Integrimi Evropian i Kosovës - Kosovo's European Integration

Integrimi Evropian i Kosovës - Kosovo's European Integration Kjo faqe ka për qëllim ofrimin e informatave për rrugën e Kosovës drejt Integrimit Evropian.

Kryenegociatori i Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, mori pjesë në Dialogun Strategjik për Zgjer...
30/09/2026

Kryenegociatori i Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, mori pjesë në Dialogun Strategjik për Zgjerimin, i cili sot mblodhi përfaqësues institucionalë, ekspertë dhe studiues nga vende të ndryshme të Evropës për të diskutuar të ardhmen e zgjerimit të BE-së dhe perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.

Në fjalën e tij, Kryenegociatori Zulfaj paraqiti të arriturat e Kosovës në procesin e integrimit evropian, duke veçuar përparimin në demokraci, sundim të ligjit e liri themelore. Kosova po vazhdon njëkohësisht me zbatimin e reformave që burojnë nga Plani i Rritjes i BE-së.

Kryenegociatori theksoi se 10 nga 11 projektligjet që nuk arritën të miratohen brenda afatit të qershorit, për shkak të bllokadës në Kuvend, tashmë janë miratuar sërish nga Qeveria dhe do t'i përcillen Kuvendit për miratim. Ndër tjerash Qeveria mirtoi edhe projektligjin për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit, një prej parakushteve kyçe në përgatitjet e Kosovës për anëtarësim në SEPA.

Për Kosovën, prioritet mbetet marrja e statusit të vendit kandidat dhe hapja e negociatave për anëtarësim.

Zt. Zulfaj falënderoi Qendrën Austro-Franceze për Afrimin në Evropë, Ifri-n, Open Society Foundations dhe Fondacionin Kosovar për Shoqëri Civile për organizimin.

Kryenegociatori i Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, mori pjesë sot në Konferencën e Formatit Sl...
29/09/2026

Kryenegociatori i Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, mori pjesë sot në Konferencën e Formatit Slavkov për Ballkanin Perëndimor, të mbajtur në Vjenë me ftesë të Ministres Federale të Austrisë për Evropën, Integrimin dhe Familjen, znj. Claudia Bauer.

Kryenegociatori e falënderoi ministren Bauer për ftesën në konferencën e këtij formati, të cilin këtë vit e kryeson Austria.

Diskutimet u përqendruan te rinia dhe integrimi gradual në BE, si dhe te ruajtja e kredibilitetit dhe momentumit të politikës së zgjerimit.

Në intervenimet e tij, z. Zulfaj theksoi se Kosova është ndër shoqëritë me popullsinë më të re në Evropë, me të rinj që po e bëjnë krenare me sukseset e tyre në sport, art dhe kinematografi.

Pjesëmarrja në Erasmus+, Horizon Europe, Evropa Kreative, Evropa Digjitale dhe programe të tjera të BE-së po krijon më shumë hapësirë për mobilitet, studim, hulumtim, ndërmarrësi dhe kreativitet.
Ai kërkoi asociimin e plotë të Kosovës në Erasmus+ dhe mirëpriti gjithashtu negociatat për hapjen e programit DiscoverEU për Kosovën nga viti 2027 dhe shprehu shpresën që ato të përmbyllen shpejt, si përfitim i prekshëm i integrimit gradual për brezin që e mbështet më shumë rrugën evropiane.

Njëkohësisht, Kosova po zbaton Agjendën e Reformave dhe po punon drejt integrimit në SEPA dhe Roam Like at Home.

Kosova është proaktive në bashkëpunimin rajonal, megjithatë marrëveshjet e arritura në kuadër të Procesit të Berlinit ende nuk zbatohen plotësisht. Serbia ka bllokuar marrëveshjen për njohjen e diplomave, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina ka bllokuar marrëveshjen për lëvizjen e lirë me letërnjoftim, pavarësisht se Kosova ua ka lehtësuar lëvizjen qytetarëve të BeH-së.

Kryenegociatori theksoi se, falë liberalizimit të vizave me BE-në, qytetarët e Kosovës udhëtojnë më lehtë në Vjenë se në Sarajevë, gjë që është e papranueshme. Njohja e diplomave dhe lëvizja e lirë janë në qendër të mobilitetit dhe pjesë e lirive themelore që promovon Bashkimi Evropian.

Për manipulimin e informacionit dhe ndërhyrjen e huaj (FIMI), Zulfaj e vlerësoi si të qëlluar iniciativën e Mburojës Demokratike Evropiane dhe theksoi rëndësinë e edukimit mediatik për të rinjtë, të cilët janë gjithnjë e më shumë cak i aktorëve dashakeqë.

Ai theksoi se statusi i vendit kandidat dhe hapja e negociatave për anëtarësim janë hapat e radhës, të merituar dhe në interes si të Kosovës, ashtu edhe të Bashkimit Evropian. BE-ja duhet të përmbushë pritjet e të rinjve për një Evropë ku ata që promovojnë vlerat e saj dhe përmbushin standardet e saj e gjejnë vendin e tyre. Kjo është edhe strategjia më e mirë e komunikimit të BE-së.

Kryenegociatori i Republikës së Kosovës me BE-në, Jeton Zulfaj, po merr pjesë sot në Vjenë në Konferencën e Formatit Sla...
29/09/2026

Kryenegociatori i Republikës së Kosovës me BE-në, Jeton Zulfaj, po merr pjesë sot në Vjenë në Konferencën e Formatit Slavkov për Ballkanin Perëndimor, me ftesë të Ministres Federale të Austrisë për Evropën, znj. Claudia Bauer. Në konferencë, ai do të theksojë rëndësinë që integrimi gradual të sjellë mundësi konkrete për të rinjtë, si dhe nevojën që Kosova të marrë statusin e vendit kandidat dhe të hapë negociatat për anëtarësim.

Këshilli Ministror për Integrim Evropian diskuton për zbatimin e Planit të RritjesNën kryesimin e Kryeministrit, z. Albi...
25/09/2026

Këshilli Ministror për Integrim Evropian diskuton për zbatimin e Planit të Rritjes

Nën kryesimin e Kryeministrit, z. Albin Kurti, sot u mbajt mbledhja e dytë e Këshillit Ministror për Integrim Evropian në funksionin e Komitetit Drejtues për Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian, e cila është struktura koordinuese vendore në nivelin më të lartë politik. Në këtë mbledhje u diskutua për ecurinë e zbatimit të reformave prioritare dhe përgatitjen e projekteve investuese. Në mbledhje morën pjesë ministrat e udhëheqësit e institucioneve të tjera përgjegjëse për të këta komponentë.

Kryeministri Kurti theksoi se më 15 korrik Qeveria i ka dorëzuar Komisionit Evropian raportin e parë zyrtar për zbatimin e Agjendës së Reformave dhe kërkesën e parë për lirimin e fondeve nga Plani i Rritjes. Ai më tej tha se deri në fund të qershorit janë zbatuar plotësisht 20 hapa të reformave, që korrespondojnë me gjithsej rreth 153.3 milionë euro në fonde të BE-së, kurse reformat e tjera janë duke zbatuar. Ai njoftoi se Komisioni Evropian pritet të nxjerrë raportin përkatës në mesin e tetorit, më pas do ta miratojë vendimin për lirimin e fondeve.

Më pas, fjalën e mori Kryenegociatori i Republikës së Kosovës me BE-në dhe Koorinatori Kombëtar për Instrumentin për Reforma dhe Rritje, z. Jeton Zulfaj, i cili foli për reformat e zbatuara. Në fushën e qeverisjes, reformës së administratës publike dhe menaxhimit të financave publike është funksionalizuar ndërlidhja e sistemit të prokurimit elektronik dhe Sistemit Informativ për Menaxhimin e Financave të Kosovës, duke përmirësuar qëndrueshmërinë dhe transparencën e investimeve publike, pasi që tani asnjë institucion nuk mund të iniciojë aktivitet të prokurimit publik pa e zotuar buxhetin.

Në fushën e tranzicionit të gjelbër dhe atij digjital, ndër të tjera, është miratuar Udhërrëfyesi për Tranzicion të Drejtë energjetik, është funksionalizuar Ekipi Emergjent kombëtar dhe ai qeveritar për Reagim për Mbrojtje Kompjuterike dhe është arritur statusi i akredituar në Mekanizmin Evropian të Përdoruesve të Besueshëm të Teknologjisë Informative, dhe është arritur objektivi për shpërndarjen e rrjetit 5G në shtëpi në mbarë vendin.

Në fushën e zhvillimit të sektorit privat dhe mjedisit afarist, ndër të tjera, janë publikuar të dhënat për procedurat aktive të ristrukturimit dhe administratorët e falimentimit. Gjithashtu është përmirësuar qeverisja dhe transparenca e ndërmarrjeve publike përmes publikimit të të dhënave të përditësuara, themelimit të komiteteve të pavarura të auditimit dhe përmirësimit të llogaridhënies lidhur me adresimin e gjetjeve të auditimit të jashtëm, dhe arritjes së objektivit për zbatimin e rekomandimeve të auditimit të jashtëm të pavarur.

Në fushën e zhvillimit dhe ruajtjes së kapitalit njerëzor, ndër të tjera, është arritur anëtarësimi në Regjistrin Evropian të Sigurimit të Cilësisë në arsimin e lartë. Gjithashtu është përmirësuar cilësia dhe përfshirja në arsimin parashkollor: janë arritur objektivat për sigurimin e cilësisë së institucioneve të edukimit dhe kujdesit në fëmijërinë e hershme dhe për përfshirjen e fëmijëve të moshës 0-2 vjeçare dhe atyre të moshës 3-5 vjeçare. Gjithashtu është arritur objektivi për zbatimin e masave aktive të tregut të punës për gratë, të rinjtë, personat me aftësi të kufizuara, personat që jetojnë në zona rurale dhe komunitetet minoritare.

Në fushën e sundimit të ligjit, ndër të tjera, është rritur numri i raporteve të sinjalizimit të procesuara nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, dhe vlera e përgjithshme e pasurive të fituara me vepra penale që janë sekuestruar, ngrirë dhe konfiskuar.

Deri në fund të vitit përmbyllet zbatimin e 22 reformave të mbetura, në vlerë prej 131.4 milionë eurosh në fonde të BE-së. Mbi një e treta e këtyre reformave kërkojnë miratim të projektligjeve në Kuvend.

Sa u përket projekteve investuese, u theksua se po vazhdon puna për përgatitjen e tyre dhe u diskutuan sfidat në këtë drejtim. Më tej, janë duke u finalizuar tri marrëveshje ndërkombëtare për programet IPA, nga të cilat Kosova pritet të përfitojmë rreth 258 milionë euro. Së bashku me shume shumën e fondeve që pritet të fitohen nga Plani i Rritjes, pritet që Kosova të përfitojë deri në rreth 400 milionë euro në fonde të BE-së. Këto fonde do të mundësojnë investime të rëndësishme për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit dhe në dobi të qytetarëve.

Në fund të takimit, Kryeministri Kurti theksoi sfidat që po përballen reformat dhe kërkoi që përtej sfidave të ketë mobilizim të punëve në funksion të realizimit të hershëm të reformave dhe të arritje së afateve.

Kryenegociatori i Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, priti në takim shefin e ri të Zyrës së BE-s...
24/09/2026

Kryenegociatori i Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, priti në takim shefin e ri të Zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadorin Dirk Schuebel, të cilit i uroi mirëseardhje dhe suksese në detyrën e re.

Kryenegociatori Zulfaj theksoi se avancimi i Kosovës drejt anëtarësimit në BE është prioritet i Qeverisë dhe objektiv strategjik i vendit, dhe se Zyra e BE-së në Kosovë ka rol të rëndësishëm në këtë proces.

Statusi i vendit kandidat dhe hapja e negociatave për anëtarësim, zbatimi i Agjendës së Reformave në kuadër të Planit të Rritjes dhe zbatimi i projekteve infrastrukturore të financuara nga BE-ja ishin ndër temat kryesore të takimit.

Në pritje të vlerësimit të raportit gjashtëmujor nga BE-ja dhe të pakos së ardhshme të zgjerimit, Kryenegociatori theksoi rëndësinë e një vlerësimi të drejtë të përparimit të gjithëmbarshëm të Kosovës.

Kryenegociatori Zulfaj falënderoi ambasadorin Schuebel për takimin dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë dhe shkëmbime të rregullta gjatë mandatit të tij, në funksion të përparimit të Kosovës dhe forcimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Kryenegociatori i Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian, z. Jeton Zulfaj, priti sot në takim Ambasadorin jo-rezide...
24/09/2026

Kryenegociatori i Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian, z. Jeton Zulfaj, priti sot në takim Ambasadorin jo-rezident të Irlandës në Kosovë, Sh.T. Ragnar Almqvist.

Në fokus të takimit ishte procesi i integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, me theks të veçantë në Presidencën irlandeze të Këshillit të Bashkimit Evropian dhe rolin që Irlanda mund të luajë në avancimin e Kosovës gjatë kësaj periudhe.

Kryenegociatori Zulfaj e falënderoi Ambasadorin Almqvist për mbështetjen e Irlandës ndaj Kosovës dhe theksoi rëndësinë Presidenca irlandeze të shtyjë përpara procesin e marrjes së statusit kandidat.

Kryenegociatori Zulfaj zhvilloi takim me anëtarët e Komisionit Parlamentar për Çështjet e Bashkimit Evropian në Bundesta...
24/09/2026

Kryenegociatori Zulfaj zhvilloi takim me anëtarët e Komisionit Parlamentar për Çështjet e Bashkimit Evropian në Bundestagun Gjerman

Në Bundestagun Gjerman, Kryenegociatori i Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian, z. Jeton Zulfaj, zhvilloi takim me Dr. Anton Hofreiter, Kryetarin e Komisionit për Çështjet e Bashkimit Evropian dhe deputetin e Aleancës 90/Të Gjelbrit, zëvendës kryetarin e Komisionit dhe deputetin e SPD-së, z. Johannes Schraps, dhe z. Peter Beyer, anëtarin e Komisionit dhe deputetin e CDU/CSU-së. Z. Zulfaj u shoqërua nga Ambasadori i Republikës së Kosovës në Gjermani, z. Faruk Ajeti.

Kryenegociatori Zulfaj i falënderoi deputetët për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë ndaj Kosovës, duke theksuar mirënjohjen e popullit të Kosovës për solidaritetin dhe përkrahjen gjermane në momentet vendimtare të historisë sonë - nga çlirimi dhe rindërtimi pas luftës, te rruga drejt pavarësisë, shtetndërtimi dhe zhvillimi ekonomik i vendit.

Në fokus të takimit ishte avancimi i Kosovës në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Z. Zulfaj theksoi se, pothuajse katër vjet pas dorëzimit të aplikimit për anëtarësim në BE, Kosova mbetet vendi i vetëm në rajon pa statusin e vendit kandidat. Ai kërkoi mbështetjen e Bundestagut që Këshilli i BE-së t’i kërkojë Komisionit Evropian përgatitjen e Opinionit për aplikimin e Kosovës këtë vjeshtë.

Kryenegociatori nënvizoi se Gjermania ka qenë dhe mbetet një nga partnerët më të rëndësishëm të Kosovës dhe se zëri i saj ka peshë të veçantë në politikën e zgjerimit të BE-së. Në këtë drejtim, ai kërkoi angazhim proaktiv të parlamentarëve gjermanë, përfshirë përmes kontakteve me homologët e tyre në shtetet e tjera anëtare dhe familjet politike evropiane, për të ndihmuar në avancimin e aplikimit të Kosovës.

Gjatë takimit u diskutua gjithashtu për progresin demokratik dhe ekonomik të Kosovës, zbatimin e reformave në kuadër të procesit të integrimit ne BE, si dhe përkushtimin e plotë të Kosovës ndaj vlerave të Bashkimit Evropian dhe harmonizimin e plotë të Republikës së Kosovës me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së.

Kryenegociatori Zulfaj i falenderoi deputetët gjermanë për mundësinë e takimit dhe për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë.

Në kuadër të takimeve me partnerët zhvillimorë, Kryenegociatori i Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian, z. Jeton ...
21/09/2026

Në kuadër të takimeve me partnerët zhvillimorë, Kryenegociatori i Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian, z. Jeton Zulfaj, priti sot në takim z. Daniel Alker, Shefin e Bashkëpunimit për Zhvillim në Ambasadën e Gjermanisë në Kosovë dhe z. Marcus Delf, Drejtor i GIZ-it për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.

Z. Zulfaj e falënderoi delegacionin për përkrahjen e vazhdueshme që Gjermania i dha dhe vazhdon t’i japë institucioneve të Kosovës. Kosova po vazhdon me përgatitjet e hershme institucionale në fushën e integrimit në BE, të cilat kanë si qëllim rritjen e efikasitetit administrativ për krijimin e kapaciteteve të nevojshme për fillimin e negociatave për anëtarësim.

Ndihma zhvillimore është e çmueshme për Kosovën, ndërsa Gjermania vazhdon të mbetet ndër kontribuesit më të mëdhenjë zhvillimorë në Kosovë.

Kryenegociatori i Republikës së Kosovës me BE-në, Jeton Zulfaj, priti në takim senatorë francezë të kryesuar nga Marta d...
21/09/2026

Kryenegociatori i Republikës së Kosovës me BE-në, Jeton Zulfaj, priti në takim senatorë francezë të kryesuar nga Marta de Cidrac, Kryetare e Grupit Ndërparlamentar të Miqësisë Francë–Ballkani Perëndimor në Senat.

Znj. de Cidrac u shoqërua nga senatorët e Grupit Francë–Ballkani Perëndimor: z. Alain Milon, president i deleguar për Kosovën; znj. Laurence Harribey, presidente e deleguar për Malin e Zi; dhe z. Arnaud Bazin, president i deleguar për Maqedoninë e Veriut.

Senatorët në takim u shoqëruan nga ambasadori i Francës në Kosovë, z. Jean-François Huchet.

Z. Zulfaj falënderoi znj. de Cidrac për kontributin e Francës në zhvillim, paqe e siguri, si dhe për përkrahjen e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.

Në takim u bisedua për marrëdhëniet bilaterale, çështjet rajonale dhe procesin e reformave drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Z. Zulfaj theksoi rëndësinë e marrjes së statusit të vendit kandidat dhe hapjes së negociatave për anëtarësim.

Kosova është e përkushtuar ndaj reformave, ndërsa avancimi drejt statusit kandidat është përgjegjësi e përbashkët e Bashkimit Evropian dhe e Kosovës.

Ndër të tjera, u diskutua edhe për bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Francës në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030.

Kryenegociatori Zulfaj i falënderoi senatorët për vizitën dhe ju uroi takime të frytshme në pjesën e mbetur të vizitës.

Address

Ndërtesa E Qeverisë, Sheshi Skenderbeu P. N
Pristina
10000

Opening Hours

Monday 08:00 - 16:00
Tuesday 08:00 - 16:00
Wednesday 08:00 - 16:00
Thursday 08:00 - 16:00
Friday 08:00 - 16:00

Alerts

Be the first to know and let us send you an email when Integrimi Evropian i Kosovës - Kosovo's European Integration posts news and promotions. Your email address will not be used for any other purpose, and you can unsubscribe at any time.

Shortcuts

Share