30/09/2026
Konstituohet Këshilli Nacional për Siguri dhe Shëndet në Punë
Me konstituimin e Këshillit Nacional për Siguri dhe Shëndet në Punë, Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare i jep një shtysë të re angazhimit institucional për sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës.
Në takimin e parë të Këshillit, Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, z. Andin Hoti, u zgjodh Kryetar, Ministri i Shëndetësisë, z. Arben Vitia, u zgjodh Nënkryetar ndërsa eksperti për siguri dhe shëndet në punë, z. Burim Islami, u zgjodh Sekretar.
Ministri Hoti theksoi se angazhimi për sigurinë dhe shëndetin në punë po shoqërohet me rezultate konkrete. Vetëm gjatë këtij viti, Inspektorati Qendror i Punës ka realizuar mbi 8,600 inspektime dhe ka ndaluar punimet në 290 vendpunishte ku është evidentuar rrezik për sigurinë dhe shëndetin e punëtorëve. Po ashtu, është realizuar një inspektim i jashtëzakonshëm në nivel vendi, ndërsa inspektimi digjital tashmë zbatohet në mbi 90% të inspektimeve. Në të njëjtën kohë, po përmbyllet rekrutimi i 39 inspektorëve të rinj dhe po punohet në pajisjen e inspektorëve me vetura të reja, për rritjen e kapaciteteve dhe efikasitetit në terren.
Përmes Këshillit synohet të zhvillohet dialogu social ndërmjet institucioneve, punëdhënësve dhe punëmarrësve, në mënyrë që çështjet e sigurisë dhe shëndetit në punë të diskutohen në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të adresohen përmes politikave dhe veprimeve konkrete.
Hapi i radhës është hartimi i Planit të Punës së Këshillit, përmes një grupi punues, i cili do të përgatisë draftin fillestar për shqyrtim dhe finalizim në mbledhjen e radhës.