², sipas Kërkesës nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në kohëzgjatje deri me datë 23.10.2040, me qëllim të shfrytëzimit të gurit dekorativ.

Miratuar vendimin për qiradhënie për pjesë të parcelave, Zona Kadastrale Raçak, Komuna Shtime, me sipërfaqe prej 19998 m², sipas Kërkesës nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në kohëzgjatje deri më 26.08.2028 për vendosjen e mekanizmit për seperim dhe deponim të materialit të ngurtë.

Miratuar vendimin për qiradhënie për pjesë të parcelave, Zona Kadastrale Raçak, Komuna Shtime, me sipërfaqe prej 3348 m², sipas Kërkesës nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në kohëzgjatje deri më 26.09.2027 për seperim të gurit.

Miratuar vendimin për qiradhënie për pjesë të parcelave, Zona Kadastrale Strazhë, Komuna Kaçanik, me sipërfaqe prej 29287 m², sipas Kërkesës nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në kohëzgjatje deri me datë 30.04.2028, me qëllim të nxjerrjes dhe shfrytëzimit të gurit gëlqeror.

Miratuar Deklaratën e Prioriteteve Afatmesme të Qeverisë 2027-2029, e cila përcakton kornizën e politikave për përgatitjen e Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve dhe buxhetin vjetor te hartuar nga Ministria e Financave.

Miratuar vendimin për plotësimin dhe ndryshimin e Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës të datës 19.03.2026, ashtu që cilit Komisionit për Verifikimin e Diplomave të Lëshuara nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut i vazhdohet mandati edhe për 3 muaj.

Miratuar vendimin për Listën e anëtarëve potencialë të Komisionit të Pranimit për Kategorinë e Ulët dhe atë të Mesme Drejtuese.

Miratuar vendimin për pezullimin nga marrëdhënia e punës të nëpunësit civil të kategorisë së lartë drejtuese.

25/09/2026

“Qytetarët kanë përcaktuar përgjegjësinë e secilit subjekt në Kuvend. Askujt nuk i kanë dhënë përgjegjësi absolute, rrjedhimisht secili subjekt ka përgjegjësi sipas peshës së votës së qytetarëve. Sipas njoftimit të pardjeshëm të Gjykatës Kushtetuese, afati për zgjedhjen e presidentit është deri më 6 tetor. Nëse nuk do të arrijmë të zgjedhim president të ri, do të shkojmë sërish në zgjedhje, që do të jenë zgjedhjet e katërta brenda dy viteve. Zgjedhjet e reja janë të panevojshme. Ne tashmë kemi kryetar të Kuvendit dhe kemi qeveri të zgjedhur, dhe ky Kuvend mund t'i japë vendit president apo presidente. Duhet ta kuptojmë që në Kosovë nuk kemi zgjedhje presidenciale. Zgjedhjet e reja do të jenë sërish për Kuvend e për qeveri dhe jo për president, pasi zgjedhja e presidentit bëhet nga Kuvendi. Pse të shkojmë sërish në zgjedhje për të konstituuar sërish Kuvendin, i cili nuk arrin të zgjedhë president? Nuk duhet të shkojmë vazhdimisht në zgjedhje vetëm për të konstatuar rezultate të njëjta”.

- Kryeministri Kurti.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti në Akademinë Përkujtimore në shënimin e trevjetorit të rënies së Rreshterit të Polic...
25/09/2026

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti në Akademinë Përkujtimore në shënimin e trevjetorit të rënies së Rreshterit të Policisë, Heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku:

E nderuara Kryetare e Kuvendit dhe ushtruese e detyrës së Presidentes të Republikës, znj. Albulena Haxhiu,
E nderuara zëvendëskryeministre dhe ministre e Drejtësisë, znj. Donika Gërvalla Schwarz,
I nderuari Xhelal Sveçla, ministër i Punëve të Brendshme,
I nderuari kolonel Gazmend Hoxha, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës,
E nderuara familje Bunjaku, bashkëshorte Lumnije, vajza Arbenitë, djemtë Fatlumi e Jetlumi, vëllai Mujë Bunjaku,
Të nderuar përfaqësues të korit diplomatik, shkëlqesi ambasadorë dhe diplomatë të tjerë të akredituar në vendin tonë,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës, ministra, zëvendësministra e kolegë të tjerë nga Qeveria,
Të nderuar zyrtarë policorë, kolegë të Rreshter Afrim Bunjakut,
Të nderuara familje të dëshmorëve të kombit,
Të nderua invalidë e veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
Të dashur qytetarë të Republikës,
Të nderuar të pranishëm,
Motra dhe vëllezër,
Zonja dhe zotërinj,

Në vazhdimësi e për shumë vite është shkruar e folur, e përfolur për veriun e Kosovës si vatër destabilizimi, tokë e askujt, zonë e pakontrolluar ku lulëzon krimi i organizuar, strukturat paralele dhe grupet kriminale. Vargmalet dhe territori i vështirë atje, e i thepisur ishin shndërruar në hapësira lehtë të qasshme për kontrabandim armësh e mallrash, aktivitete ilegale të llojllojshme e hyrje-dalje të figurave të shumta kriminale. Ekzistonte një pajtim në heshtje se në veriun e Kosovës mund të jetohej dhe përfitohej jashtë orbitës së sundimit të ligjit dhe të rendit demokratik. Kjo situatë e papranueshme dhe alarmuese duhej të ndryshonte medoemos. Ndryshimi në kalimin nga anomalia në normalitet, u përball me mobilizim të strukturave e grupeve kriminale të dirigjuara dhe të organizuara nga Beogradi zyrtar.

Serbia dështoi disa herë të ruante ndikimin e saj të madh në veriun e shtetit tonë. Nuk funksionuan as barrikadat, as sulmet e përsëritura ndaj institucioneve tona dhe KFOR-it, as dorëheqjet kolektive të orkestruara, as kërcënimet me aeroplanë luftarak MIG e me ushtri të stacionuar afër kufirit, as bazat e përparme ushtarake të xhandarmërisë dhe me nivel të gatishmërisë për sulm. Serbia e kuptoi se tashmë e ka humbur kontrollin dhe është eliminuar prania e aftësia e strukturave të saj brenda territorit të Republikës së Kosovës.

Në këtë situatë të re, synuan të imitojnë përsëri një tjetër metodë hibride të Rusisë: aneksimin e territorit. Sulmi paramilitar i 24 shtatorit në Banjskë tri vite më parë, u bë nga një grup terroristësh të mbështetur e financuar, trajnuar e instruktuar nga shteti i Serbisë, udhëhequr nga Millan Radoiçiq. Të veshur me uniforma taktike ushtarake të pajisur me armatim të Ushtrisë dhe të Forcave të Armatosura të Serbisë, atë mëngjes, hasën në një patrullë policore të Policisë së Kosovës, pjesëtarët e së cilës i sulmuan. Duke e aktivizuar një minë me kabllo nga distanca, terroristët serbë e vranë Rreshterin Afrim Bunjaku dhe e plagosën zyrtarin policor Alban Rash*ti.

Tre vite nga sulmi i Banjskës, Millan Radoiçiq dhe pjesëtarët e tjerë të grupit terrorist paramilitar, vazhdojnë të strehohen nga presidenti i Serbisë, teksa i ofron mbrojtje dhe shërbime. Ata duhet të përballen me drejtësinë në Kosovë dhe të gjykohen për sulmin me përmasa ushtarake të organizuar ndaj shtetit tonë dhe vrasjen e Afrim Bunjakut. Ne nuk do të ndalemi derisa të ketë drejtësi të plotë.

Afrimi, heroi ynë, i doli në ballë terroristëve të këtij agresioni shtetëror e sulmi kriminal. Ai u vra duke mbrojtur shtetin dhe paqen. Rënia e tij në krye të detyrës, e skalit si figurë të ruajtjes së sovranitetit shtetëror e integritetit territorial, rendit publik e sundimit të ligjit. Falë sakrificës dhe aktit heroik të Afrim Bunjakut, nuk u ndal rruga e drejtë e shtrirjes së sovranitet në 17% të territorit të vendit tonë. Pas neutralizimit të sulmit të grupit paramilitar serb, për herë të parë nisi funksionimi i plotë i shtetit dhe i të gjitha institucioneve të tij në veri të vendit tonë. Pasoi arritja e shumë sukseseve dhe fitoreve në këtë trevjeçar në funksion të sundimit të ligjit dhe të sigurisë për të gjithë qytetarët pa dallim.
Periudha e ilegalitetit dhe kriminalitetit atje mori fund. U ndalua përdorimi i dinarit serb, dolën jashtë funksionit targat dhe patentë-shoferët e strukturave paralele serbe, u mbyllën 62 institucione paralele ilegale, u mbyll Posta e Serbisë e pikat e derivateve të kompanisë serbe “Nis Petrol” që njihet si pjesë e Gazprom-it rus. Vijuan të mbyllen rrugët e shtigjet ilegale e të parandalohet kontrabandimi i armëve, municioneve dhe thasëve me dinarë. Sasi të mëdha armatimi u gjetën dhe sekuestruan gjatë tri viteve të fundit, ndërkaq për herë të parë filloi edhe faturimi i energjisë elektrike për banorët në katër komunat në veri të Kosovës. U hapën 844 biznese të reja, u rikthyen 71 familje në shtëpitë e tyre të uzurpuara dhe 51 familje në shtëpitë që u përkisnin por të cilat ishin djegur e rrënuar. Në veri u hapën edhe dega e Postës së Kosovës, zyrat komunale të Kadastrit, zyrat e Agjencisë për Punësim, Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, Agjencisë së Pyjeve e të Administratës Tatimore.

Veriu po lidhet me jugun edhe në rrugë tokësore, gjersa janë ndërtuar dy ura të reja për këmbësorë e automjete kurse e treta urë është në ndërtim e sipër. Shtrirja e sovranitetit në veri dhe prania e operimi i institucioneve shtetërore atje, bëri të mundur edhe zbulimin e varrezave masive të luftës së fundit dhe zbardhjen e krimeve e masakrave të regjimit gjenocidal të Jugosllavisë dhe Serbisë së Millosheviqit. Në gërmimet e realizuara në tri lokacione në Jabukë dhe Kalludër të Zubin Potokut, u gjetën mbetje mortore të 23 qytetarëve tanë, që i përkasin grupit të njohur si Grupi i Intelektualëve të rrëmbyer dhe ekzekutuar më 19 prill 1999.

Siguria u ngrit dhe u zgjerua, e rrjedhimisht sundimi i ligjit mbizotëron. Për shembull përgjatë vitit të kaluar nuk u shënua asnjë rast i vrasjes apo grabitjes së rëndë atje. Republika është më e sigurt se asnjëherë më parë, e secili qytetar në veri të vendit tonë jeton i lirë, i mbrojtur nga shteti, dhe më larg influencës dhe kërcënimeve të grupeve kriminale serbe dhe Beogradit zyrtar. Në secilën prej këtyre arritjeve, i gjejmë gjurmët dhe kontributin e Rreshterit, Heroit tonë Afrim Bunjaku. Ai është dëshmi e vlerave dhe e rëndësisë së Policisë së Kosovës dhe e veshjes së uniformës së saj. Afrim Bunjaku është frymëzim dhe orientim për çdo pjesëtar të Policisë së Kosovës. Ai është dëshmia sesi zyrtari publik e mbron shtetin e së drejtës dhe të drejtën e shtetit.

Lavdi heroit Afrim Bunjaku, dëshmorit të territorit dhe sovranitetit të pacenueshëm të Republikës së Kosovës!

Ju faleminderit!

25/09/2026

Shënohet Dita Botërore e Turizmit

24/09/2026

Akademi Përkujtimore për trevjetorin e rënies së Heroit, Afrim Bunjaku.

24/09/2026

Në vendin e rënies heroike tre vjet më parë, në mbrojtje të sovranitetit shtetëror dhe tërësisë territoriale të Republikës në fshatin Banjskë të Zveçanit u vendos gurthemeli i obeliskut të Heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku.

“Republika e Kosovës nuk duhet dhe nuk mund të mbetet peng i fqinjit të saj verior, shtetit që mbron e shpërblen krimine...
24/09/2026

“Republika e Kosovës nuk duhet dhe nuk mund të mbetet peng i fqinjit të saj verior, shtetit që mbron e shpërblen kriminelët e këtij shekulli dhe glorifikon të tjerët që kryen krime kundër njerëzimit, krime lufte e gjenocid në fund të shekullit të kaluar, në luftërat e ish-Jugosllavisë. Sikurse, mohon e fsheh krimet dhe refuzon të bashkëpunojë në zbardhjen e të vërtetës për të zhdukurit me dhunë, duke pamundësuar drejtësinë. Ndërsa vijon me shkelje të të drejtave dhe spastrim etnik administrativ ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës”.

Address

Ndërtesa E Qeverisë, Sheshi “Nëna Terezë”
Pristina
10000

Alerts

Be the first to know and let us send you an email when Qeveria e Republikës së Kosovës posts news and promotions. Your email address will not be used for any other purpose, and you can unsubscribe at any time.

Shortcuts

Share