09/07/2026
PROGRAMI I TRAJNIMIT "MODELI KOLEGIAL I SIGURIMIT TË CILËSISË" MBLEDH RRETH 330 PJESËMARRËS NGA 8 KOMUNA TË KOSOVËS
Gjatë dy javëve të fundit, projekti i Bashkimit Evropian - KosEd, në partneritet me Instituti Pedagogjik i Kosovës(IPK) dhe në bashkëpunim me Drejtoritë Komunale të Arsimit, ka realizuar me sukses ciklin e parë të programit të akredituar të trajnimit "Modeli Kolegial i Sigurimit të Cilësisë".
Trajnimet u zhvilluan në Prizren, Rahovec, Gjakovë, Deçan, Obiliq, Podujevë, Viti dhe Kaçanik, ku 6 trajnerë angazhuan 11 grupe me rreth 330 pjesëmarrës, përfshirë drejtorë shkollash, ekipe të shkollave, zyrtarë të Drejtorive Komunale të Arsimit dhe Inspektorë të Arsimit.
Programi synon të ndërtojë kapacitete të qëndrueshme për sigurimin e cilësisë në shkolla, duke promovuar reflektimin profesional, bashkëpunimin ndërmjet kolegëve dhe vendimmarrjen e bazuar në dëshmi.
Përmes prezantimeve interaktive, diskutimeve, punës në grupe dhe ushtrimeve praktike, pjesëmarrësit u përgatitën për zbatimin e Modelit Kolegial të Sigurimit të Cilësisë, i cili mbështetet në ciklin e përmirësimit të vazhdueshëm Planifiko – Bëj – Kontrollo – Vepro (PDCA).
Programi është i akredituar nga KSHLM/MAShTI dhe, pas përfundimit të fazave të implementimit në shkolla, pjesëmarrësit do të certifikohen me 50 orë zhvillim profesional.